logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Dermatiti gluteal tek foshnjat: dhimbje në zonën gjenitale dhe rreth anusit për shkak të pelenave.
Dermatiti gluteal tek foshnjat: dhimbje në zonën gjenitale dhe rreth anusit për shkak të pelenave.

Termi dermatit i të ndenjurave të foshnjave nuk nënkupton një sëmundje të veçantë, sepse shkaqet e tij mund të jenë të shumta, por jep informacion mbi lokalizimin e irritimit të lëkurës në ta.

Ai manifestohet nga një irritim në nivelin e të ndenjurave të foshnjes, që provokohet nga acidet që gjenden në urinë dhe në jashtëqitje, të cilat janë tepër agresive për lëkurën. Për shkak të lagështisë së lëkurës në zonën e vendosjes së pampersit tek foshnjat, irritimet e thjeshta të saj mund të shkaktojnë dëmtime të vogla, që favorizojnë zhvillimin e  bakterieve ose mykut. Në këto kushte, një skuqje e thjeshtë mund të transformohet në një vatër të vërtetë infeksioni.

Praktikisht, të gjitha foshnjat zhvillojnë të paktën një herë gjatë jetës së tyre  një dermatit të lehtë në zonën e të ndenjurave.

Shkaqet e irritimit të lëkurës (dermatitit) në të ndenjurat e  foshnjave mund të jenë të shumta:

  • Ureja që përmban urina zbërthehet në amoniak, që është agresiv dhe i dëmshëm për lëkurën. Veprimi i tij është i krahasueshëm me atë të një larjeje të shpeshtë të duarve me sapun. Në këtë rast,  meqenëse ndodh shkatërrimi gradual  i shtresës mbrojtëse  acide  të lëkurës, ajo bëhet delikate dhe më e ndjeshme ndaj infektimit prej mikrobeve të ndryshme, bakterieve dhe  kërpudhave (kryesisht mykut).
  • Prekja nga myku  përbën një shkak të shpeshtë të mykozës tek foshnjat.
  • Përveç kushteve lokale në brendësi të pampersit, që favorizojnë  shtimin e mikrobeve, dermatiti mund ta ketë  origjinën edhe nga zorra. Pikërisht për këtë arsye është e rekomandueshme kryerja e një analize të feçeve (jashtëqitjeve) për identifikimin në to të mykut. Në rast se konfirmohet prania e tij në zorrë, është i domosdoshëm trajtimi me medikamente që luftojnë mykun, në formën e tabletave që merren nga goja.
  • Ushqimet dhe pijet e konsumuara nga fëmija, si dhe medikamentet e përdorura prej tij, eleminohen nëpërmjet urinës dhe jashtëqitjeve. Ushqimet acide, nëse konsumohen në sasi të mëdha, e irritojnë lëkurën. Si të tilla konsiderohen, përveç limonit, edhe frutat e tjera ekzotike që gjenden në përbërjen e ushqimeve që konsumon fëmija. Gjithashtu irrituese dhe të dëmshme janë edhe ushqimet pikante.
  • Kontakti i ngushtë ndërmjet produkteve të kujdesit për foshnjen (pomada, kremi, pudra) dhe lëkurës, në një ambient të ngrohtë dhe të mbyllur, siç është zona e izoluar brenda pampersit, favorizon irritimin e lëkurës dhe zhvillimin e fenomeneve alergjike në të. Produktet vajore janë më të tolerueshme nga lëkura e foshnjes, krahasuar me pomadat dhe kremërat. Gjithsesi, në rast se dyshohet për alergji ndaj ndonjë produkti të përdorur në zonën e të ndenjurave, këshillohet përdorimi i tij në një zonë tjetër të trupit të foshnjes, dhe në rast se edhe kjo zonë irritohet, këshillohet ndërrimi i tij.
  • Edhe shampot e përdorura për larjen e fëmijës përmbajnë aroma dhe lëndë konservante, që mund të provokojnë reaksione alergjike tek foshnja.
  • Mostolerimi (alergjia) ndaj pampersave industrialë duhet të merret në konsideratë si një faktor i mundshëm i dermatitit tek foshnjat. Gjithsesi, edhe pelenat tradicionale paraqesin rreziqe për shkak të lagështisë që mbajnë në brendësi. 

Irritimi i lëkurës së të ndenjurave të foshnjës shfaqet në zonën gjenitale dhe atë anale (në vrimën e jashtëqitjes), dhe mund të përhapet deri në brendësi të kofshëve, në shpinë dhe në fundin e barkut.

Ai karakterizohet nga zona të skuqura të lëkurës, të pakufizuara mirë, të shoqëruara me flluska, me gërryerje të lëkurës dhe kore. Mund të vëzhgohen gjithashtu edhe kokrra të vogla dhe të forta, si dhe luspa ose zona që rrjedhin qelb.

Diagnoza e irritimit të lëkurës  të të ndenjurave (dermatitit gluteal)  tek foshnjat vendoset nga mjeku pediatër dermatolog, duke u bazuar në:

  • Vlerësimin e simptomave, të elementeve të pranishme në lëkurë me karakteristikat e mësipëme, dhe njohjen me historinë e shfaqjes së tyre.
  • Egzaminimin mikrobiologjik të materialit të marrë nga zonat e irrituara, kur dyshohet për infeksion nga myku ose infeksion nga bakteriet.
  • Dallimin nga sëmundjet e tjera që kanë simptoma të ngjashme në lëkurë, siç është ekzema, psoriaza ose herpesi.

Nëse irritimi i lëkurës së të ndenjurave të foshnjes nuk trajtohet menjëherë, inflamacioni i lëkurës rrezikon të përhapet, duke u bërë më i vështirë për t’u dominuar. Në këto raste, fëmijët kanë të kruajtura, djegie ose dhimbje në nivelin e lëkurës, veçanërisht kur u laget pampersi nga urina. 

Si duhet të veprohet në rastet me dermatit të të ndenjurave tek foshnja?
  • Pampersat duhet të ndërrohen kur janë të lagura dhe të mos lihen më tepër se 3-4 orë.
  • Duhet të pastrohen mirë plikat (të thelluarat) e lëkurës dhe të thahen plotësisht me peshqir të pastër.
  • Mbetjet e pomadave ose kremrave duhet të hiqen me vaj bajamesh ose vaj ulliri.
  • Fëmija duhet të lihet shtrirë ose të ecë këmbadoras pa pampers.
  • Të përdoren pampersa që përthithin mirë lagështirën.
  • Në rast se dyshohet për alergji ndaj ndonjë lloji  pampersi, rekomandohet zëvendësimi  i tij me një lloj tjetër për disa ditë, në mënyrë që të mund të gjykohet nëse lëkura do të ketë  përmirësime.
  • Rekomandohet konsulta me një mjek pediatër dermatolog në rastin e dëmtimeve të hapura, ndryshimeve të lëkurës, pranisë së qelbit ose të rrjedhjes së tij. Mykoza trajtohet me kremra që eleminojnë mykun (antimykotikë). Për rastet e rënda, duhet të përdoret një medikament me bazë kortizoni, në formën e kremit për lyrje të zonave të irrituara

Për të parandaluar shfaqjen e irritimit të lëkurës në zonën e të ndenjurave tek  foshnjat, rekomandohet respektimi i këtyre rregullave:

  • Ndërrimi i pampersit në intervale të rregullta kohore
  • Të evitohet larja e shpeshtë e të ndenjurave të foshnjes, pasi kjo mund të shkatërrojë barrierën mbrojtëse natyrale të lëkurës. Më i dobishëm do të ishte përdorimi i një vaji, si vaji i bajameve ose vaji i ullirit, në mënyrë që të eleminonte papastërtitë dhe mbetjet e kremit.
  • Pas larjes, këshillohet tharje e mirë me peshqir e të ndenjurave të foshnjes, e plikave  (të thelluarave) të lëkurës, veçanërisht në të dy rrëzët e kofshëve.
  • Foshnja duhet të vendoset shtrirë ose të lihet të ecë këmbadoras pa pampers.
  • Të evitohen ushqimet pikante dhe me përmbajtje acide tek fëmijët dhe tek nëna që e ushqen fëmijën me gji. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.