logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Neurodermatiti: sëmundja më e shpeshtë e lëkurës.
Neurodermatiti: sëmundja më e shpeshtë e lëkurës.

Ekzema është një sëmundje që njihet me emra të ndryshëm, si dermatiti atopik, ekzema atopike, ekzema endogjene.

Ajo përfaqëson një reaksion inflamator kronik, me ecuri periodike, që përbën sëmundjen më të shpeshtë të lëkurës.

Së bashku me astmën dhe alergjinë nga bari, ekzema bën pjesë në sëmundjet atopike. Ky është një term që përdoret për ato sëmundje, që zhvillohen si rezultat i prodhimit nga ana e sistemit imunitar, të antitrupave kundër disa substancave paraprakisht të padëmshme për organizmin, si produktet ushqimore, poleni, pluhuri i shtëpisë, qimet e kafshëve, leshi, etj.

Në përgjithësi, ekzema shfaqet tek foshnjat. Kjo sëmundje është shtuar shumë gjatë 40 viteve të fundit, pavarësisht higjienës së përmirësuar dhe produkteve ushqimore më cilësore. Fëmijët që rriten në qytete dhe që u takojnë klasave më të larta të shoqërisë preken më shpesh prej saj.

 

Përveç faktorëve ambientalë, një rol të rëndësishëm në shfaqjen e ekzemës duket se luan edhe predispozicioni gjenetik (trashëgimia). Kështu, prindërit me ekzemë ua transmetojnë atë shpesh fëmijëve të tyre.

Faktorët shkaktarë të ekzemës:

  • Faktorët ambientalë
  • Alergenet e ndryshme, si produktet ushqimore, poleni, pluhuri, qimet e kafshëve, leshi, etj.
  • Stresi (edhe foshnjat mund të reflektojnë stres!)
  • Infeksionet e ndryshme
  • Faktorët e lidhur me klimën

Tipari kryesor i ekzemës është: lëkura tepër e thatë, që kruhet shumë. Gjithsesi, duke qenë se simptomat e saj varen nga mosha e pacientit, ato mund të jenë të ndryshme. Më poshtë paraqiten karakteristikat specifike të ekzemës, sipas grupmoshave kryesore.
 
Tek foshnjat: sëmundja fillon shpesh me shfaqjen e "koreve të qumështit ". Në fakt, ato nuk kanë asnjë lidhje me qumështin, vetëm se pamja e tyre ngjan me qumështin e djegur: koret me ngjyrë të bardhë në të verdhë shoqërojnë zakonisht ekzemën e njomë (që rrjedh). Ato shfaqen përgjithësisht në zonën e krahëve, këmbëve dhe në fytyrë. Shpesh, mbi këto elemente mbivendosen infeksione të tipit viral ose bakterial.
 
Tek fëmijët dhe adoleshentët: lëkura merr shpesh një aspekt të trashë, me ngjyrë të kuqërremtë, kryesisht në nivelin e gropave të gjunjve, gropave të bërrylit, të durve, në zonën e qafës dhe të  zverkut. 
 
Tek të rriturit: kruarjet përfaqësojnë simptomën kryesore të sëmundjes dhe mund të prishin cilësinë e jetës së pacientit. Në përgjithësi, lëkura është tepër e thatë, me njolla të kuqërremta dhe të trasha. Mbivendosja e infeksioneve bakteriale në këto zona është tepër e shpeshtë në këtë kontigjent pacientësh.
 
Pacientët me ekzemë paraqesin shpesh të thelluara të errëta të syve (rrathë të zinj), qepalla të dyfishta (palosje të lëkurës mbi qepallë), çarje të lëkurës në brazdën e llapës së veshit (në rrëzën e veshit). Ata nuk i rezistojnë dot kruarjeve të forta kur djersijnë ose kur bien në kontakt të drejtpërdrejtë me produkte prej leshi.
Neurodermatiti: testet e lëkurës për të përcaktuar alergenet.
Neurodermatiti: testet e lëkurës për të përcaktuar alergenet.

Mjeku mund të orientohet drejt diagnozës së një ekzeme, duke u bazuar në:

  • Historinë e detajuar të fillimit të sëmundjes
  • Simptomat që paraqet pacienti
  • Informimin e tij rreth alergjive të ndryshme që mund të referojë pacienti
  • Informimin e tij rreth pranisë së ekzemës në persona të tjerë të familjes së pacientit.

Më pas, mjeku kryen testet e alergjisë, për të zbuluar ndonjë alergji të mundshme ndaj polenit, produkteve ushqimore ose ndaj akarieneve të pluhurit. Analizat e gjakut mundësojnë identifikimin e antitrupave përgjegjës për reaksionet alergjike përkatëse.

Neurodermatiti: pomada të kortizonit për dhimbjen dhe inflamacionin.
Neurodermatiti: pomada të kortizonit për dhimbjen dhe inflamacionin.

Masat higjienike dhe kujdesi për lëkurën përbëjnë linjën e parë të trajtimit të ekzemës. Për të mbrojtur lëkurën dhe flokët, për larjen e tyre duhet të përdoren solucione  jo irrituese dhe jo të parfumosura. Kjo vlen edhe për larjen e veshjeve. Ndër produktet e përshtatshme për këtë kategori pacientësh mund të përmendim: sapunin e arrave, banjat me vaj, pomadat dhe kremërat e yndyrshme. Në përgjithësi, rekomandohet përdorimi i atyre produkteve, me të cilat lëkura ndihet më mirë. 

Trajtimi alternativ

Preparatet që përmbajnë zink, naftë ose zift janë efikase për ekzemën dhe kanë përparësinë që nuk shkaktojnë efekte të padëshiruara të rëndësishme.

Terapia e dritës dhe ajo klimatike

Pacientë të shumtë të prekur nga ekzema përgjigjen mjaft mirë ndaj terapisë me rreze ultravjollcë në doza të larta. Gjithsesi, sasia e egzagjeruar e këtyre rrezeve shkatërron lëkurën. Klima bregdetare dhe ajo malore duket se janë një terren aspak i favorshëm për alergenet. Pikërisht për këtë arsye, në këto zona ndodh përmirësimi i simptomave të ekzemës, zakonisht pas 4-6 javësh. 

Medikamentet

Në trajtimin medikamentoz përfshihet ai i jashtëm (me pomada, kremra) dhe trajtimi i përgjithshëm (sistemik) në formën e tabletave ose injeksioneve.

Në pjesën më të madhe të formave të lehta dhe mesatare, është i mjaftueshëm trajtimi lokal, i cili lehtëson simptomat e pacientit. Në rast nevoje, mund të përdoren edhe medikamente antihistaminike në formën e tabletave që merren nga goja. Vetëm në format e rënda të sëmundjes mund të nevojitet përdorimi i përgjithshëm (me tableta ose injeksione) i medikamenteve që luftojnë inflamacionin (anti-inflamatorët), siç është kortizoni. Ky medikament mund të përdoret edhe lokalisht, në formën e kremrave ose pomadave, që janë mjaft efikase kundër inflamacionit dhe kruarjeve. Kortizoni mund të përdoret pa hezitim për periudha të shkurtra kohore. Përkundrazi, nëse ai përdoret për periudha të gjata, mund të shkaktojë atrofi (tharje) të lëkurës. Tek fëmijët, janë të nevojshme ndërprerjet e rregullta të trajtimit me kortizon.

Kujdes: në formën e tabletave ai duhet të përdoret vetëm në raste tepër të rënda.

  • Medikamentet antihistaminike: veprojnë kundër alergjisë, mund të përdoren për periudha të gjata kohore, pa shkaktuar probleme. Shkaktojnë pak efekte të padëshiruara (lodhje) dhe ndihmojnë në qetësimin e kruarjeve. 
  • Antibiotikët: përdoren në rastet e plagëve të hapura, kur në to janë mbivendosur bakterie ose kërpudha, që shkaktojnë formimin e flluckave me qelb. 


 

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Kujdesi për lëkurën

Lëkura e pacientëve që paraqesin ekzemë është tepër e ndjeshme. Për këtë arsye, rekomandohet përdorimi vetëm i kremërave dhe solucioneve larëse të freskëta dhe jo të parfumosura. Kështu, mund të përdoren sapunët me arra në përmbajtje, që jo vetëm nuk e irritojnë lëkurën, por edhe e trajtojnë atë. Gjithashtu, rekomandohet larja me solucione që përmbajnë ure ose vajra mjekësore specifike. 

Teknikat relaksuese

Teknika të tilla relaksuese, si joga dhe trajnimi autogjenik mund të ndihmojnë mjaft në lehtësimin e kruarjeve, që shpesh janë të pakëndshme.

Nuk egziston asnjë medikament specifik për trajtimin e ekzemës. Gjithsesi, nëse kryhet trajtimi në mënyrën e duhur, nëse trajtohen alergjitë dhe evitohen alergenet (parandalimi dytësor), pacientët mund të kenë një jetë praktikisht normale dhe të mbrohen kundër shpërthimeve (periudha të acarimit të sëmundjes). Tek gjysma e foshnjave të prekura, elementët e shfaqur në lëkurë zhduken në dy vitet e para të jetës. Tek 20% e fëmijëve, shpërthimet e sëmundjes ndërpriten në pubertet.

Foshnjat e ushqyera me qumështin e gjirit për më tepër se 6 muaj, duket se preken më rrallë nga ekzema.

Për të parandaluar shpërthimet e ekzemës, rekomandohet evitimi i alergeneve të njohura dhe larje e lëkurës dhe veshjeve në mënyrë të përshtatshme. Leshi është një alergen tepër i përdorshëm në industrinë tekstile. Ai duhet të evitohet tek fëmijët e vegjël.

Gjithashtu, rekomandohet të evitohet tymi i duhanit, pasi konsiderohet faktor rëndues në pacientët me ekzemë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.