Fibrilacioni ventrikular
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Fibrilacioni ventrikular përfaqëson rritjen patologjike të shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës, pra shpejtimin e ritmit të saj. Në këtë rast, shfaqen çrregullimet e ritmit, ku zemra rreh më shpejt, në mënyrë të çrregullt, dhe për pasojë ajo nuk është më e aftë të kryejë funksionin e saj pompues (për hedhjen e gjakut në qarkullim).
Kujdes: duhet të dallohet fibrilacioni ventrikular nga flateri ventrikular:
- Flateri ventrikular : karakterizohet nga një shpeshtësi e rrahjeve të zemrës mbi 300 në minutë. Ky çrregullim shndërrohet shumë shpesh në fibrilacion ventrikular.
- Fibrilacioni ventrikular: karakterizohet nga një shpeshtësi e rrahjeve të zemrës mbi 400 në minutë. Zemra nuk është e aftë të realizojë funksionin e saj. Për pasojë ndodh humbja e ndërgjegjes së pacientit, madje edhe vdekja e tij, në rast se nuk trajtohet si një urgjencë mjekësore.
- Sëmundjet e arterieve koronare
- Infarkti i miokardit
- Embolia pulmonare
- Miokarditi
- Aneurizma e zemrës (fryrje e murit të saj)
Fillimisht, të gjitha këto sëmundje mund të jenë në origjinën e çrregullimeve të lehta të ritmit të zemrës, në formën e ekstrasistolave, që pacienti i percepton si rrahje të çrregullta të zemrës. Këto ekstrasistola mund të shndërrohen në flater ose fibrilacion ventrikular.
Shkaqe të tjera:
- Disa medikamente që përdoren për zemrën
- Medikamentet që përdoren për anestezi (mpirje)
- Çrregullimet e nivelit të elektroliteve në gjak
- Çrregullimet e transmetimit të ngacmimit elektrik në zemër

Shenja kryesore e fibrilacionit ventrikular është humbja e ndërgjegjes dhe mungesa e pulsit. Bëhet fjalë për ndalim kardio-vaskular, ku kërcënohet jeta e pacientit. Për këtë arsye, është e detyrueshme që pacienti të trajtohet menjëherë në njësitë e terapisë intensive (reanimacion). Dëshmitarët mund t’i japin personelit mjekësor informacionin e nevojshëm lidhur me rrethanat e ngjarjes.
- Të telefonohet shërbimi i urgjencës të qytetit përkatës
- Të realizohet asistenca mjekësore e menjëhershme, me kryerjen e: elektrokardiogramës (EKG) dhe goditjen elektrike (nxitjen elektrike me defibrilator) në zemër.

Fibrilacioni ventrikular përfaqëson një urgjencë të vërtetë mjekësore. Për pasojë, në këtë rast duhet të zbatohen:
- Proçedurat e menjëhershme të reanimimit (masazhi në zemër dhe ajrosja artificiale)
- Të njoftohet mjeku i urgjencës
- Masazhi i zemrës dhe ajrosja artificiale e mbajnë pacientin në jetë. Gjithsesi, vetëm goditja elektrike (defibrilatori) mund të konvertojë një fibrilacion ventrikular, pra të kthejë ritmin normal të zemrës. Kjo është arsyeja pse duhet të njoftohet menjëherë personeli mjekësor i urgjencës.
Masat e përgjithshme
Masat e përgjithshme kur fibrilacioni ventrikular arrin të menaxhohet:
- Të trajtohen sëmundjet kryesore
- Pas kontaktit me mjekun: të pakësohet doza, të ndërpriten ose të ndryshohen (zëvendësohen) medikamentet që mund të kenë shkaktuar fibrilacionin ventrikular.
- Vendosja e një defibrilatori automatik (një tip nxitësi për zemrën, që rregullon ritmin e saj duke shkaktuar automatikisht një goditje të vogël elektrike), në rast të shfaqjes së një çrregullimi të ri të ritmit të zemrës.
Të gjitha mënyrat e reanimimit (masazhi i zemrës, ajrosja artificiale dhe goditja elektrike) nuk janë gjithmonë efikase. Suksesi i tyre varet nga sëmundja kryesore dhe nga momenti i fillimit të proçedurave të reanimimit (mundësisht menjëherë pas mbërritjes së mjekut).
Të evitohen ose të pakësohen faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës. Gjithashtu, është mjaft i rëndësishëm trajnimi profesional i rregullt i personelit mjekësor, lidhur me mënyrat e reanimimit në raste të tilla, për të shpëtuar jetën e personave të rrezikuar.