Proktoskopia (Endoskopia e rektumit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është proktoskopia?
Proktoskopia, ose endoskopia e rektumit, shërben për të ekzaminuar 10-15 centimetrat e fundit të zorrës së trashë, duke nisur nga anusi, me ndihmën e një endoskopi special, që quhet proktoskop. Bëhet fjalë për një tub rigid prej metali ose plastik, me diametër rreth 2 cm dhe gjatësi 15 cm, që e lejon mjekun të shohë në brendësi të rektumit. Prosktoskopia shërben për diagnostikimin, dhe shpesh edhe për trajtimin direkt të sëmundjeve të rektumit, si dhe për zbulimin e kancerit të rektumit. Rektumi është pjesa përfundimtare e zorrës së trashë, 12-15 cm e gjatë, që përfundon në anus nëpërmjet kanalit anal, që është 2-4 cm i gjatë.
Proktoskopia është një ekzaminim i fushës së Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A kërkon proktoskopia ndonjë përgatitje të veçantë?
Për kryerjen e proktoskopisë, mjafton zbrazja natyrale e zorrëve, ose mund të kryhet edhe një klizmë e vogël. Veç këtyre, nuk nevojitet ndonjë përgatitje tjetër e veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para proktoskopisë?
Për të kryer një proktoskopi, proçesi i mpiksjes së gjakut duhet të jetë normal, veçanërisht kur duhet të kryhen edhe trajtime gjatë ekzaminimit. Pacientët që marrin medikamente antikoagulante (për hollimin e gjakut) mund të kenë nevojë ta ndërpresin terapinë disa ditë para ekzaminimit, ose ta zëvendësojnë atë me injeksione të heparinës në bark. Mjeku jep udhëzimet përkatëse, sipas rastit.
Si kryhet proktoskopia?
Ekzaminimi kryhet duke u shtrirë në krahun e majtë, me këmbët e palosura. Proktoskopi futet butësisht në rektum nëpërmjet anusit. Për këtë qëllim përdoret një xhel lubrifikues. Futja e instrumentit është në përgjithësi pa dhimbje dhe shpesh ndihet vetëm si një ndjenjë presioni. Megjithatë, dhimbja është e mundur në rastet me ndryshime patologjike. I gjithë ekzaminimi zgjat vetëm disa minuta, ose pak më shumë në raste të trajtimit gjatë ekzaminimit.
Kur përdoret proktoskopia?
Ekzaminimi përdoret për të diagnostikuar, dhe shpesh edhe për të trajtuar direkt problemet e rektumit dhe të kanalit anal, si dhe për të zbuluar kancerin e rektumit.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e proktoskopisë janë:
- Prania e gjakut të kuq të pastër në feçe (materialet e jashtëqitura), i konstatuar në letrën higjienike ose në WC.
- Kërkimi emergjent për burimin e gjakderdhjes në kanalin anal ose në rektum
- Paaftësia për të mbajtur feçet (inkontinenca fekale)
- Probleme gjatë jashtëqitjes
- Dhimbje, djegie ose kruajtje në anus (vrimën e jashtëqitjes)
- Prania e hemorroideve
- Prania e polipeve të zorrëve
- Fisura anale
- Vlerësimi për praninë e mundshme të kancerit të rektumit
A paraqet proktoskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim bart pak rreziqe. Vetë proktoskopia mund të jetë e pakëndshme, por zakonisht nuk është e dhimbshme. Megjithatë, dhimbja është e mundur në rastet me ndryshime patologjike. Në raste të rralla mund të ndodhin dëmtime të mukozës (pjesës së brendshme të zorrës) ose gjakderdhje, kryesisht gjatë ose pas ndërhyrjeve të vogla, të tilla si trajtimi i hemorroideve ose heqja e polipeve të zorrëve.