Krimbat e zorrëve (Nematodët)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Krimbat e zorrëve (nematodët) përfaqësojnë një klasë që përmban rreth 1 milion lloje të ndryshme krimbash. Me 10-1.000 individë/gramë të tokës, ata renditen të dytët ndër kafshët mikroskopike që jetojnë në tokë. Pjesa më e madhe e këtyre specieve kanë një gjatësi nga 0.5-2 mm, por mund të arrijnë deri në 5 cm. Ata janë shumë të hollë, shpesh pa ngjyrë dhe mund të prekin njerëzit, bimët ose kafshët. Pjesa më e madhe e infeksioneve të shkaktuara prej tyre janë beninje (të parrezikshme).
Krimbat e zorrëve mund të mbijetojnë në kushte të këqia higjienike dhe mund të transmetohen tek njeriu nëpërmjet ushqimeve të ndotura ose nga jashtëqitjet. Ata janë të aftë të depërtojnë në organizëm edhe nëpërmjet lëkurës. Gjithashtu, mund të kryhet edhe transmetimi nga bartësi i ndërmjetëm. Kështu, nëse një derr është bartës i tyre, njeriu mund të infektohet nëse konsumon mishin e infektuar të tij.
Personat e infektuar nga krimbat e zorrëve (nematodët) paraqesin disa simptoma karakteristike, që janë:
- Të kruajtura të forta në nivelin e anusit (vrimës së jashtëqitjes), që shfaqen kryesisht natën dhe theksohen kur temperatura është e lartë. Tek gratë dhe vajzat e reja, infeksioni mund të përhapet në vaginë.
- Krimbat janë të dukshëm në feçe (materialet e jashtëqitura) ose në anus (vrimën e jashtëqitjes).

Diagnoza e infeksionit nga krimbat e zorrëve (nematodët) vendoset nga mjeku specialist infeksionist, duke u bazuar në:
- Simptomat që paraqet pacienti dhe historinë e fillimit të tyre.
- Egzaminimin trupor, në mënyrë të veçantë të anusit, që mund ta orientojë mjekun për diagnozën e infeksionit nga nematodët.
- Egzaminimi i feçeve (materialeve të jashtëqitura), për evidentimin e krimbave në to. Kjo proçedurë konfirmon diagnozën e dyshuar nga egzaminimi klinik i pacientit.

Për trajtimin e krimbave të zorrëve (nematodëve) përdoren medikamente që janë tepër efikase. Fëmijët e infektuar prej tyre mund të shkojnë në shkollë, por gjithnjë duke respektuar rregullat e higjienës.
Masa të tjera:
- Higjiena personale maksimale përbën pikën thelbësore të trajtimit të krimbave të zorrëve. Ajo konsiston në banjat e përditshme, larjen e duarve pas çdo vajtje në tualet dhe përpara çdo vakti.
- Ndërrimi dhe larja e përditshme e veshjeve të brendshme, e çarçafëve dhe peshqirit personal, madje edhe të paktën 10 ditë pas përfundimit të trajtimit medikamentoz për krimbat.
- Të evitohen thonjtë e zgjatur.
- Të pastrohet me kujdes ambienti i banimit dhe në veçanti dhoma e gjumit.
- Të mos konsumohet ushqim në dhomën e gjumit.
- Të lahen ose të qërohen frutat përpara ngrënies së tyre
- Është e nevojshme të trajtohen me medikamente specifike të gjithë pjesëtarët e familjes së personit të infektuar nga krimbat e zorrëve.
- Të evitohet konsumi i ushqimeve dhe pijeve të ëmbla
- Të konsumohen ushqime të pasura me fibra (fruta dhe perime të freskëta)