Bazalioma (Kanceri i lëkurës së bardhë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Bazalioma bën pjesë tek tumoret malinje të lëkurës. Në rast se nuk trajtohet, ajo rritet, duke u përhapur në organet fqinje dhe duke i shkatërruar ato. Bazalioma emërtohet e tillë prej qelizave bazale, që vendosen në nivelin e shtresës së brendshme të lëkurës, nga ku ajo e merr origjinën.

Shkaqet e bazaliomës janë:
- Ngjyra e hapur e lëkurës, flokëve dhe syve.
- Djegia e lëkurës nga dielli në periudhën e fëmijërisë ose të rinisë.
- Pika të shumta në lëkurë (quka).
- Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultraviolet (UV).
- Numri i nishaneve mbi 50 ose prania e nishaneve me diametër mbi 5 mm.
- Prania e njollave të mëdha në lëkurë, me forma, përmasa dhe ngjyra të ndryshueshme.
Simptomat e bazaliomes karakterizohen nga prania e elementeve të mëposhtme në zonën e fytyrës dhe veshëve, më rrallë në zonën e trungut.
- Stadi fillestar: pikë e vogël e rrumbullakët, transparente, që ka ngjyrën e lëkurës, e përshkuar nga enë të vogla të gjakut.
- Stadi i avancuar: tumori përparon drejt shtresës së brendshme të lëkurës, duke marrë pamjen e ulçerës (gërryerjes). Zona e dëmtuar e lëkurës ka shpesh sipërfaqe të lëmuar, të mbuluar nga kore të gjakosura, që shërohen me vështirësi.
- Dëmtime të tipit ekzematoz, me ngjyrë të kuqërremtë.

Diagnoza e bazaliomës vendoset nga konsultimi me një mjek specialist dermatolog, ekzaminimi trupor i pacientit prej tij, si dhe marrja e një kampioni indor për ekzaminim histologjik.

Ndërhyrja kirurgjikale
Konsiston në heqjen kirurgjikale të tumorit, bashkë me një pjesë të konsiderueshme të indit të shëndoshë përreth tij.
Në varësi të lokalizimit dhe madhësisë së tumorit, shpesh kjo proçedurë kryhet nën anestezi lokale, nëse tumori hiqet në një stad jo shumë të avancuar. Masa indore e hequr i nënshtrohet biopsisë për konfirmimin e diagnozës.
Në rast se gjatë operacionit të parë nuk është e mundur të hiqet masa e duhur e indit të shëndoshë përreth tumorit, për shkak të një përhapjeje të madhe të qelizave kanceroze, kjo mund të realizohet në një operacion të dytë, më të gjerë.
Në këtë rast, kufijtë e plagës nuk mbyllen pas ndërhyrjes së parë, në mënyrë që të evitohet rihapja e tyre gjatë një operacioni të dytë.
Në rast se realizohet heqja e tumorit bashkë me një pjesë të konsiderueshme të indit të shëndoshë përreth tij, ecuria është përgjithësisht e mirë dhe mundësitë e shërimit janë të mëdha. Gjithsesi, tumori mund të rishfaqet, në të njëjtën zonë ose në zona të tjera të lëkurës. Në raste tepër të rralla, tumori përhapet në organet e largëta, pra lëshon metastaza në distancë.

Hija është mbrojtja më e mirë kundrejt rrezeve ultravjollcë të diellit.
Mbrojtja e përhershme e lëkurës sigurohet nëpërmjet veshjeve dhe kremrave mbrojtës kundër diellit. Studimet kanë treguar se veshjet nuk realizojnë mbrojtje 100% në këtë drejtim. Për këtë arsye, rekomandohet lyerja me krem edhe nëse jemi të veshur.
Në rastet e dyshimta për bazaliomë, rekomandohet konsultimi sa më shpejt me një mjek dermatolog, për konfirmimin ose përjashtimin e diagnozës së kancerit të lëkurës dhe fillimin e menjëhershëm të trajtimit (në rast se konfirmohet), me kontrolle të rregullta në vazhdim.