Rektoskopia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është rektoskopia?
Rektoskopia është një ekzaminim që mundëson vlerësimin e 20-30 centimetrave fundorë të zorrës së trashë, që realizohet me ndihmën e një endoskopi të veçantë që quhet rektoskop. Ky i fundit është një tub metalik ose plastik, rigid (i papërkulshëm), me diametër rreth 2 cm dhe gjatësi 30 cm, me një sistem optik që lejon mjekun të shohë në brendësi të rektumit. Rektoskopia shërben për diagnostikimin dhe shpesh edhe për trajtimin direkt të sëmundjeve të rektumit, si dhe për zbulimin e hershëm të kancerit kolo-rektal (të zorrës së trashë dhe të rektumit).
Rektumi është pjesa më e poshtme e zorrës së trashë, me gjatësi rreth 20-30 cm, që përfundon me anusin (vrimën e jashtëqitjes). Ai ndahet në dy pjesë: rektumi vetë, me gjatësi 12-15 cm, dhe kanali anal me gjatësi 2-4 cm që përfundon me anusin.
Rektoskopia është një ekzaminim që i takon Gastro-enterologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para rektoskopisë?
Para kryerjes së rektoskopisë nevojitet vetëm zbrazja e zorrëve me mënyra natyrale ose me klizmë. Përveç këtij përjashtimi, nuk nevojitet ndonjë përgatitje tjetër e veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara se të kryhet rektoskopia?
Rektoskopia kërkon një proçes normal të mpiksjes së gjak, sidomos kur gjatë ekzaminimit do të kryhet edhe trajtimi i ndonjë sëmundjeje të rektumit. Pacientët që marrin medikamente për hollimin e gjakut (antikoagulante) duhet, nëse është e mundur, t’i ndërpresin ato disa ditë para ekzaminimit ose t’i zëvendësojnë me injeksione të heparinës në bark. Mjeku jep udhëzimet përkatëse për çdo rast.
Si realizohet rektoskopia?
Ekzaminimi mund të kryhet me pacientin në pozicionin shtrirë në anën e majtë, me këmbët e përthyera, ose në pozicionin e përkulur përpara. Është e domosdoshme që pacienti të jetë i relaksuar për të lehtësuar futjen e rektoskopit në rektum përmes anusit. Për këtë qëllim përdoret edhe një xhel lubrifikues. Në përgjithësi, futja e rektoskopit në anus është pa dhimbje dhe perceptohet vetëm si një ndjenjë presioni. Gjithsesi, pacienti mund të ndiejë dhimbje, në prani të ndryshimeve patologjike, pra të sëmundjeve të rektumit. Ekzaminimi i plotë zgjat rreth 10 minuta, ndonjëherë më gjatë për proçedurat e vogla shtesë, si marrja e mostrave të indeve, heqja e polipeve, trajtimi i hemorroideve dhe hemostaza.
Kur përdoret rektoskopia?
Ky ekzaminim përdoret për diagnostikimin, dhe shpesh edhe për trajtimin direkt të sëmundjeve të rektumit dhe kanalit anal, si dhe për parandalimin e kancerit kolorektal.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e një rektoskopie janë:
- Prania e gjakut të kuq të pastër në materialet e jashtëqitura, në letrën higjienike ose në WC.
- Kërkimi me urgjencë i një burimi të hemorragjisë në kanalin anal ose në rektum.
- Inkontinenca fekale
- Çrregullimet e defekimit
- Dhimbjet, djegiet ose kruajtjet në zonën e anusit.
- Hemorroidet
- Polipet e zorrës
- Divertikuli i kolonit
- Fisura anale
- Zbulimi i hershëm i kancereve (kancerit të rektumit)
A paraqet rektoskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Rektoskopia paraqet pak rreziqe. Vetë ekzaminimi mund të jetë i parehatshëm, por zakonisht nuk është i dhimbshëm. Gjithsesi, dhimbja është e mundur në rastet me ndryshime patologjike, pra me sëmundje të rektumit. Në raste të rralla mund të ndodhin dëmtime të mukozës së rektumit ose gjakderdhje, kryesisht gjatë ose pas ndërhyrjeve të vogla kirurgjikale.