Sekrecionet vaginale (Rrjedhjet vaginale)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Sekrecionet vaginale të përditshme janë pjesë e funksionimit normal të trupit të femrës dhe luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga agjentët patogjenë, si bakteriet, kërpudhat,viruset, etj.
Normalisht, sekrecionet vaginale janë të bardha, pa erë dhe quhen leucorrhea. Sasia e tyre varion nga një femër tek tjetra dhe varet nga fazat e ciklit menstrual. Pamja e jashtme e tyre mund të ndryshojë: nga të tejdukshme ato mund të marrin ngjyrë, dhe të trashen, duke treguar për llojin e sëmundjes që i shkakton. Nëse flora vaginale është çrregulluar, agjentët patogjenë mund të hyjnë dhe të shkaktojnë infeksione dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Në këtë rast, konsistenca dhe ngjyra e
sekrecioneve ndryshojnë shumë, dhe shërbejnë si një tregues i sëmundjes.
Sekrecionet mund të jenë transparente, të verdha, ujore, viskoze, me gjak ose
të gjelbra, sipas sëmundjes shkaktare. Në raste të infektimit bakterial,
sekrecionet janë të shpeshta dhe me erë të keqe, shpesh të shoqëruara me ndjesi
djegieje dhe kruajtje. Të tjera simptoma mund të shfaqen në varësi të shkakut:
disa prej tyre janë skuqja lokale, enjtje lokale, djegie gjatë urinimit ose
gjatë marrëdhënieve seksuale, dhimbje e pjesës së poshtme të barkut dhe ethe.
Shkaqet më të shpeshta të sekrecioneve vaginale jonormale janë infeksionet e florës vaginale dhe më të rralla janë sëmundjet e organeve të brendshme gjenitale (mitra, tubat, vezoret). Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet që sekrecionet vaginale nuk janë gjithmonë shprehje e një sëmundjeje.
Sëmundjet që shkaktojnë sekrecione vaginale simptomatike:
- Infeksioni nga Klamidia (sëmundje bakteriale seksualisht e transmetueshme)
- Infeksioni i tubave të fallopit (salpingiti),inflamacioni i vezoreve (adneksiti)
- Infeksioni i qafës së mitrës (kanceri i qafës së mitrës)
- Karcinoma e mitrës (kanceri i mitrës)
- Gonorrea
- Inflamacioni i vaginës (vaginiti)
- Kanceri i vaginës
- Mykoza vaginale
- Tuberkulozi në organet gjenitale
- Diabeti i sheqerit
- Alergjitë (psh. alergjia nga latexi)
Shkaqe të tjera që shkaktojnë ndryshime të sekrecioneve vaginale
- Luhatjet hormonale gjatë pubertetit ose shtatzanisë
- Mungesa e estrogjenit në menopauzë
- Trupat e huaj (tampon i harruar)
- Stresi
- Higjiena intime e keqe ose e ekzagjeruar
Flora mikrobiale vaginale mund të çrregullohet nga faktorë të shumtë, të cilët janë lehtësisht të evitueshëm në këto aspekte:
- Higjiena personale: mungesa e higjenës, higjiena e tepruar (larja intensive) ose produktet që përdoren për larjen e zonave intime irritojnë lëkurën dhe çrregullojnë florën vaginale.
- Pastrojeni tërësisht zonën nga para prapa, në mënyrë që bakteriet që dalin nga anusi mos të kalojnë në rrugët vaginale.
- Mos mbani veshur rroba të ngushta dhe me material sintetik.
- Shmangni stresin
- Marrëdhëniet seksuale të sigurta me prezervativë mbrojnë kundër transmetimit të sëmundjeve dhe infeksioneve gjenitale.
- Një mënyrë jetese e shëndetshme forcon mbrojtjen e trupit: hiqni dorë nga duhanpirja, konsumoni në mënyrë të moderuar alkoolin, kryeni aktivitet të rregullt fizik, ushqehuni shëndetshëm.
Duhet të konsultoheni me një mjek, nëse konstatoni ndryshimet e mëposhtme:
- Sekrecione më të bollshme se zakonisht
- Ndryshim në ngjyrën e tyre
- Ndryshim i erës
- Kruajtje, skuqje, djegie në zonën gjenitale
- Dhimbje të legenit
- Ethe
Një ndryshim në sekrecionet vaginale gjithmonë duhet të merret seriozisht, sepse një infeksion i zgjatur mund të çojë në sterilitet.
Nëse konstatoni ndryshimet e sekrecioneve vaginale të përshkruara më sipër, duhet të drejtoheni tek:
- Mjeku Gjinekolog
- Mjekë të tjerë specialistë, në varësi të shkakut.
Për të krijuar një tablo konkrete të problemeve aktuale dhe shkaqeve të mundshme të tyre, është e nevojshme që mjeku të njihet me historikun mjekësor (anamnezën) të pacientit, dhe të kryejë ekzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, palpimi, analizat, mbjellja e materialit vaginal, dhe teste të tjera funksionale). Më pas, mund të nevojiten analiza më specifike për vendosjen e diagnozës.
Anamneza
- Pyetje lidhur me sekrecionet simptomatike: prej sa kohësh kanë ndryshuar, çfarë ndryshimi kanë (psh. sasia, cilësia, ngjyra dhe era, etj).
- Simptoma të tjera shoqëruese
- Higjiena personale në jetën e përditëshme
- Sëmundjet e mëparshme të pacientit, përfshirë këtu edhe ndërhyrjet kirurgjikale.
- Marrja e mjekimeve (veçanërisht e antibiotikëve, hormoneve, solucioneve intime).
- Historia seksuale: përdorimi i tamponëve, dhimbja gjatë marrëdhënieve seksuale, problemet e partnerit.
Ekzaminimi klinik
Gjatë ekzaminimit gjinekologjikë mjeku do të shqyrtojë së pari zonën e jashtme gjenitale dhe pastaj duke përdorur një spekulum (pasqyrë vaginale) vëzhgon muret vaginale dhe qafën e mitrës. Në këtë mënyrë mund të vlerësohen sasia dhe cilësia e sekrecioneve vaginale.
Ekzaminime të tjera specifike
- Analiza e sekrecioneve vaginale për të përcaktuar llojin e shkakut (bakteret, viruset, lloji i mykut).
- Kultura qelizore për të zbuluar shkaqe të tjera
- Vlerësimi i aromës
- Matja e aciditetit (ph) të florës vaginale
- Marrja e mostrës për biopsi, nëse konstatohen ndryshime në muret vaginale ose në qafën e mitrës.
Trajtimi i sekrecioneve vaginale gjithmonë bazohet në llojin e shkaktarit.
Mënyrat e trajtimit janë si më poshtë:
- Antibiotikë për infeksionet bakteriale
- Antimykotikët për infeksionet mykotike
- Kur një infeksion është viral (si herpesi gjenital) vijnë në ndihmë antiviralët.
- Nëse nuk ka patologji, ovulet vaginale që përmbajnë bakterie të acidit laktik mund të ndihmojnë në rikthimin e ekulibrit të florës bakteriale vaginale.
- Në raste të luhatjes hormonale, mund të ndihmojnë kremrat që përmbajnë estrogjen.
- Sëmundje të tilla si kistet ose tumoret e mitrës duhet të operohen. Terapitë e rrezatimit ose kimioterapitë mund të jenë të nevojshme në rastin kur sëmundja është malinje.
- Në disa sëmundje, duhet të trajtohet paralelisht edhe partneri, përndryshe ekziston rreziku për të rimarrë infeksionin.
Masat Paraprake
- Shmangia e marrëdhënieve seksuale derisa të rindërtohet përsëri flora bakteriale.
- Shmangia e tamponave
- Të mos pastrohet nga brenda vagina, për shkak së dëmtohet flora bakteriale, dhe për faktin se ajo ka veti vetëpastruese.
- Të mos konsumohen sheqerna në rastet me myk vaginal, për shkak se myku vetë ushqehet me sheqer.