Rrjedhja vaginale (Leucorrhea, Sekrecionet vaginale, Shkarkimi vaginal)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand)

Bëhet fjalë për rrjedhje të bollshme të sekrecioneve vaginale, me ngjyrë të bardhë, me natyrë jo-inflamatore dhe me aromë të rëndë.
Kjo rrjedhje është e përditshme, në sasi të pakët tek çdo grua. Sasia e saj është në varësi të ciklit menstrual. Ajo shtohet gjatë periudhës ovulatore (dita e 14 e ciklit menstrual) ose para menstruacioneve. Gjithashtu, kjo sasi është e ndryshme për femra të ndryshme.
Në përgjithësi, rrjedhjet fillojnë të shfaqen një ose dy vjet përpara pubertetit dhe vazhdojnë deri në menopauzë.
Shkaqet e sekrecioneve vaginale gjenden si në nivelin e mitrës, ashtu edhe në atë të vaginës. Më poshtë renditen disa faktorë, të cilët mund të shkaktojnë ndryshime të sekrecioneve vaginale normale:
- Infeksionet nga bakteriet, infeksionet nga kërpudhat ose tricomonas.
- Tumoret beninje ose kanceri i vaginës dhe kanceri i uterusit.
- Reaksionet alergjike, për shembull nga linesi, produktet kozmetike intime, si dhe spermicidet që gjenden në disa tipa prezervativësh.
- Trupat e huaj të futura në vaginë, si psh. tampone higjenike të harruara pa nxjerrë.
- Shtatzania
- Pilulat kontraceptive (që parandalojnë shtatzaninë)
- Stresi ose mbingarkesa psiqike
Çdo ndryshim i sekrecioneve normale (ngjyra, aroma, sasia), veçanërisht të shoqëruara nga të kruajtura vaginale dhe dhimbje, kanë nevojë për një konsultë me mjekun gjinekolog.

Për vlerësimin e rrjedhjeve vaginale, mjekut gjinekolog i nevojitet:
- Egzaminimi gjinekologjik me spekulum. Kjo është një pajisje gjinekologjike, që e ndihmon mjekun të gjykojë mbi ngjyrën, sasinë, përbërjen dhe aromën e sekrecioneve.
- Përcaktimi i aciditetit (pH) të sekrecioneve, që normalisht duhet të jetë nën 4,5.
- Egzaminimi mikroskopik, që lejon të dallohet një infeksion bakterial, një infeksion nga kërpudhat ose një infeksion nga tricomonas.
- Marrja e materialit (strisho me sekrecionet) në mitër dhe në vaginë.

Në rastin e një infeksioni dhe në funksion të vendosjes së diagnozës, mjeku mund të rekomandojë:
- Suposte, kremra ose tableta me veprim lokal vaginal.
- Antibiotikë (kundër infeksionit) dhe/ose antimykotikë (kundër mykut) në formën e tabletave.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Për të parandaluar shfaqjen e rrjedhjeve vaginale, duhet të respektohen këto masa:
- Të evitohen substancat irrituese dhe stresi
- Të përdoren preparate në formën e suposteve, që përmbajnë laktobacilin, pasi ndihmojnë në rregullimin e ekosistemit të organizmit.
- Të mos përdoret parfum intim (në zonën vaginale), as lines të parfumosura. Vagina nuk duhet të shpëlahet asnjëherë, nuk duhet të përdoren tampone higjenike jashtë periudhës së menstruacioneve, dhe gjatë menstruacioneve duhet të ndërrohet rregullisht linesi.