logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindroma e syrit të thatë: një nga sëmundjet më të përhapura të syrit.
Sindroma e syrit të thatë: një nga sëmundjet më të përhapura të syrit.

Sindroma e syrit të thatë bën pjesë tek sëmundjet më të përhapura të syrit. Për shkak të një ndryshimi në përbërjen e lotit, sipërfaqja e syrit nuk është më e mbrojtur plotësisht. Kjo situatë shkakton një ndjesi thatësie dhe simptoma të tjera karakteristike.

 Kjo sindromë prek kryesisht femrat, gjatë dhe pas menopauzës. Për të egzistojnë mënyra të ndryshme trajtimi, në varësi të shkallës së zhvillimit të sëmundjes dhe rëndësisë së simptomave.

 

Loti shërben për të njomur (hidratuar) sipërfaqen e syrit, për ta mbrojtur atë kundër faktorëve infektues të ambientit dhe për të ushqyer kornenë (shtresa më e përparme e syrit, që ndikon në aftësinë e shikimit). Filmi i lotit është i përbërë nga tre shtresa:

  • Shtresa mukoze: vendoset direkt mbi sipërfaqen e kornesë, dhe e mbron atë ndaj dëmtimeve të mundshme.
  • Shtresa e mesme ujore: sekretohet nga gjendrat e lotëve, përbëhet nga proteina specifike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në funksionimin e syrit. Ajo ndërhyn edhe në proçeset e riparimit në rastet e dëmtimeve sipërfaqësore të syrit.
  • Shtresa yndyrore: edhe kjo sekretohet nga gjendrat e lotëve, përmban trupa yndyrorë, që pengojnë avullimin e shpejtë të lotit.

Çrregullimet e prodhimit të lotëve, të konstatuara gjatë inflamacioneve të gjendrave të lotëve, mund të ndryshojnë përmbajtjen e tyre në një shkallë të tillë që sipërfaqja e syrit nuk mund të jetë më e mbrojtur plotësisht. Në këtë rast shfaqet thatësia e syrit, e shoqëruar me simptoma të tjera.

Faktorët e rrezikut për sindromën e syrit të thatë:

  • Era e fortë
  • Ajri i thatë (me pak lagështirë)
  • Trupat e huaj
  • Drita e fortë e diellit
  • Drita e fortë gjatë saldimit
  • Sëmundjet e ndryshme (sëmundjet autoimune, artriti reumatoid)
  • Sforcimi i syve (kompjuteri, qepje, leximi)
  • Inflamacionet
  • Përdorimi i medikamenteve të ndryshme, si ata kundër depresionit, kundër alergjisë, etj.
     

Simptomat e kësaj sindrome janë të ndryshme, nga një ndjesi e lehtë irritimi (shkalla 1) deri në gërryerjen e kornesë (shkalla 4), që rrezikon verbimin e pacientit. Simptomat më të shpeshta janë:

  • Skuqje, djegie, të kruajtura në nivelin e syrit, ndjesia e trupit të huaj të përhershëm në sy ose që zhduket dhe rishfaqet përsëri.
  • Turbullim i shikimit
  • Ndryshime në nivelin e kornesë
  • Dëmtime të epitelit të kornesë, formimi i ulçerave korneale (shkalla 4). Kjo shkallë shfaqet rrallë.
  • Në rastet më të rënda, verbim.

 

Diagnostikimi i sindromës së syrit të thatë bazohet tek:

  • Njohja e mjekut me simptomat, kushtet e jetesës dhe të punës (orët e zgjatura përpara kompjuterit, kontakti me lëndë kimike, rrezet e diellit, drita e saldimit, etj.), përdorimin e medikamenteve, mbajtjen e lenteve, etj.
  • Egzaminimi i syve me ndihmën e një llampe okulare specifike, dhe vlerësimi i gjendrave dhe pikave të lotit.
  • Testi i ngjyrës specifike
  • Matja e kohës së çarjes së filmit të lotit (normalisht ndodh për 10-15 sekonda)
  • Testi vlerësues i prodhimit të lotit (testi i Shirmer)

 

Trajtimi varet nga shkaqet dhe nga shkalla e seriozitetit të simptomave.

Masa të tjera

  • Mbajtja e syzeve mbrojtëse, që i sigurojnë syrit hidratim të mirë.
  • Kirurgjia: konsiston në tarsorafinë, që përfaqëson ngushtimin e hapësirës ndërmjet qepallave (qepjen e tyre)

 

Masat e përgjithshme

  • Ndërprerje ose ndryshim i medikamenteve që dyshohen si shkaktare të sindromës
  • Trajtimi i sëmundjeve kryesore (alergjitë)
  • Konsumi i ushqimeve të pasura me acide yndyrore omega 3 (që pakësojnë proçesin inflamator në sipërfaqe të syrit)
  • Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve
  • Mbrojtje e syve

Medikamentet që mund të përdoren në sindromën e syrit të thatë:

  • Lotët artificialë, me ose pa konservantë
  • Xheli, kremërat
  • Kortizonikët
  • Ciklosporina A (me veprim lokal kundër inflamacionit dhe dhimbjes)
  • Substancat sekretagoge (medikamente që nxisin prodhimin e lotëve)
  • Tetraciklina (antibiotik), e përdorur në sy në formën e pomadës ose nga goja në formën e tabletës.
  • Medikamente kundër inflamacionit, në formën e tabletave që merren nga goja.
  • Acetilcisteina: mund të jetë efikase në disa raste.
  • Përdorimi i serumit autolog (serum nga gjaku i vetë pacientit, që përmban faktorë të rritjes dhe substanca anti-inflamatore), në formën e pikave që hidhen në sy.

 

Pjesa më e madhe e rasteve të diagnostikuara me sindromën e syrit të thatë shërohen pas eleminimit të faktorëve të rrezikut.

Nëse sindroma e syrit të thatë është rrjedhojë e sëmundjeve autoimune, të tilla si Sindroma Sjorgren ose Stivens-Xhonson, në rastet e rënda mund të çojë deri në verbim.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.