logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Skizofrenia: Humbja e realitetit dhe deluzione.
Skizofrenia: Humbja e realitetit dhe deluzione.

Skizofrenia është një sëmundje psiqike e rëndë, që shoqërohet nga një humbje e kontaktit me realitetin, gjendja e delirit (iluzioneve) dhe nga çrregullime të proçesit të të menduarit, të folurit dhe të sjelljes. Pacientët janë shpesh të paaftë të bëjnë dallimin ndërmjet realitetit dhe perceptimit të tyre të ngjarjeve.

Sëmundja e skizofrenisë nuk duhet të ngatërrohet me çrregullimin e personalitetit të shumëfishtë, gjatë të cilit pacienti mendon të jetë një ose më shumë persona të tjerë.

Skizofrenia prek në mënyrë të barabartë meshkujt dhe femrat, por tek meshkujt ajo shfaqet në moshë më të re (ndërmjet 20-25 vjeç), krahasuar me femrat, ku shfaqet ndërmjet 25-35 vjeç. Kjo sëmundje është jashtëzakonisht e rrallë tek fëmijët.

 

Shkaqet e vërteta të sëmundjes ende nuk njihen. Faktorët e mëposhtëm konsiderohen të rëndësishëm lidhur me zhvillimin e saj:

  • Predispozita individuale
  • Predispozita familjare
  • Prishja e ekuilibrit të metabolizmit në nivelin e trurit, që përfshin lëndët neurotransmetuese (që përcjellin ngacmimin në qelizat nervore), të cilat janë dopamina dhe glutamati.
  • Ngjarjet e rënda të jetës, që mund të shërbejnë si faktorë shpërthyes të sëmundjes.
  • Faktorët shoqërorë: arsimimi i pamjaftueshëm nuk mund të konsiderohet si shkak, ndërkohë që supozohet se përparimi i sëmundjes ndikohet shumë nga disa faktorë shoqërorë, si modelet e marrëdhënieve dhe komunikimit në gjirin e familjes.
  • Pacientët u përkasin shpesh shtresave të ulëta të shoqërisë dhe janë shpesh beqarë, por kjo mund të jetë edhe pasojë e sëmundjes.

 

Simptomat e skizofrenisë janë të shumta dhe mund të ndryshojnë shumë me kalimin e kohës. Në aspektin klinik, njihen faza akute dhe ajo kronike e skizofrenisë.

Faza akute

Gjatë kësaj faze, pacientët nuk e dinë që janë të sëmurë. Kjo fazë manifestohet nga simptoma pozitive. Termi "pozitiv" do të thotë që personi paraqet simptoma që mungojnë tek një person i shëndetshëm. 

Simptomat pozitive përfshijnë:

  • Gjendja e delirit (iluzioneve), që shpesh është delir i helmimit ose i persekutimit.
  • Haluçinacionet (vegime), më shpesh si perceptime zërash (haluçinacione dëgjimore), më rrallë perceptime figurash (haluçinacione pamore).
  • Çrregullimet motore, me përsëritje të lëvizjeve të njëtrajtshme (duartrokitje,) ose ngadalësim të theksuar të tyre, pacienti nuk flet më (gjendja e stuporit -shtangësisë, mpirjes). Në rastet ekstreme, pacienti merr një pozicion trupor të caktuar, të cilin e ruan për një kohë të gjatë (katalepsia). Nëse përveç katalepsisë, pacienti paraqet edhe temperaturë, situata përbën një urgjencë mjekësore, pasi rrezikohet seriozisht jeta e tij.

Faza kronike

Faza kronike manifestohet me simptoma negative. Termi "negativ" do të thotë që tek këta pacientë nuk janë të pranishëm disa elementë që gjenden në njerëzit e shëndetshëm. Të tilla konsiderohen kufizimet e disa funksioneve psiqike dhe të emotivitetit. 

Simptomat negative janë:

  • Tërheqja shoqërore (sociale)
  • Mungesa e interesit, psh. për aktivitet krijues.
  • Refuzim për të folur
  • Mungesa e emocioneve
  • Shpërfillja e paraqitjes fizike, e mënyrës së të veshurit, etj.

Simptoma të tjera karakteristike të sëmundjes janë:

  • Çrregullime të egos: personaliteti duket i ndarë dhe jo real. Pacienti nuk ndihet më vetvetja, ai e konsideron jetën e tij dhe mjedisin që e rrethon si joreal dhe të huaj.
  • Çrregullimi i të menduarit dhe të folurit. Mendimet janë pa lidhje, të palogjikshme dhe ndërpriten. Fjalët humbasin kuptimin e tyre. Shpesh pacienti ka ndjenjën që njerëzit e tjerë mund të lexojnë mendimet e tij ose të ndikojnë në to. Gjuha mund të bëhet groteske, me shpikje të fjalëve të reja, me përzierje të shumta fjalësh ose krijim fjalish të rreme.
  • Çrregullimet e jetës emocionale: me luhatje të forta të humorit, i cili nuk përshtatet sipas situatave (psh. pacienti gjendet në një situatë të trishtuar dhe qesh). Shpesh shfaqen gjendje depresive dhe të ankthit.
  • Humbja e lidhjes me realitetin (autizmi): pacienti tërhiqet në botën e tij. Ai bëhet indiferent, i painteresuar, i ftohtë, dhe nuk ndihet i afërt me të tjerët.

Skizofrenia shoqërohet shpesh nga sëmundja të tjera psiqike, si depresioni ose varësia ndaj drogave.
Në pacientët me skizofreni shfaqen shpesh kriza të rënda, që shoqërohen me mendime për vetëvrasje. Në të tilla raste pacienti mund të konsiderohet i sigurt vetëm në një klinikë mjekësore psikiatrike.

 

Skizofrenia: biseda me mjekun.
Skizofrenia: biseda me mjekun.

Nuk egziston asnjë test specifik për diagnostikimin e skizofrenisë. Mjeku specialist psikiatër e vendos diagnozën pas një bisede të hollësishme me pacientin dhe familjarët e tij. Vetëm në këtë mënyrë ai mund të evidentojë simptomat tipike të skizofrenisë. Pas kësaj etape, pacienti duhet t’u nënshtrohet disa egzaminimeve shtesë, si ai trupor dhe neurologjik, për përjashtimin e sëmundjeve të tjera, si tumoret e trurit, infeksioni i trurit dhe epilepsia.

 

Skizofrenia: medikamente dhe psikoterapi.
Skizofrenia: medikamente dhe psikoterapi.

Aktualisht, megjithëse skizofrenia mund të trajtohet në mënyrë të përshtatshme, shërimi i saj është i pamundur. Efektiviteti i trajtimit varet kryesisht nga të kuptuarit e sëmundjes nga ana e pacientit dhe familjarët e tij, si dhe nga bashkëpunimi i tij për të pranuar trajtimin. Mohimi i sëmundjes nga ana e pacientit mund të jetë veçanërisht problematike gjatë fazës akute. Nëse pacienti paraqet rrezik për jetën e tij ose të personave të tjerë, ai duhet të qëndrojë në mënyrë të detyrueshme në një institucion psikiatrik të mbyllur. Ky veprim, në kushte të caktuara ligjore, mund ndërmerret kundër vullnetit të tij. 

Trajtimi i skizofrenisë përfshin përdorimin e medikamenteve, psikoterapinë dhe socioterapinë

 

Medikamentet

Medikamentet që rekomandohen në Skizofreni janë:

  • Neuroleptikët, që janë medikamente psikotrope që ndikojnë në përmirësimin e simptomave akute si haluçinacionet, deliret ose çrregullimet e të menduarit. Ato duhet të përdoren për një periudhë të gjatë kohore ose gjatë gjithë jetës, sipas përshkrimit të mjekut. Pa medikamente, rreziku i rishfaqjes së krizave është i madh. Duhet patur kujdes për konstatimin e shfaqjes së efekteve të padëshiruara të tyre, si çrregullimet e lëvizjeve, konvulsionet, axhitimi, etj, në mënyrë që të njoftohet menjëherë mjeku specialist psikiatër.
  • Antidepresantët, përdorimi i të cilëve bëhet i nevojshëm gjatë ecurisë së skizofrenisë, meqenëse shpesh ajo shoqërohet nga depresioni.
  • Medikamentet qetësuese (sedative), që lehtësojnë ankthin gjatë fazës akute të sëmundjes.

 

Masat Psikologjike

  • Psikoterapia bazohet në të kuptuarit e sëmundjes nga ana e pacientit dhe krijimin e perceptimit të tij për të. Shpesh psikoterapia kryhet në grup (terapia në grup).
  • Socioterapia (terapia shoqërore) konsiston në parandalimin e shfaqjes së problemeve të lidhura me sëmundjen në gjirin e familjes, në banesë, në mjedisin profesional të jetës shoqërore. 

Ecuria e Skizofrenisë karakterizohet nga shfaqja e krizave. Fillimi i saj paraprihet nga një fazë paraprake (prodromale), gjatë së cilës shfaqen disa shenja të veçanta, si humori depresiv dhe tërheqja shoqërore, që në fakt nuk janë specifike vetëm për këtë sëmundje. Për këtë arsye, ato nuk mund të identifikohen domosdoshmërisht si shenja pararendëse të saj.

Gjatë fazës akute dominojnë simptomat pozitive, si haluçinacionet dhe deliret. Ato mund të zhduken plotësisht ose të përparojnë drejt një faze kronike, që karakterizohet nga prania e simptomave negative. Në raste tepër të rralla, shenjat akute të sëmundjes mund të vazhdojnë për një periudhë të gjatë kohore. Pas krizave akute të skizofrenisë, mund të shfaqen manifestimet depresive dhe lodhja e shprehur trupore (rraskapitje), që largohen përsëri në mënyrë graduale.

Ecuria:

Në më shumë se gjysmën e rateve me skizofreni, ecuria e sëmundjes nuk është e favorshme, me praninë e vazhdueshme të simptomave negative.

Mundësitë e shërimit të sëmundjes janë më të mëdha në rastet kur:

  • Pacienti ka familje, pra është i martuar.
  • Rrjeti shoqëror i tij i përshtatet sëmundjes së tij, duke ndikuar pozitivisht në ecurinë e saj.
  • Pacientet janë femra
  • Sëmundja fillon në mënyrë të menjëhershme
  • Faktorët e sëmundjes janë identifikuar mirë
  • Trajtimi medikamentoz është korrekt.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.