logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Morrat: të përhapura dhe nuk kanë asnjë lidhje me mangësitë e higjenës.
Morrat: të përhapura dhe nuk kanë asnjë lidhje me mangësitë e higjenës.

Infeksionet e transmetuara nga morrat prekin gjithmonë njerëzit. Njihen tre lloje morrash:

  • Morri i kokës (pediculus humanus capitis)
  • Morpioni (phthirus pubis)
  • Morri i trupit (pediculus humanus corporis)

Morrat e kokës janë tepër të përhapur. Ata janë parazitë të njeriut që nuk transmetohen nga kafshët. Morrat bëjnë pjesë në familjen e insekteve. Ata vendosen në zonat me qime të trupit dhe ushqehen nga gjaku i personit që i bart. Morrat përshtaten me ngjyrën e flokëve të bartësit, që i bën mjaft të vështirë për t’u dalluar. Vezët e tyre gjenden rreth gjysëm centimetri nga rrënja e flokut, ku janë të fiksuara. Larvat shfaqen vetëm pas një jave. Jetëgjatësia e një morri është mesatarisht 30 ditë. Kontigjenti më i rrezikuar për t’u infektuar prej tyre është ai i fëmijëve që shkojnë në kopshte dhe shkolla, ku edhe mundësitë e kontaktit me fëmijë të tjerë janë të mëdha. Në fakt, vezët e bardha, që janë të fiksuara në më tepër se 1 cm nga lëkura e kokës, nuk janë më ngjitëse, veçanërisht nëse personi bartës i morrave i është nënshtruar trajtimit specifik për to.

Morpionet janë më të vogla se morrat e kokës dhe vendosen kryesisht në qimet e trasha, si ato të zonës gjenitale, të gjoksit, të sqetullës, si dhe tek vetullat dhe qerpikët.

Infektimi nga morrat (pedikuloza) është një sëmundje me deklarim të detyrueshëm, sipas ligjit të mbrojtjes kundër infeksioneve.

 

Morrat: transmetimi nga kontakti i trupit.
Morrat: transmetimi nga kontakti i trupit.

Kujdes: ndryshe nga mentaliteti egzistues në popullatë, sipas të cilit prania e morrave është tregues i një higjiene të dobët, këto insekte jetojnë përgjithësisht në qime dhe flokë të pastër. Ndërkohë që, rreziku i infektimit prej tyre rritet shumë prej higjienës së dobët.

Transmetimi i tyre kryhet nëpërmjet kontaktit të ngushtë trupor (kontaktit të flokëve dhe/ose qimeve). Morrat mund të transmetohen edhe në mënyrë indirekte, nga objektet që kanë qënë në kontakt me flokët e infektuar (kapëse, karfica, këllëfi i jastëkut, çarçafët, kapelet, kapuçët e xhupave, etj).

Morpionet mund të transmetohen edhe nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.

Morrat në flokë ose në trup.
Morrat në flokë ose në trup.

Në rastin e morrit të kokës:

Pas kontaktit të parë me morrat, personi shfaq të kruajtura dhe gudulisje në nivelin e lëkurës së kokës, për rreth 4-6 javë. Pickimet e morrave të kokës  (afërsisht çdo 2-3 orë) dhe më saktësisht enzimat e pështymës së tyre provokojnë kruarje të forta, që pasohen nga shfaqja e skuqjeve dhe flluckave në lëkurën e kokës. Zonat më të favorshme për vendosjen e tyre janë: prapa veshëve dhe në nivelin e zverkut dhe të qafës.

Në rastin e pranisë së morrave të kokës në sasi të madhe, flokët mund të ngjiten njëri me tjetrin dhe mund të shfaqet ekzema. Kruarja e vazhdueshme e lëkurës së kokës favorizon fiksimin në të të bakterieve, duke shkaktuar infeksione shoqëruese të natyrës bakteriale. Ndonjëherë mund të konstatohet edhe zmadhim i gjendrave limfatike. Ndryshe nga morrat e trupit, ato të kokës nuk janë agjentë trasmetues të infeksioneve.

Në rastin e morpionit:

Tek bartësi provokohen të kruajtura të forta. Në vendet e pickimit prej tyre mund të formohen hematoma (skuqje të lëkurës) të vogla.

Morrat: mund të shihen me sy.
Morrat: mund të shihen me sy.

Personi me simptomat e mëposhtme duhet të konsultohet me mjekun specialist dermatolog, i cili:

  • Duhet të informohet lidhur me simptomat e pacientit.
  • Të egzaminojë flokët dhe të evidentojë pikat e vogla të pickimit mbi lëkurën e kokës. Për këtë qëllim përdoret një xham zmadhues (lupë) ose një krehër I posaçëm me dhëmbë të dëndur. Vezët janë më të dukshme sesa morrat vetë.
  • Krehëri me dhëmbë të dendur këshillohet të përdoret pas larjes së flokëve, pasi arrin të rrëzojë morrat më lehtë nga fijet e lagura.
Morrat: prerja radikale e flokëve zakonisht nuk është e nevojshme.
Morrat: prerja radikale e flokëve zakonisht nuk është e nevojshme.

Trajtimi duhet të fillohet menjëherë pas konstatimit të pranisë së morrave.  Është e detyrueshme të informohen personat dhe institucionet që kanë qënë në kontakt me pacientin. Për të evituar përhapjen, këta persona duhet t’i nënshtrohen kontrollit dhe trajtimit specifik.

Është mjaft e rëndësishme që prindërit e fëmijëve që shkojnë në kopshte ose në shkolla të informohen lidhur me parandalimin dhe  trajtimin korrekt të fëmijëve të tyre.  

Trajtimi me shampo dhe solucione që eleminojnë insektet

Në rastet e diagnostikimit nga mjeku dermatolog, ose edhe vetëm të konstatimit nga vetë personi ose të afërm të tij të pranisë së morrave, duhet të fillohet trajtimi nëpërmjet shampove dhe solucioneve që i eleminojnë ato (insecticide).Kujdes: Këto produkte nuk duhet të përdoren për efekt parandalues, sepse egziston mundësia që të shfaqet rezistencë kundrejt efektit të tyre mbi morrat. Ky është një problem i shfaqur tashmë në shumë shtete. 

Sipas përshkrimit në fletën shoqëruese të këtyre produkteve, ato duhet të aplikohen disa herë, derisa të japin efektin e plotë. Është thelbësore të bëhet kontrolli i kujdesshëm me anën e një krehëri me dhëmbë të dendur. Kujdes: goja dhe hunda nuk duhet të kontaktojnë me produktet e mësipërme, sepse ato irritojnë mukozat (pjesën e brendshme) e tyre.

Përveç këtyre produkteve, tregtohen edhe lloje të tjera (joinsekticide), që nuk i eleminojnë morrat, por i mbulojnë dhe i mbysin ato. Trajtimi me to zgjat një javë, por  në rastet problematike duhet të vazhdohet për disa javë.

Në rastin e prekjes nga morrat e kokës, rekomandohet krehja e rregullt e flokëve të lagura. Por nëse ato janë të lokalizuar në ndonjë pjesë tjetër të trupit, është i nevojshëm trajtimi me produktet e mësipërme.
Kujdes: duhet treguar kujdes i veçantë gjatë përdorimit të tyre tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Meqenëse këto produkte rrezikojnë të depërtojnë në organizëm, trajtimi i tyre rekomandohet të kryhet në kushte spitalore.

Efekti i ajrit të nxehtë kundër morrave të kokës

Ekspozimi ndaj ajrit të nxehtë (të paktën 45°) gjatë një ore duket të jetë një metodë efikase, e thjeshtë dhe e besueshme për eleminimin e morrave të kokës. Gjithashtu, kjo metodë ka përparësinë se nuk krijon rezistencë. Kohët e fundit, studime të përqëndruara në këtë fenomen kanë konstatuar  se  një javë pas këtij trajtimi nuk është evidentuar asnjë morr dhe nuk është shfaqur asnjë efekt i padëshiruar tek pacienti. Megjithatë, studiues të tjerë mendojnë se kjo metodë trajtimi mund të shkaktojë tharje të flokëve dhe djegie të lëkurës së kokës.


 

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Metoda "sa më shumë flokë, aq më shumë morra", që konsiston në prerjen e flokëve, konsiderohet tepër ekstreme dhe e panevojshme.

Larja e flokëve duhet të bëhet me ujë dhe uthull, dhe krehja me anën e krehërit të posaçëm me dhëmbë të dendura, që heq si morrat, ashtu edhe vezët e tyre. Veshjet, çarçafët dhe peshqirët e përdorur nga personi që është bartës i morrave, duhet të lahen në tëmperatura të larta, mbi 50 gradë, duke përdorur edhe produkte të posaçme dezinfektuese. Duhet të trajtohen të gjithë pjesëtarët e familjes. Në rast se në lëkurën e kokës konstatohen plagë të hapura, me kore ose fllucka, rasti duhet të konsultohet nga një mjek dermatolog.

Morrat pubikë: mbrojnë prezervativët.
Morrat pubikë: mbrojnë prezervativët.

Kur konstatohet prania e morrave tek një person, është e detyrueshme të njoftohet kopshti i fëmijës, shkolla dhe miqtë e afërm, pasi kjo është e vetmja mënyrë që pengon përhapjen e tyre. Në të gjitha rastet, nuk ka arsye pse personi apo familjarët e tij të kenë ndjesinë e turpit për praninë e morrave, pasi burimi i tyre nuk dihet asnjëherë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...