Testi i sekretimit të lotit (Koha e çarjes së filmit të lotit, Testi i Schirmer, Testi i sekretimit lakrimal)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është testi i sekretimit të lotit?
Për kryerjen e testit të sekretimit të lotit përdoren dy metoda. Testi i Schirmer-it verifikon sasinë e lotit të prodhuar. Matja e kohës së çarjes së filmit të lotit (e quajtur edhe testi BUT) përcakton qëndrueshmërinë e filmit të lotit, domethënë shkallën e njomjes së syve. Këto teste përdoren kryesisht për të diagnostikuar syrin e thatë.
Testi i sekretimit të lotit është një ekzaminim i fushës së Oftalmologjisë.
A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë ky ekzaminim?
Testi i sekretimit të lotit mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Asgjë e veçantë nuk ka nevojë të sqarohet përpara këtij ekzaminimi.
Si realizohet testi i sekretimit të lotit?
Testi i Schirmer-it: Përcaktimi i sasisë së lotit të prodhuar
Pacienti shikon në drejtimin lart, dhe një shirit i vogël letre përthithëse të palosur (letër lakmusi) vendoset në qepallën e poshtme tek të dy sytë. Pacienti mbyll sytë për 5 minuta. Gjatë kësaj kohe letra e testit laget nga lotët. Më pas, letra hiqet dhe matet gjatësia e zonës së lagur. Kur prodhimi i lotëve është normal, për 5 minuta laget rreth 10 mm gjatësi e letrës testuese. Në rast se kjo gjatësi është më e vogël, prodhimi i lotëve është i pakët. Për kryerjen e këtij testi, mund të aplikohet mpirja e sipërfaqes së syrit nëpërmjet pikave që hidhen në sy, në mënyrë që ndjesia e trupit të huaj tek pacienti të mos shkaktojë prodhim të shtuar të lotëve.
Koha e çarjes së filmit të lotit (testi BUT): Vlerësimi i qëndrueshmërisë së filmit të lotit
Për kryerjen e këtij testi, hidhet në sy një ngjyrues i quajtur fluorescine, që përhapet në sy pas disa lëvizjeve të qepallave. Me anën e një llambe të posaçme që përdor mjeku oftalmolog dhe një filtri blu kobalti të vendosur paraprakisht, matet koha midis lëvizjes së fundit të qepallës dhe thyerjes së filmit të lotit të ngjyrosur. Për të realizuar këtë, sytë mbyllen dhe pastaj hapen përsëri, dhe mbahen të hapura derisa filmi i lotit të çahet spontanisht. Nëse syri është në gjendje të mirë shëndetësore, koha e çarjes së filmit të lotit është më e madhe se 10 sekonda. Nëse kjo kohë është më pak se 10 sekonda, filmi i lotit konsiderohet i paqëndrueshëm.
Kur përdoret testi i sekretimit të lotit?
Ky ekzaminim përdoret për diagnostikimin dhe kontrollin e trajtimit të sëmundjeve të syrit, në të cilat pakësohet prodhimi i lotëve ose bie qëndrueshmëria e filmit të lotit.
Arsyet e zakonshme për testin e sekretimit të lotit janë:
- Sindromi sicca (sindromi i syrit të thatë)
- Sindroma e Sjögren (sëmundje autoimune e karakterizuar nga tharja e mukozës së gojës dhe të syve)
- Pareza e fytyrës (paraliza e nervit të fytyrës, që është gjithashtu i përfshirë në prodhimin e lotëve)
- Pakësimi i prodhimit të lotëve me rritjen e moshës
- Sytë e thatë
- Kruajtja e syve
- Sytë e kuq
A paraqet testimi i sekretimit të lotit ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Vendosja e shiritave të letrës ndonjëherë konsiderohet e pakëndshme nga pacienti.