Zgjebja
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Zgjebja është një sëmundje e lëkurës, tepër e përhapur tek njerëzit. Ajo shkaktohet nga një parazit, i cili provokon një reaksion mbrojtës nga ana e organizmit, të manifestuar me puçrra të kuqe në lëkurë, që kruhen shumë.
Transmetimi i parazitit përgjegjës për zgjeben bëhet nëpërmjet kontaktit trupor, përgjithësisht gjatë marrëdhënieve seksuale. Paraziti mashkull vdes pak kohë pas çiftëzimit. Paraziti femër hap tunele në shtresën korneale (më të jashtme) të lëkurës, ku lëshon edhe vezët e saj. Pas disa javësh ajo vdes. Brenda tre javëve, vezët shndërrohen në larva.
Pas disa javësh shfaqet infeksioni, fillimisht me një sensibilizim dhe më pas me një reaksion të sistemit mbrojtës të organizmit, që manifestohet me shfaqjen e puçrrave të kuqe në lëkurë, që kruhen shumë.

Pacientët me zgjebe paraqesin këto simptoma:
- Kruajtje në lëkurë, të pranishme në javët e para pas infeksionit, kryesisht gjatë periudhës së gjumit.
- Puçrra me formë të stërgjatur, me vendosje karakteristike në organet gjenitale, në të thelluarat ndërmjet gishtave, në sqetulla dhe në nivelin e thithave të gjinjve.
- Pas disa ditësh ose javësh, kruajtjet janë të pranishme në të gjithë trupin. Gërvishtjet e shkaktuara nga kruajtjet favorizojnë infektimin e puçrrave nga bakteriet.

Diagnoza e zgjebes vendoset nga mjeku specialist dermatolog, duke u bazuar në:
- Historinë e detajuar të sëmundjes
- Simptomat e pacientit, karakteristikat e tyre, periudhat e rëndimit dhe qetësimit të tyre, faktorët acarues, etj.
- Egzaminimin e kujdesshëm nga mjeku i lëkurës në të gjithë trupin, nëpërmjet të cilit ai mund ta identifikojë sëmundjen e zgjebes. Për këtë ndihmon prania e pikave të vogla të zeza në skaj të puçrrave.
- Egzaminimin mikroskopik të materialit të marrë në nivelin e vendosjeve karakteritike të parazitit të zgjebes. Ai mund të merret nëpërmjet shiritave ngjitës, një gjilpëre ose një bisturie. Ky egzaminim bën të mundur evidentimin e parazitëve, vezëve ose jashtëqitjeve të tyre.

Masat e përgjithshme për parandalimin e transmetimit të parazitit përgjegjës për zgjeben janë:
- Në fund të trajtimit, të lahen çarçafët, veshjet dhe çorapet e pacientit me zgjebe, në temperaturë mbi 60 gradë, mundësisht edhe të vlohen.
- Gjithçka që nuk mund të lahet në temperaturë të lartë, duhet të vendoset në qese plastike dhe të lihet jashtë, në diell, për 3-4 ditë.
- Mundësisht, të dezinfektohet shtrati me pudër që eleminon parazitet.
Është thelbësore përfshirja në trajtim e familjarëve, bashkëshortit ose partnerit seksual të pacientit me zgjebe.
- Trajtimi i të gjithë trupit me substanca që aplikohen në lëkurë, që luftojnë parazitet, të përshtatura për çdo individ (të rritur, fëmijë, gra shtatzana).
- Banjat me produkte antiseptike (kundër infeksionit)
- Trajtimi i dëmtimeve të lëkurës me kremra ose pomada të yndyrshme.
- Në rastet e nevojshme, përdorimi i medikamenteve që përmbajnë kortizon.
Trajtimi i përshtatshëm i zgjebes mundëson shërimin e plotë të saj, pa shkaktuar ndërlikime. Rëndimi i situatës mund të ndodhë në rastet e kruarjeve të forta, që shkaktojnë gërvishtje në lëkurë, të cilat favorizojnë mbivendosjen e infeksioneve bakteriale. Kjo mund të shoqërohet edhe me inflamacion të enëve limfatike lokale.