logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Këmba e atletit: infeksion mykotik midis gishtërinjve të këmbës.
Këmba e atletit: infeksion mykotik midis gishtërinjve të këmbës.

Mykoza e këmbës shkaktohet nga kërpudhat, ku më e shpeshta është trichophyton rubrum, që bën pjesë tek kërpudhat e fijëzuara (filamentoze).Në Evropë, rreth 15-30% e popullatës vuajnë nga mykoza e këmbëve në një moment të caktuar të jetës së tyre. Pra, bëhet fjalë për një infeksion relativisht të shpeshtë.

Çdo individ humbet copëza të lëkurës. Nëse këto copëza përmbajnë spore të kërpudhave, këto të fundit mund të transmetohen tek personat e tjerë nëpërmjet kontaktit me diellin. Copëzat bartëse të kërpudhave janë përgjithësisht të pranishme në vendet publike ku njerëzit ecin këmbëzbathur si psh. në pishina, palestra dhe dhoma hotelesh.

Gjithsesi, kërpudhat mund të hyjnë në organizëm edhe me rrugë të tjera, si të gërvishturat, plasaritjet dhe të çarat në lëkurë. Ndër faktorët e tjerë që favorizojnë një mykozë të këmbës mund të përmendim:

  • Këpucët e ngushta, çizmet prej gome, çorapet me material sintetik, që shkaktojnë djersitje të theksuar të këmbëve.
  • Sportistët (sëmundja e këmbës së atletit)
  • Dëmtimet e shtratit të thonjve, që favorizojnë depërtimin e kërpudhave në thonjtë e këmbës, duke shkaktuar në këtë mënyrë mykozën e këmbës.
  • Personat, të cilëve u duhet të përdorin këpucë të papërshkueshme nga uji (punëtorët e kanalizimeve)
  • Personat me diabet të sheqerit
  • Personat me imunitet të ulur
  • Furnizimi i pamjaftueshëm me gjak i gjymtyrëve (problem i enëve të gjakut)

Mykoza e këmbës mund të manifestohet me këto simptoma:

  • Rënie e theksuar e lëkurës (rrjepje) në nivelin e shputës së këmbës, e shoqëruar ndonjëherë me skuqje të lehtë dhe fllucka  të vogla.
  • Të kruajtura
  • Më shpesh infeksioni fillon ndërmjet dy gishtave më të jashtëm, në të cilët ka më tepër lagështirë (nga djersitja) dhe nuk lëvizin prej këpucës ose sandales.
  • Bakteriet mund të depërtojnë me lehtësi në lëkurën e djersitur, pra me lagështirë, duke shkaktuar kështu inflamacione të rënda të lëkurës.

Diagnostikimi i mykozës së këmbës bazohet tek: 

  • Egzaminimi nga mjeku specialist dermatolog i problemeve të shfaqura në sipërfaqen e lëkurës.  
  • Në rastet e dyshimta, diagnoza mund të konfirmohet nëpërmjet ekzaminimit mikroskopik të materialit të marrë nga zonat e infektuara të lëkurës.
  • Identifikimi i tipit të kërpudhës, nëpërmjet mbjelljes së materialit të marrë nga lëkura.

Këmba e atletit: tableta ose pomada kundër mykut.
Këmba e atletit: tableta ose pomada kundër mykut.

Mykoza e këmbëve nuk mund të shërohet pa trajtim. Ky i fundit konsiston në përdorimin e medikamenteve antimykotike (kundër mykut) me veprim lokal, në formën e kremit ose të sprait. Në forma më të avancuara të sëmundjes, mund të jetë i nevojshëm edhe trajtimi me tableta. 

Këmba e atletit: tharja e mirë e hapësirave midis gishtave të këmbëve.
Këmba e atletit: tharja e mirë e hapësirave midis gishtave të këmbëve.

Për të parandaluar shfaqjen e mykozës së këmbëve, duhet të respektohen rregullat e mëposhtme:

  • Këmbët duhet të thahen plotësisht përpara se të vishen çorapet ose këpucët.
    Kujdes i madh duhet treguar në fshirjen e hapësirave midis gishtave, pasi aty është zona më e predispozuar për vendosjen e infeksionit nga myku.
  • Lidhur me llojin e çorapeve, ato duhet të jenë vetëm prej pambuku ose leshi dhe të ndërrohen rregullisht, çdo ditë.
  • Të evitohet përdorimi i këpucëve me material sintetik.
  • Të përdoren këpucë prej lëkurë, që nuk e djersitin këmbën.
  • Rekomandohet përdorimi gjithmonë i sandaleve të banjës në ambiente të tilla, si: banja, sauna, dushet publike, dhomat e hotelit dhe terrene kampingu.
  • Në rastin e mykozave të përsëritura, mund të përdoret një pudër në brendësi të këpucëve, për të parandaluar rishfaqjen e mykut të këmbës.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.