Testi patch i alergjisë (Testi epikutan, Testi patch)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është testi i alergjisë?
Testi epikutan është një test alergjie që synon të nxjerrrë në pah një alergen kontakti dhe të përcaktojë pikërisht shkaktarin e alergjisë. Gjatë testit, substancat e dyshuara për shkaktimin e alergjisë ngjiten në shpinë dhe rezultati lexohet pas 3-4 ditësh. Në këtë mënyrë mund të evidentohet për shembull një ekzemë kontakti nga alergeni përkatës.
Ky test i takon fushës së Alergologjisë.
A kërkon ky lloj ekzaminimi ndonjë përgatitje të veçantë?
Në shumicën e rasteve, testi i alergjisë mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë. Në rast se pacienti përdor mjekime për alergjinë, këto duhet të ndërpriten disa kohë përpara testit sepse mund të ndikojnë në rezultatin e tij. Është mjeku specialist ai që jep udhëzimet për çdo rast.
Çfarë duhet të sqarohet përpara kryerjes së testit?
Gjatë intervistës që kryen me pacientin, mjeku përcakton disa substanca (alergenë) që duhet të testohen. Për këtë shërben një pyetësor i alergjisë, të cilin pacienti e plotëson në kabinetin e mjekut. Prej tij mjeku siguron të dhëna shtesë rreth gjendjes së pacientit dhe shkaktarëve të mundshëm të alergjisë.
Si realizohet testi i alergjisë?
Në lëkurën e shpinës së pacientit ngjiten fashot e testit, ku janë hedhur paraprakisht pikat e alergenëve të dyshuar (në fasho të ndara nga njëra-tjetra). Ato lihen aty për 48 orë, dhe pasi hiqet fasha, lexohet rezultati i testit. Mund të jetë i nevojshëm edhe një lexim tjetër shtesë në ditën e tretë dhe ndonjëherë edhe në ditën e katërt. Në rastet kur pacienti ka alergji ndaj substancave që janë ngjitur në lëkurë, ai shfaq kruajtje, skuqje dhe enjtje të lehtë në zonën ku po kryhet testi.
Kur përdoret testi i alergjisë?
Ky lloj testi përdoret për të nxjerrë në pah një alergji kontakti ose për të përcaktuar saktë shkaktarin e saj.
Arsyet e zakonshme për kryerjen e testit epikutan janë:
- Ekzema e kontaktit: ekzema profesionale (psh. ekzema e duarve tek parukierët, alergjia nga bizhuteritë)
- Neurodermatitis
A mund të paraqesë rreziqe ose efekte të padëshiruara testi i alergjisë?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe bart pak rreziqe. Në rast alergjie, shfaqet një reaksion në lëkurë, me enjtje, kruajtje dhe skuqje të lehta. Këto reaksione janë përgjithësisht të lehta dhe zhduken disa orë pas heqjes së fashos. Ndonjëherë mund të shfaqet ndonjë cikatrice e vogël ose ndryshim pigmenti në zonën ku keni bërë testin. Reaksionet e rënda alergjike janë jashtëzakonisht të rralla në testin e alergjisë.