logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Alergjia ndaj helmit të insekteve: më shpesh nga helmet e bletëve ose grerëzave.
Alergjia ndaj helmit të insekteve: më shpesh nga helmet e bletëve ose grerëzave.

Alergjia ndaj helmit të insekteve është një fenomen mjaft i përhapur në popullatë, veçanërisht në stinën e verës. Helmi i insekteve, së bashku me produktet ushqimore dhe medikamentet, përfaqësojnë faktorët shpërthyes më të shpeshtë të një reaksioni alergjik të përgjithshëm, mjaft të rrezikshëm, që njihet si gjendja e shokut alergjik (anafilaktik). Simptomat më të shpeshta të këtij fenomeni janë reaksionet lokale, në vendin e pickimit. Në rreth 1-3 % të rasteve, simptomat janë të rënda, të përgjithshme, karakteristike të një shoku alergjik. Kjo gjendje rrezikon jetën e pacientit.  

Insektet kryesore që shkaktojnë reaksione alergjike tek njerëzit janë grerëzat dhe bletët. Rrallë mund të shkaktohen këto reaksione nga insekte të tjera. Përgjithësisht, insektet nuk pickojnë nëse nuk provokohen më parë. Në momentin e pickimit prej tyre, shfaqja dhe shkalla e reaksionit alergjik varet nga madhësia e insektit dhe numri i tyre, nëse janë shumë. Reaksioni alergjik lokal manifestohet nga skuqja dhe enjtja në vendin e pickimit, që është pasojë e drejtpërdrejtë e futjes së helmit të insektit (thumbit) në atë zonë.

Alergjia ndaj helmit të insekteve: së pari, ënjtje lokale, skuqje, dhimbje.
Alergjia ndaj helmit të insekteve: së pari, ënjtje lokale, skuqje, dhimbje.

Reaksionet alergjike pas pickimit të insekteve mund të jenë të ndryshme. Në përgjithësi, mund të jenë të formës lokale (vetëm në vendin e pickimit) ose të përgjithshme. Reaksionet alergjike lokale mund të jenë të lehta, vetëm me skuqjen e vendit të pickimit nga insekti, ose të rënda.

Reaksionet lokale të rënda

Konsiderohen të tilla nëse shfaqet entje e theksuar dhe e vazhdueshme në vendin e pickimit, me diametër deri në 10 cm, që zgjat për 24 orë. Kjo shoqërohet nga rritja e temperaturës trupore ose inflamacioni (zmadhimi) i gjendrave limfatike, madje edhe nga helmimi i gjakut. Përgjithësisht, reaksioni lokal nuk është i rrezikshëm, përveç rastit kur pickimi i insektit ka ndodhur në zonën e gojës.   

Reaksioni alergjik i përgjithshëm

Në përgjithësi, simptomat e para shfaqen në minutat e para pas pickimit nga insekti. Rrallë mund të ndodhë që simptomat të shfaqen pas më shumë se një ore. Ndër to mund të përmendim: kruarjen, skuqjen e lëkurës, urtikarien (puçrra të kuqe të vogla), enjtjen në fytyrëçrregullimet e tretjes, vështirësinë në frymëmarrje, çrregullimet e qarkullimit të gjakut, deri edhe humbjen e ndërgjegjes. Në format e rënda dhe të patrajtuara menjëherë, mund të ndodhë vdekja e pacientit brenda 30 minutave pas pickimit.

Alergjia ndaj helmit të insekteve: testet e lëkurës me alergene të dyshuar.
Alergjia ndaj helmit të insekteve: testet e lëkurës me alergene të dyshuar.

Diagnoza e alergjisë ndaj helmit të insekteve bazohet fillimisht në informacionin e dhënë nga vetë i sëmuri, familjarët e tij, ose personat që kanë qenë të pranishëm në momentin e pickimit dhe e kanë shoqëruar atë tek mjeku (me ose pa ndjenja). Më pas, diagnoza konfirmohet me kryerjen e testeve të alergjisë, që përfshijnë testimin ndaj helmit tepër të holluar të bletëve dhe grerëzave. Gjithashtu, në këtë drejtim ndihmon edhe evidentimi i antitrupave të alergjisë (IgE) në gjak.

Alergjia ndaj helmit të insekteve: shiringa e urgjencës me adrenalinë.
Alergjia ndaj helmit të insekteve: shiringa e urgjencës me adrenalinë.

Pickimi nga insektet është një faktor i shpeshtë i shpërthimit të situatave alergjike, që mund të rrezikojnë edhe jetën. Për këtë arsye, të gjithë personat që kanë patur në të kaluarën episode të alergjisë së përgjithshme (nga çfarëdolloj faktori shpërthyes), duhet të mbajnë gjithnjë me vete kutinë e urgjencës. Menjëherë pas çdo pickimi nga insektet, ata duhet detyrimisht të marrin medikamentet e urgjencës, në mënyrë që të parandalojnë shfaqjen e reaksionit alergjik.  Nëse edhe pas marrjes së këtyre, reaksioni shfaqet gjithsesi, duhet të kryhet menjëherë  injeksioni i adrenalinës në kofshë. Në personat që shfaqin për herë të parë reaksion alergjik në momentin e pickimit nga insektet, pra nuk njihen si persona alergjikë, trajtimi është i ndryshëm, sipas formës së reaksionit. Kështu:

  • Në rast se reaksioni alergjik është lokal, por i rëndë, menjëherë pas pickimit duhet të merren tabletat antialergjike. Përveç kësaj,personi duhet të ngrihet dhe të freskohet.
    Kujdes: nëse pickimi i insketit ka ndodhur në zonën e gojës, rasti duhet të konsultohet patjetër nga një mjek.  
  • Në rast se reaksioni alergjik është i përgjithshëm, rekomandohet kryerja e proçesit të desensibilizimit, që nënkupton një terapi imunologjike specifike, që realizon uljen e ndjeshmërisë së organizmit ndaj helmit të insektit përkatës.  Ky trajtim është tepër efikas, pasi nëpërmjet tij arrihet të sigurohet mbrojtje ndaj helmit të grerëzave dhe bletëve në mbi 80% të rasteve me alergji prej tyre. Nëse kjo nuk realizohet, mund të shfaqen reaksione alergjike përgjithësisht të rënda. 

Përmbajtja e kutisë së urgjencës

  • Shiringa (pena) e adrenalinës, që mund të injektohet vetë në kofshë.
  • Tableta me veprim të shpejtë kundër alergjisë
  • Tableta që përmbajnë kortizon
  • Fëmijët që peshojnë më pak se 30 kilogramë, duhet të kenë shiringën e adrenalinës me dozë të posaçme për fëmijët (pena për fëmijët), dhe në vend të tabletave rekomandohen medikamente kundër alergjisë që merren me pika ose tableta që treten në ujë.

Alergjia ndaj helmit të insekteve: shmangni kontaktin me insektet.
Alergjia ndaj helmit të insekteve: shmangni kontaktin me insektet.

Insektet janë të pranishme në të gjitha ambientet ku ne qëndrojmë, veçanërisht gjatë stinës së verës. Për këtë arsye, është mjaft e rëndësishme të respektojmë disa këshilla, në mënyrë që të evitohet pickimi prej tyre. Ndër to, mund të përmendim:

  • Nëse ndodheni pranë një insekti, mos kryeni asnjë lëvizje të menjëhershme.
  • Në ambiente të hapura, evitoni konsumin e mishit, ushqimet e ëmbla, birrën ose pijet e ëmbla. Mos pini asnjëherë direct nga shishja ose nga mbajtësja e verës (kana).
  • Duhet të jeni tepër të kujdesshëm gjatë zgjedhjes së frutave ose luleve. Frutat e pjekura shumë tërheqin veçanërisht grerëzat.
  • Mos ecni asnjëherë me këmbë të zbathura në ambiente të jashtme.  
  • Evitoni aromat e theksuara, si ato të parfumeve, kremit të diellit, llakut të flokëve apo solucionit pas rrojes. Insektet tërhiqen edhe nga djersa.
  • Evitoni veshjet e lirshme, sepse insektet mund të ngatërrohen në to.
  • Lidhur me kopshtarinë, rekomandohet përdorimi i dorezave mbrojtëse, veshjeve me mëngë të gjata, pantallonave dhe kapeles.
  • Gjatë ecjes me motor, rekomandohet përdorimi i kaskës mbrojtëse të kokës.
  • Dritaret duhet të pajisen me rrjeta kundër mushkonjave.
  • Foletë e bletëve dhe grerëzave duhet të hiqen nga zjarrfikësit
  • Nuk egziston asnjë ilaç kundër insekteve, që të sigurojë një mbrojtje të besueshme ndaj tyre. Substancat që aplikohen në lëkurë  mund të largojnë vetëm mushkonjat.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.