Hemorroidet (Hemorroides)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Hemorroidet janë zgjerime të arterieve dhe venave, që vendosen nën mukozën e rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë), pranë anusit (vrimës së jashtëqitjes).
Flitet për hemorroide kur madhësia e këtyre zgjerimeve rritet shumë gjatë sforcimit për të jashtëqitur në rastet e kapsllëkut të shprehur. Kjo shoqërohet me shfaqjen e simptomave.
Në stadin fillestar, hemorroidet paraqiten në formën e kokrrave (nodujve) të zmadhuara në kanalin anal; në këtë fazë këto kokrra nuk janë as të dukshme dhe as të prekshme me dorë. Me përparimin e sëmundjes, ato mund të dalin përkohësisht jashtë anusit, duke u rikthyer përsëri në pozicionin e tyre fillestar.
Në një stad më të avancuar, nevojitet përdorimi i gishtave për t`i kthyer ato brenda kanalit anal, por ndonjëherë as kjo nuk ndihmon. Për pasojë kokrrat mbeten në pjesën e jashtme të anusit.
Gradualisht, me përparimin e mëtejshëm të sëmundjes, ato nuk mbeten më bosh në brendësi, por mbushen me gjak.
Shkaqet e hemorroideve janë të shumta, por jo plotësisht të qarta. Gjithsesi, njihen disa faktorë që ndikojnë direkt në shfaqjen e tyre. Ndër ta, mund të përmendim:
- Kapsllëku kronik, i shkaktuar nga ushqyerja e varfër në fibra.
- Sforcimi gjatë jashtëqitjes, me shtrëngime të forta për të nxjerrë feçet.
- Mbipesha trupore dhe jeta sedentare
- Dobësia e indit lidhor, e lindur ose e fituar
- Shtatzania
- Përdorimi i vazhdueshëm i medikamenteve me efekt laksativ (që nxisin jashtëqitjen)
Përveç dhimbjes, një tjetër simptomë e rëndësishme dhe mjaft problematike është kruajtja. Ajo është e dhimbshme, shpeshherë shkakton hemorragji në zonën anale, që janë të lehta dhe me gjak të pastër (të kuq), të cilat i trembin pacientët. Në raste të tilla, mund të bëhet fjalë për një fisurë të mukozës anale.
Nëse ngjyra e gjakut është e errët, origjina e hemorragjisë duhet kërkuar në nivele më të sipërme të aparatit tretës.
Gjithsesi, të dy tipet e hemorragjisë (të përshkruara më sipër), kanë nevojë për konsultim me mjekun specialist proktolog, pasi ato mund të jenë shenjë e një sëmundjeje të rëndë.
Në rastin e hemorroideve shumë të zhvilluara, zgjerimi i enëve të gjakut është i tillë që ushtron një presion të vazhdueshëm mbi kanalin anal. Kjo reflektohet me nevojën urgjente të pacientit për të jashtëqitur. Për këtë arsye, shumë pacientë janë të bindur që vuajnë nga kapsllëku, duke shtuar sforcimin gjatë shtrëngimit për të jashtëqitur, si dhe duke përdorur më shumë medikamente laksative (që nxisin jashtëqitjen).
Në disa raste, sfinkteri anal (valvula e vrimës së jashtëqitjes) nuk mbyllet plotësisht, duke shkaktuar pamundësi për të kontrrolluar jashtëqitjen (inkontinencë fekale) gjatë kollitjes ose teshtitjes së fortë.

Për diagnostikimin e hemorroideve, është e nevojshme:
- Njohja e mjekut me historinë e fillimit të sëmundjes dhe shenjat që paraqet pacienti në momentin e konsultimit
- Egzaminimi fizik me rektoskopi (skopinë e rektumit), për të përjashtuar shkaqe të tjera të mundshme të hemorroideve

Trajtimi i hemorroideve përfshin:
- Medikamentet (pomada, suposte), që ndikojnë mbi simptomat, duke shfaqur veprim anti-inflamator (kundër inflamacionit) ose antialgjik (kundër dhimbjes).
Këshilla: rekomandohet përdorimi i medikamenteve me veprim lokal. Për këtë përdoren supostet, që duhet të futen dhe të qëndrojnë në anus (në vrimën e jashtëqitjes). Pomadat aplikohen për lyerje të anusit, duke shtypur tubin e tyre në momentin që kontakton me anusin. - Sklerotizimi: medikamentet që injektohen disa herë në hemorroide mund të shkaktojnë irritim të mukozës me fibrozë dhe ngushtim të enëve të gjakut.
- Ligatura elastike: ena e gjakut e zgjeruar lidhet në bazën e saj. Pas disa ditësh, indi nekrotizohet (vdes) dhe eleminohet njeherësh me unazën elastike.
- Operacioni: heqja me rrugë kirurgjikale rekomandohet në rastet me hemorroide në stade mjaft të avancuara.
Për personat me hemorroide, si dhe për parandalimin e shfaqjes së tyre rekomandohet:
- Ushqyerje e ekuilibruar
- Konsumi i ushqimeve të pasura në fibra, siç është buka e zezë, dhe lëngje në sasi të mëdha.
- Higjienë e mirë anale (e vrimës së jashtëqitjes)
- Ushtrime fizike të tilla si: noti, ecja, joga, gjimnastika e bazës së legenit.
- Nuk duhet të kryhen sforcime të mëdha gjatë jashtëqitjes. Ky proçes duhet të zhvillohet ngadalë dhe pa u shtrënguar fort.