logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Aftet (nga greqishtja) janë dëmtime të dhimbshme, inflamatore (ulçera) të mukozës së gojës, të cilat zakonisht shërohen në mënyrë spontane dhe pa plagë, përgjithësisht pas disa ditësh deri në dy javë. Ato mund të shfaqen në një ose në disa episode të përsëritura, shpesh si plagë kronike.

Aftet janë një ndër sëmundjet më të zakonshme të mukozës së gojës. Në shumicën e rasteve, ato fillojnë në dekadën e dytë dhe të tretë të jetës, dhe janë më të shpeshta tek gratë. Tek fëmijët, në 40% të rasteve sëmundja fillon para moshës 5 vjeç.
Shkaku i saktë i afteve të përsëritura në mënyrë të zakonshme ose kronike nuk është i qartë. Si shkaktarë mund të konsiderohen faktorë të ndryshëm, si:
  • Lëndimet mekanike të mukozës së gojës& nbsp;gjatë larjes së dhëmbëve, gjatë vizitave tek dentisti, vendosjes së protezave të fiksuara dobët, gjatë kafshimit ose përtypjes së ushqimeve të forta.
  • Intolerancat ushqimore (psh. arra, çokollata, agrumet, domatet, alkooli, djathi, ushqimet pikante).
  • Përbërësit e produkteve të kujdesit dentar (lauril sulfat natriumi)
  • Gjendjet e mangësisë, si mungesa e hekurit, mungesa e acidit folik ose mungesa e vitaminës B12. Një shtesë dietike e përshtatshme mund të zvogëlojë shtrirjen e sëmundjes.
  • Sëmundje të favorshme, të tilla si neutropenia ciklike (rënie e numrit të një tipi të qelizave të bardha të gjakut).
  • Stresi dhe luhatjet hormonale diskutohen gjithashtu si shkaktues.
  • Faktorët trashëgues gjithashtu duket se janë të përfshirë (40% kanë një histori pozitive familjare).

Ka sëmundje që mund të imitojnë pamjen e afteve të zakonshme. Diferencimi i tyre nga aftet e zakonshme është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për shkak të terapisë që ndryshon. 

Shembuj sëmundjesh me elemente të ngjashme me aftet e zakonshme:
  • Sëmundjet inflamatore të zorrëve, si sëmundja e Crohn, koliti ulcerativ, sëmundja celiake (intoleranca e glutenit)
  • Sëmundjet imunologjike, siç është sëmundja Behçet (një sëmundje inflamatore e enëve të vogla të gjakut)
  • Sëmundje të ndryshme të lëkurës dhe indit lidhor
  • Sëmundje infektive, si infeksioni i Herpes simplex, zoster (herpes), sëmundja e gojës-këmbës, HIV-i, sifilizi, tuberkulozi, infeksionet nga kërpudhat
  • Gingivo-stomatiti herpetik: mund të ndodhë tek fëmijët e vegjël, kur infektohen me virusin e herpesit (herpes labialis) për herë të parë. 
  • Kanceret, si Leukemia, kanceri i gojës.
  • Inflamacioni alergjik ose medikamentoz i mukozës së gojës.
Pamja karakteristike e afteve korrespondon me defekte të dhimbshme, të rrumbullakta ose ovale të mukozës (ulcera), të cilat janë të mbuluara me një shtresë të bardhë dhe zakonisht kanë një kufi të kuq të ndezur të inflamacionit, që i dallon ato nga rrethina e tyre.

Aftet zakonisht gjenden në pjesët e lëvizshme  të mukozës së gojës, veçanërisht në zonën e faqeve, buzëve, gjuhës ose në dyshemenë e gojës. Mund të jenë të vetme ose në grupe të vogla, ose disa mund të 'shkrihen së bashku' për të shkaktuar dëme të mëdha në mukozë.

Klasifikimi

Sipas madhësisë, aftet e përsëritura (kronike) ndahen në tre forma të ndryshme (të vogla, të mëdha dhe herpetiforme). Gjithashtu, sipas shkallës së rëndësisë, ato ndahen  dhe dy forma të ndryshme: të thjeshta dhe komplekse.

Aftet e vogla 

Me 80-90% të rasteve, ato janë forma më e zakonshme e të gjitha afteve të përsëritura. Shfaqen si defekte të sheshta të mukozës me një diametër më të vogël se 1 cm (zakonisht 2-5 mm), të cilat shërohen zakonisht spontanisht pas 4 deri në 14 ditësh, dhe rrallë formojnë plagë (përafërsisht 8%). Zakonisht, vetëm deri në pesë ulcera aftoze shfaqen njëkohësisht në mukozën e gojës, buzëve, faqeve, gjuhës ose në dyshemenë e gojës. Karakteristikat e tyre: së pari ndjeni një ndjesi shpimi gjilpërash, djegieje ose tensioni dhe ashpërsie në zonën e prekur. Pas rreth 24 orësh shfaqet një ënjtje e kuqërremtë, e cila pas një deri në tre ditësh shndërrohet në një ulçer të bardhë me një kufi të kuq.

Aftet e mëdha

Ato përbëjnë 10% të të gjitha afteve të përsëritura, janë më të mëdha, me një diametër 10-30 mm, dhe shpesh më të thella se aftet e vogla. Për më tepër, shërohen më ngadalë (dhjetë ditë deri në gjashtë javë, rrallë më gjatë) dhe shpesh formojnë plagë (në rreth 64% të rasteve). Ato shfaqen përgjithësisht në pjesën e përparme të gojës, por mund të përhapen edhe në qiellzën e butë, qoshet e nofullës ose zonën e fytit dhe laringut.

Tipi herpetiform 

Kjo formë, e cila shfaqet në rreth 5% të afteve të përsëritura, karakterizohet nga defekte të mëdha të mukozës, me deri në 100 elemente, 1-2 mm të mëdha secila, tejet të dhimbshme në tërë zgavrën e gojës, që gjithashtu përhapen në zona më të mëdha dhe mund të çojnë në plagë (në rreth 32% të rasteve).

Herë pas here, mund të shfaqen njëkohësisht të tre tipet e mësipërme të afteve.

Forma e thjeshtë 

Kjo përfshin afte që përsëriten tre deri në gjashtë herë në vit, shfaqen në numër të vogël, janë pak të dhimbshme, shërohen shpejt dhe janë të kufizuara në zgavrën e gojës.

Forma komplekse

Në këtë lloj, shfaqen disa ulcera aftoze jashtëzakonisht të dhimbshme, të cilat shërohen ngadalë në zonën e gojës dhe/ose të organit gjenital (gjithashtu është e mundur në zonën e skrotumit, zonën e jashtme pubike të femrave, deri në zonën e anusit dhe ijeve). Ato shpesh rikthehen vetëm në intervale të shkurtra kohore, pa simptoma. Pacientët kanë gjendje të përgjithshme të rënduar, nuk ushqehen fare, dhe për pasojë humbasin peshë në masë të konsiderueshme.

 Në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, vlerësohet se sëmundja e Behçet (një sëmundje vaskulare inflamatore) është përgjegjëse për 10% të formës komplekse të afteve, që është dukshëm më e zakonshme në Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme dhe Azi.

Aftet e përsëritura ose aftet e shoqëruara nga ethe duhet te sqarohen gjatë vizitës tek mjeku.

Si rregull, marrja në pyetje dhe ekzaminimi fizik i pacientëve janë të mjaftueshme për të bërë diagnozën, bazuar në pamjen tipike dhe historinë e afteve.

Në raste të caktuara, veçanërisht në ato me afte të vazhdueshme ose atipike, janë të domosdoshme ekzaminime të mëtejshme, si psh, marrja e indeve (biopsia), për të përjashtuar sëmundje të tjera (si psh. sëmundja e Behçet).

Gjithmonë duhet të mendoni për faktorë të mundshëm që shkaktojnë aftet, ose për sëmundje që favorizojnë ose i imitojnë ato.

Për sa kohë që shkaqet e afteve janë të paqarta, terapia mbetet simptomatike, pra synon zbutjen e simptomave, përshpejtimin e procesit të shërimit dhe zvogëlimin e shpeshtësisë dhe ashpërsisë së episodeve individuale. Për këtë qëllim, përveç masave të përgjithshme, janë të disponueshme mjekime lokale, ose në raste të rënda, medikamente efektive sistemike, d.m.th. që merren nga goja.

Masat e përgjithshme

Nëse ekziston një lidhje me ushqimin ose zakonet e ngrënies, këto duhet të shmangen (shiko gjithashtu shkaqet).

Në rastin e afteve ekzistuese, duhet të shmangen ushqimet që intensifikojnë dhimbjen ose që mund të irritojnë më tepër mukozën e gojës,  si p.sh. ushqimet acidike (lëngjet e frutave ose agrumet), ushqimet e kripura, pikante, ushqimet e forta si arrat, alkooli ose pijet e gazuara.
Produktet e kujdesit dentar që përmbajnë lauryl sulfate natriumi (SLS) gjithashtu duhet të shmangen, pasi ato gjithashtu mund të irritojnë mukozën e gojës.

Terapia lokale 

  • Përbërësit aktivë mund të përdoren në formën e kremrave, xhelit, sprait, pomadave, pastave, lëngjeve, solucioneve për shpëlarjen e gojës, etj.
  • Narkotikët (anestezikët lokalë) shërbejnë për lehtësimin e dhimbjes
  • Dezinfektuesit/agjentët anti-inflamatorë zvogëlojnë numrin e afteve të reja dhe i bëjnë ato të shfaqen më rrallë, lehtësojnë dhimbjet dhe shkurtojnë kohën e shërimit.
  • Antibiotikët zvogëlojnë kohëzgjatjen e sëmundjes dhe lehtësojnë dhimbjen.
  • Djegiet e lokalizuara lehtësojnë dhimbjen shpejt, por aftet nuk shërohen më shpejt.
  • Terapia e butë me lazer shërben për lehtësimin e menjëhershëm të dhimbjes (zgjat 4-7 ditë)
  • Kortikosteroidet përdoren kur trajtimi i kombinuar me qetësues lokalë të dhimbjes  dhe agjentë anti-inflamator është i pasuksesshëm. Kujdes: kur përdoren gjatë, ato favorizojnë infeksionet lokale të kërpudhave.
  • Barnat speciale që ndikojnë në sistemin imunitar.
  • Produktet bimore, të tilla si Ratanhia, sherebela ose kamomili, veprojnë si qetësues të dhimbjes dhe/ose anti-inflamatorë.

Terapia sistemike

Në rastin e formave komplekse, përveç masave terapeutike lokale, trajtimi sistemik është gjithashtu një mundësi. Këtu mund të përdoren p.sh. kortikosteroidet ose medikamente të tjera të veçanta që ndikojnë në sistemin imunitar. Sidoqoftë, këto të fundit janë të rezervuara për raste veçanërisht të vazhdueshme ose ato që përfshijnë sisteme të tjera të trupit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.