Metoda e temperaturës (Metoda e kurbës së temperaturës, Metoda e kurbës termike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është metoda e temperaturës?
Në sajë të kësaj metode, femrat mund të përcaktojnë ditët e tyre fertile (pjellore) dhe jofertile (jopjellore), që mund të shërbejnë për planifikimin familjar ose kontracepsionin natyral (parandalimin natyral të shtatzënisë). Për këtë qëllim, femra mat çdo mëngjes temperaturën e saj trupore. Gjatë ditëve fertile, kur ndodh ovulacioni, temperatura e trupit rritet lehtësisht. Metoda mund të shërbejë si një metodë kontraceptive natyrale dhe është gjithashtu e përshtatshme për gratë që kërkojnë të mbeten shtatzëna. Si një metodë kontraceptive, metoda e temperaturës kërkon një matje të disiplinuar të temperaturës. Megjithatë, ajo konsiderohet si një metodë mjaft e pasigurt. Shpesh, metoda e temperaturës shoqërohet me testin e mukusit vaginal.
Metoda e temperaturës është një vetë-ekzaminim i kryer nga femra.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Metoda e temperaturës mund të kryhet pa asnjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Asgjë e veçantë nuk duhet sqaruar paraprakisht. Në rastet me cikle të parregullta, matja e temperaturës trupore është më pak e praktikuar.
Si praktikohet metoda e temperaturës?
Gruaja e mat temperaturën e trupit çdo mëngjes, menjëherë pas zgjimit, para se të ngrihet nga shtrati. Vlerat e matura shënohen në një grafik të temperaturës, me të cilin ajo pajiset paraprakisht nga gjinekologu. Në bazë të ndryshimit të temperaturave, mund të përcaktohen retrospektivisht ditët fertile dhe jofertile të muajit. Gjatë gjysmës së parë të ciklit menstrual, temperatura trupore është më e ulët. Në mes të ciklit, në kohën e ovulacionit, temperatura rritet lehtësisht në hapësirën e 48 orëve, dhe mbetet mesatarisht e lartë për 10 deri në 12 ditë. Nga dita e tretë pas rritjes së temperaturës dhe deri në menstruacionin e radhës, është e sigurt që veza nuk është më pjellore. Edhe në fazën e parë të ciklit, deri në 7 ditë përpara ngritjes së temperaturës, ditët gjithashtu konsiderohen jopjellore, por besueshmëria është më e ulët.
Gjatë praktikimit të metodës së temperaturës, duhet të merren në konsideratë këshillat e mëposhtme:
- Nëse është e mundur, temperaturën mateni gjithmonë në të njëjtën orë në mëngjes, menjëherë pas zgjimit.
- Mateni temperaturën gjithmonë në të njëjtin vend: në gojë, në anus ose në vaginë. Matja në nivelin e sqetullës është më pak e saktë.
- Rrethanat e ndryshme mund të ndikojnë në temperaturën e trupit dhe gjithmonë duhet të vihen në dukje dhe të merren parasysh gjatë vlerësimit. Në to përfshihen: mungesa e gjumit, stresi, infeksionet febrile (me temperaturë të lartë), abuzimi me alkoolin, puna me zhvendosje, etj.
Kur praktikohet metoda e temperaturës?
Metoda e temperaturës përdoret nga femrat për kontracepsionin natyror dhe anasjelltas, nga femrat që kërkojnë të mbeten shtatzëna.
A paraqet metoda e temperaturës rreziqe ose efekte të padëshiruara?
- Si metodë natyrale kontraceptive, metoda e temperaturës kërkon matje të disiplinuar dhe të saktë të temperaturës trupore.
- Faktorë të ndryshëm, si stresi, mungesa e gjumit, puna me zhvendosje, ose konsumimi i alkoolit, mund të ndikojnë në temperaturën trupore dhe ciklin menstrual.
- Nuk siguron mbrojtje kundër sëmundjeve ose infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Vetëm prezervativët e mundësojnë këtë.
- Në raste të cikleve të parregullta, metoda e temperaturës nuk është e besueshme.