Kolposkopia (Ekzaminimi i qafës së mitrës dhe vaginës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është kolposkopia?
Kolposkopia ështe një ekzaminim i organeve seksuale të femrës, gjatë të cilit evidentohet pjesa e brendshme e vaginës dhe qafës së mitrës me një lloj mikroskopi që quhet kolposkop. Me anë të kësaj metode shihen në mënyrë më të qartë ndryshimet patologjike, si dhe mundësohet marrja e materialit (mostrës) nga indet e brendshme për kryerjen e biopsisë, nëse eshte e nevojshme. Kolposkopia është një ekzaminim i fushës së Gjinekologjisë.
A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë kolposkopia?
Kolposkopia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Përpara kolposkopisë nuk është i nevojshëm ndonjë sqarim i veçantë.
Si realizohet kolposkopia?
Ekzaminimi kryhet në poltronin gjinekologjik. Në vaginë futet një spekulum me shumë kujdes, që të mos shkaktojë dhimbje. Më pas futet kolposkopi, i cili me anë të zmadhimit të indeve, mundëson pamje tepër të qarta të pjesës së brendshme të vaginës dhe qafës së mitrës. Mbi sipërfaqen e qafës së mitrës aplikohet acid acetik, me qëllim që të bëjë më të dukshme ndryshimet patologjike në mukozë, si dhe vatra të mundshme parakanceroze. Më pas në qafën e mitrës aplikohet jod, në mënyrë që qelizat e shëndetshme të ngjyrosen fort ndërsa ato të sëmura të mbeten të qarta. Në rastet e një rezultati jonormal të kolposkopisë, vazhdohet me marrjen e materialit të biopsisë dhe pastaj me ekzaminimin mikroskopik në laborator.
Meqenëse qafa e mitrës është pothuajse e pandjeshme ndaj dhimbjes, nuk nevojitet mpirje lokale për marrjen e biopsisë.
Kur përdoret kolposkopia?
Kolposkopia përdoret për të identifikur sëmundjet e qafës së mitrës dhe për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara kolposkopia?
Ky lloj ekzaminimi bart shumë pak rrezik. Disa paciente e konsiderojnë kolposkopinë një proçedurë të pakëndshme. Në raste shumë të rralla mund të ketë gjakderdhje, sidomos kur merret material nga indet apo prej infeksioneve të mëvonshme. Nëse është marrë material për biopsi, pacientja ndalohet të kryejë marrëdhënie seksuale apo të bëjë banjë të të gjithë trupit për 2 ditë pas kolposkopisë.