Pap-testi (Ekzaminimi qelizor cerviko-vaginal, Ekzaminimi qelizor i qafës së mitrës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është Pap-testi?
Pap-testi është një ekzaminim gjinekologjik, që shërben për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës tek femrat. Ai konsiston në marrjen e një kampioni indor në zonën e qafës së mitrës, për t’u ekzaminuar më pas në mikroskop në kushte laboratorike. Testi përdoret për të zbuluar ndryshime qelizore të dyshimta, në një stad sa më të hershëm. Gjithsesi, një rezultat jonormal i Pap-testit nuk sugjeron detyrimisht kancer, pasi ndryshime qelizore mund të shkaktojnë edhe inflamacionet e qafës së mitrës. Është pikërisht kjo arsyeja pse një Pap-test që rezulton i dyshimtë për kancer përsëritet, dhe nëse është e nevojshme, qartësohet me ekzaminime të tjera plotësuese, si kolposkopia ose biopsia.
Pap-testi është një ekzaminim gjinekologjik.
A nevojitet ndonjë përgatitje paraprake për Pap-testin?
Ky ekzaminim mund të kryhet pa asnjë përgatitje paraprake.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Përpara kryerjes së Pap-testit nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë.
Si realizohet Pap-testi?
Ekzaminimi zhvillohet në poltronin gjinekologjik dhe zgjat vetëm disa minuta. Gjatë ekzaminimit, me një pasqyrë vaginale (spekulum), me një spatul dhe një furçë gjinekologjike merret kampion qelizor nga sipërfaqja e qafës së mitrës dhe kanali i qafës së mitrës. Kampioni vendoset në një pjatë të vogël xhami dhe dërgohet në laborator për ekzaminim të mëtejshëm. Atje, ai ngjyroset dhe ekzaminohet në mikroskop për ndryshime të mundshme të qelizave.
Ekzistojnë pesë tipe të rezultatit të PAP-testit, me nëngrupe të tjera të ndërmjetme:
- Normal
- Lehtësisht inflamator, pa dyshim për kancer
- I paqartë ose i dyshimtë për kancer
- Fazë prekanceroze (displazia)
- Kancer
Ky klasifikim përcakton ekzaminimet ose trajtimet që do të vendosen në vijim nga mjeku.
Kur kryhet Pap-testi?
Ky ekzaminim përdoret për parandalimin e kancerit tek femrat, për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, dhe për kontrollin e trajtimit pas biopsisë dhe heqjes me rrugë kirurgjikale të një zone të dyshimtë për kancer në biopsinë konike (konizimin).
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara Pap-testi?
Pap-testi është një ekzaminim i padhimbshëm dhe i parrezikshëm.