Otiti i jashtëm (Infeksioni i veshit të jashtëm)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Otiti i jashtëm përfaqëson inflamacionin e veshit të jashtëm, që ndodh kur inflamacioni prek lëkurën dhe kërcin e llapës së veshit. Shkaktarët më të shpeshtë të këtij infeksioni janë bakteriet dhe kërpudhat, por ai mund ta ketë origjinën edhe në reaksione të ndryshme alergjike.
Këto inflamacione mund të provokohen nga bakteriet, viruset ose kërpudhat. Egzistojnë gjithashtu inflamacione jo specifike, që manifestohen me simptoma inflamatore të përgjithshme, të tilla si: skuqje, enjtje dhe dhimbje në zonën e inflamuar.
Në rastet me inflamacione specifike, agjenti patogjen (mikrobi shkaktar) i përcaktuar shkakton një formë inflamacioni të veçantë, specifike për të, siç është shfaqja e fshikëzave në lëkurë në rastin e virusit herpes zoster.
Faktorët e rrezikut të dyshimtë për provokimin e otitit:
- Pastrimi i papërshtatshëm i veshëve me ndihmën e pastruesve prej pambuku
- Ngushtimi i lindur i kanalit të dëgjimit
- Uji i pasur me klor dhe/ose lagështia në vesh pas notit ose pas dushit
- Sëmundja e diabetit të sheqerit
- Sëmundjet e lëkurës (ekzema)
- Sëmundjet alergjike nga aparatet e dëgjimit, sapunët, parfumet, llaku i flokëve ose vathët.
- Sistemi imunitar i dobësuar

Otiti i jashtëm mund të shkaktojë këto simptoma:
- Të kruajtura
- Skuqje
- Dhimbje të forta, veçanërisht gjatë përtypjes
- Enjtje e kanalit të dëgjimit
- Rrjedhje nga veshi
- Ulje e aftësisë së dëgjimit
- Enjtje lokale, që tregon për praninë e një çibani (furunkule) të veshit

Përcaktimi i diagnozës së otitit të jashtëm bazohet tek:
- Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Egzaminimi lokal i veshit, për të vlerësuar praninë e dhimbjes në shtypje, ose dhimbje gjatë tërheqjes së llapës së veshit.
- Egzaminimi i veshit me ndihmën e otoskopit
- Dozimi në gjak i markuesve (treguesve) të inflamacionit
- Analiza e dyllit dhe identifikimi në të i mikrobit shkaktar të infeksionit.

Nuk është i këshillueshëm vetëmjekimi i otitit, me hedhjen e pikave në vesh. Nëse trajtohet mirë, otiti shërohet, përgjithësisht pa ndërlikime, brenda disa ditëve.
Masat mjekësore:
- Aspirimi i sekrecioneve
- Fillimi i terapisë me antibiotikë ose vendosja e e tamponëve të lagur me kortizon
- Në rastet e infeksionit nga myku: përdoren medikamente kundër tij (antimykotikë)
- Në rastet e infeksioneve nga bakteriet: antibiotikë dhe antialgjikë (medikamente kundër dhimbjes)
- Në rast të pranisë së një furunkule (çibani) në vesh: mund të kryhet hapja e saj me anestezi lokale, për të mundësuar rrjedhjen e qelbit.
Nëse otiti i jashtëm nuk trajtohet, inflamacioni mund të përhapet në veshin e mesëm ose, në raste më të rënda, ai mund të prekë kockën. Gjithashtu, mund të formohet edhe abces. Pas fillimit të trajtimit, ndodh që disa otite të shërohen shumë ngadalë, ose të rishfaqen pas shërimit të tyre.
Për të parandaluar inflamacionin e veshit të jashtëm, duhet të evitohet çdo manipulim në kanalin e dëgjimit. Pastrueset e veshëve prej pambuku nuk janë të rekomandueshme, pasi favorizojnë transportin e agjentëve patogjenë (mikrobeve) për në vesh.
Për këtë arsye, për pastrimin e veshëve rekomandohet uji i dushit, me presion të pakët, në mënyrë të tillë që të mos rrezikojë lëndimin e veshit. Është i nevojshëm evitimi i çdo kontakti me alergenë të njohur, si dhe të tregohet kujdes ndaj vathëve dhe pirsing. Personat që përdorin aparate dëgjimi duhet të lajnë rregullisht veshët, sepse këto aparate prodhojnë më shumë dyll.