logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ekzaminimi fungal: identifikimi i kërpudhave patogjene
Ekzaminimi fungal: identifikimi i kërpudhave patogjene

Çfarë është kultura e kërpudhave?

Një kulturë kërpudhore përdoret për të identifikuar një infeksion nga kërpudhat dhe për të identifikuar me saktësi kërpudhat patogjene përgjegjëse. Për këtë, merren nga pacienti mostrat (indet ose sekrecionet) që përmbajnë kërpudhat e dyshuara. Mostra të tilla janë për shembull zbokthi, flokët, mostrat e thonjve, pështyma, gëlbaza, mostrat e jashtëqitjeve, mostrat e urinës ose të rrugëve gjenitale. Ato kultivohen në laborator, në mjedise të veçanta, për të përcaktuar speciet e sakta të kërpudhave. Kultura kërpudhore siguron informacion thelbësor në lidhje me burimet e mundshme të infeksionit dhe efektivitetin e barnave të ndryshme.

Ajo është një ekzaminim i Mikrobiologjisë dhe Infektologjisë, një degë e Mjekësisë së brendshme.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?

Një kulturë kërpudhore mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë. E rëndësishme është që mbledhja e mostrave të kryhet në mnënyrë korrekte. Nëse pacienti ka marrë paraprakisht medikamente kundër mykut, marrja e kulturës duhet të bëhet së paku 14 ditë pas përfundimit të medikamenteve.

Çfarë duhet të sqarohet para këtij ekzaminimi?

Asnjë element i veçantë nuk duhet sqaruar para kulturës së kërpudhave.

Si realizohet një kulturë e kërpudhave?

Materialet e marra për kulturë janë më shpesh zbokthi, flokët ose thonjtë, materiale nga zona gjenitale ose oro-faringu (goja dhe fyti), ose janë lëngje trupore (sekrecione) të tilla si gjaku, pështyma, gëlbaza, urina, jashtëqitjet, sekrecionet vaginale ose lëngu truno-shpinor. Në laborator, mostra fillimisht shikohet direkt nën një mikroskop. Për ta realizuar këtë, ngjyroset më parë me një ngjyrë specifike për të njohur më mirë elementë të caktuar të kërpudhave ose lloje të kërpudhave. Pastaj, zhvillohet kultivimi, që kryhet në kushte aseptike (sterile) me qëllim që të shmanget kontaminimi nga sporet e kërpudhave të pranishme në ajër, rritja e të cilave është shumë e shpejtë dhe që mund të pengojë fuqimisht diagnozën laboratorike. Mostrat e ngurta, si mostrat e flokëve ose të thonjve ruhen në temperaturë dhome në mjedis special për 2-3 javë. Sekrecionet e trupit inkubohen për 2 deri në 3 ditë në 37° C (temperatura e trupit) pastaj transferohen në mjedise të përshtatshme kulturore dhe ruhen përsëri në temperaturën e trupit. Pas kësaj, kulturat analizohen nën një mikroskop. Llojet e ndryshme të kërpudhave dallohen nga pamja e tyre karakteristike, lloji i tyre i rritjes, si dhe nga formimi i sporoforeve seksuale dhe joseksuale.

Kur përdoret një kulturë e kërpudhave?

Një kulturë e kërpudhave përdoret për të identifikuar një infeksion kërpudhor, për të përcaktuar speciet e kërpudhave dhe për të identifikuar me saktësi kërpudhat patogjene përgjegjëse. Ekzistojnë tri grupe të tyre, ku çdo grup përmban lloje të ndryshme. Më të shpeshta janë infeksionet kërpudhore në sipërfaqen e trupit, dmth. në lëkurë, në flokë, në thonj ose në mukoza. Të rralla janë infeksionet që përhapen brenda trupit nëpërmjet gjakut dhe prekin një ose më shumë organe të brendshme (të ashtuquajturat "infeksione kërpudhore sistemike").

Arsyet e zakonshme për një kulturë kërpudhore janë:

A paraqet kultura kërpudhore ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm, pra nuk paraqet asnjë rrezik apo efekt të dëmshëm për pacientin.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.