logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Fibroma: tumor beninj i indit lidhor.
Fibroma: tumor beninj i indit lidhor.

Fibroma është një tumor beninj, që zhvillohet në indin lidhor dhe që mund të prekë të gjitha organet. Më shpesh ajo ka një formë të rrumbullakët, si sferë, me rritje të ngadaltë. Nëse zhvillohen njëherësh disa fibroma, flitet për fibromatozë.

Fibromat që vendosen në brendësi të organizmit zbulohen shpesh rastësisht dhe janë pa pasoja. Lidhur me fibromat e lëkurës, dallohen ato të  buta (si lavjerrës) dhe fibromat e forta. Në të dyja këto forma, bëhet fjalë përgjithësisht për një tumor të vogël beninj me ngjyrë rozë. Fibroma e butë është gjithmonë e padhimbshme. Zonat e lëkurës që preken më shpesh janë sqetullat, qafa dhe beli. Fibromat e forta janë kokrra me ngjyrë kafe, që mund të jenë të dhimbshme.

Shkaqet që çojnë në formimin e fibromave janë ende të panjohura. Shfaqja e fibromave të forta mund të favorizohet nga dëmtime të vogla të lëkurës (si pickimi nga insektet).

Fibroma paraqitet si:

  • Fibroma e butë: Kokërr e butë, me ngjyrë rozë , me pedunkul (kërcell ku varet) ose jo, e padhimbshme, që shfaqet në sipërfaqen e lëkurës.
  • Fibroma e fortë: Kokërr e fortë, me ngjyrë kafe, shpesh e dhimbshme në shtypje.
Fibroma mund të diagnostikohet përgjithësisht nëpërmjet një egzaminimi të imtësishëm me sy të lirë dhe nëpërmjet palpimit (prekjes) së kokrrës nga mjeku specialist dermatolog, pa egzaminime shtesë. Nëse fibroma hiqet nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale, indi i hequr duhet t’i nënshtrohet biopsisë (egzaminimit histologjik), për të konfirmuar natyrën e tij beninje (të parrezikshme).
Fibromat hiqen me rrugë kirurgjikale.
Fibromat hiqen me rrugë kirurgjikale.
Në përgjithësi, jo çdo fibromë duhet domosdoshmërisht të trajtohet. Por, nëse prania e saj shkakton probleme të tipit estetik, mjeku mund ta heqë fibromën e butë me pedunkul nëpërmjet gërshërëve, pa anestezi. Në përgjithësi, fibromat e forta, të dhimbshme ose që gjakosin, hiqen nën efektin e  anestezisë lokale. Për siguri maksimale, indi i hequr duhet t’i nënshtrohet biopsisë në çdo rast.
Fibromat janë tumore beninje, që nuk shndërrohen në forma malinje. Në rast se ato janë të dhimbshme ose gjakosin, duhet të hiqen me rrugë kirurgjikale.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.