logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ekzaminimi histologjik: vleresimi mikroskopik i indeve trupore.
Ekzaminimi histologjik: vleresimi mikroskopik i indeve trupore.

Çfarë është ekzaminimi histologjik?

Gjatë ekzaminimit histologjik, mostrat e indeve vëzhgohen në mikroskop, për të zbuluar ndryshime të mundshme patologjike të tyre. Kjo mundëson evidentimin e pranisë së një inflamacioni ose të një tumori. Ekzaminimi histologjik është veçanërisht i rëndësishëm në fushën e Onkologjisë, sepse bën dallimin ndërmjet tumoreve beninje dhe malinje, si dhe përcakton shkallën e malinjitetit të tyre. Përveç kësaj, nëpërmjet ekzaminimit histologjik është e mundur të vlerësohet nëse një tumor është hequr tërësisht ose jo. Shumica e mostrave të indeve për ekzaminimet histologjike vijnë nga biopsitë dhe punksionet, ose janë materiale indore të marra gjatë operacionit. Ekzaminimi histologjik është thelbësor për të siguruar diagnozën e shumë sëmundjeve.

Ekzaminimi histologjik përfshin edhe shumë metoda të tjera moderne vlerësuese, si imunologjia ose biologjia molekulare. Imunohistologjia, për shembull, arrin të shqyrtojë edhe më saktë karakteristikat e qelizave tumorale, në mënyrë që të jetë në gjendje të ofrojë një trajtim edhe më të shënjestruar. Biologjia molekulare përdoret për diagnozën e veçantë të infeksioneve, ose zbulimin e modifikimeve të materialit gjenetik.

Ekzaminimi histologjik i takon fushës së Patologjisë.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?

Mostrat e indit duhet të dërgohen në laborator dhe të përgatiten në mënyrën përkatëse për vëzhgimin mikroskopik.

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit histologjik?

Specialisti përgjegjës për ekzaminimet histologjike, që është mjeku Patolog, merr, me kërkesën e analizës, informacionin e nevojshëm për ekzaminimin histologjik nga ana e mjekut të familjes. Shembull: biopsia e stomakut, kërkesa: përcaktimi nëse është sëmundje beninje apo kancer i stomakut.

Si kryhet ekzaminimi histologjik?

Mostra e indeve duhet të përgatitet në laborator për ekzaminimin histologjik, proçes që kërkon kohën e vet. Kështu, disa ditë janë zakonisht të nevojshme para se të merret rezultati.

Fazat kryesore të ekzaminimit histologjik:

  • Për materialet indore me volum më të madh, hiqet një pjesë e përshtatshme e indit.
  • Bëhet dehidratimi në një automat, zakonisht gjatë natës.
  • Kryhet fiksimi i formaldehidit dhe përfshirja e mostrës së indeve në parafinë të lëngët.
  • Marrja e seksioneve të holla të parafinës, që aplikohen në lama qelqi.
  • Ngjyrosja (duke përdorur teknika të ndryshme të ngjyrosjes, llojet e indeve dhe qelizave mund të dallohen dhe të vlerësohen më lehtë)
  • Ekzaminimi me mikroskop i seksioneve të përfunduara dhe interpretimi nga Patologu. 

Për disa operacione, nevojitet ekzaminim histologjik i përshpejtuar, në mënyrë që kirurgu të mund të vendosë për shtrirjen e ndërhyrjes kirurgjikale. Për këtë qëllim, përdoret i ashtuquajturi ekzaminim i jashtëm ose i ngrirë (ex-tempora). Në dallim nga proçedura konvencionale, mostra e indeve thjesht ngrihet duke ulur në mënyrë drastike temperaturën, dhe nga mostrat e ngrira përgatiten pjesët e holla të indeve, të ngjyrosura posaçërisht. Këto të fundit ekzaminohen menjëherë nën një mikroskop, nga ku rezultati merret brenda 15 minutave dhe i komunikohet kirurgut me telefon në sallën e operacionit. Shembull: Tek një grua, hiqet një masë (nodus) nga gjoksi. Kirurgu heq nodusin dhe e dërgon menjëherë për një ekzaminim histologjik. Nëse është një tumor i mirë (beninj), kirurgu mund ta përfundojë operacionin pa veprime të mëtejshme dhe t’i komunikojë lajmin e mirë gruas pas zgjimit. Nëse, megjithatë, është një tumor malinj, kirurgu mund të vazhdojë proçedurën në përputhje me rrethanat (heqja e nyjeve limfatike të sqetullave, etj.).

Kur përdoret ekzaminimi histologjik?

Ekzaminimet histologjike kryhen në pothuajse të gjitha disiplinat mjekësore. Në parim, gjithçka që heq një kirurg, gjinekolog, urolog, dermatolog, mjek ORL, etj. duhet t'i nënshtrohet ekzaminimit histologjik.

A paraqet ekzaminimi histologjik rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim përfshin rreziqe të mundshme, të lidhura vetëm me proçesin e mbledhjes së mostrave indore (punksioni, biopsia, rreziku i lidhur me operacionin/anestezinë).


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...