Embolia pulmonare (Trombozat venoze të këmbëve)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Tromboza karakterizohet nga formimi i një koagule të gjakut, të quajtur gjithashtu tromb, në brendësi të një ene gjaku, që shkakton ngushtim deri në bllokim të enës përkatëse.
Ndër trombozat venoze, ato të këmbëve dhe të legenit janë më të shpeshtat. Kur një tromb shkëputet nga vendi i formimit, ai mund të shkaktojë emboli pulmonare që mund të jetë vdekjeprurëse për pacientin. Përmes faktorëve të rrezikut, përfshihet pozicioni ulur për kohë të gjatë, prania e variçeve dhe disa çrregullime të gjakut, të trashëguara.
Trombozat e venave të këmbëve mund të shkaktohen nga faktorët e mëposhtëm:
- Ngadalësim i qarkullimit të gjakut si pasojë e qëndrimit me regjim shtrati, psh. pas një ndërhyrjeje kirurgjikale ose gjatë qëndrimit ulur për kohë të gjatë.
- Modifikimet e përbërjes së gjakut, siç ndodh pas përdorimit të pilulave kontraceptive ose pas marrjes së estrogjeneve.
- Çrregullimet në nivelin e murit të enëve të gjakut.
- Regjimi i zgjatur në shtrat, kryesisht pas operacioneve.
- Disa ndërhyrje kirurgjikale, si ato në gju, kofshë dhe në fundin e barkut, shoqërohen me një rrezik më të madh për tromboza.
- Prania e një kanceri.
Faktorët e rrezikut
- Duhanpirja
- Trashëgimia familjare
- Faktorë të trashëgueshëm, si mungesa e proteinës C, apo e proteinës S.
- Infeksionet
- Palëvizshmëria gjatë udhëtimeve dhe pas një operacioni ose aksidenti.

Trombozat sipërfaqsore:
- Ndjesia e rëndesës, dhimbjet në këmbë
- Skuqjet, ndjesia e enjtjes dhe e nxehtësisë në këmbë.
- Trombi mund të palpohet (preket)
Trombozat e thella:
- Rritje e vëllimit të këmbës
- Ndjesia e rëndesës dhe dhimbjes në këmbë
- Trombi nuk mund të palpohet
Embolia pulmonare:
- Krizë kolle
- Dhimbje e menjëhershme, e tipit shtrëngues në kafazin e kraharorit
- Vështirësi në frymëmarrje
- Ankth, axhitim
- Fryrje e venave të qafës
- Puls i shpejtë
- Defiçit në oksigjen, me zbehje të buzëve, të lëkurës dhe të thonjve të gishtave (cianozë)
- Rënie e tensionit arterial, që mund të arrijë deri në gjendjen e shokut kardio-vaskular, në varësi të rëndësisë së embolisë.

Për diagnostikimin e trombozave venoze të këmbëve, janë të nevojshme:
- Informimi i mjekut me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit
- Matja e nivelit të gazeve në gjak dhe saturimit (ngopjes) me oksigjen
- Ekzaminimet e gjakut, analizat e kapjes së oksigjenit, të koagulimit të gjakut me dozimin e D-dimerit, vlerësimi i shkallës së rrezikut duke iu referuar faktorëve negativë të pranishëm.
- Ekografia e venave të këmbëve
- Skaneri spiral, i cili është një egzaminim i specializuar që bën të dukshme venat pulmonare, kur dyshohet për emboli pulmonare
- Ekografia e zemrës, në rast se dyshohet për një emboli pulmonare.

Tromboza venoze është një urgjencë mjekësore, që ka nevojë për menaxhim të menjëhershëm nga personeli mjekësor. Trajtimi i saj varet nga lokalizimi dhe nga rëndësia e trombozës. Qëllimi i trajtimit është stabilizimi i qarkullimit venoz sa më shpejt që të jetë e mundur.
Medikamentet: përdorimi i antikoagulantëve (holluesve të gjakut), si heparina dhe antagonistët e vitaminës K (që merren nga goja). Testi biologjik i përshtatshëm për ndjekjen e këtij trajtimi është testi Kuik. Zgjatja e trajtimit është rreth 3 muaj.
Nëse ka variçe të këmbës: bëhet fashimi i saj. Për të ruajtur venat e këmbëve dhe parandaluar variçet e tyre, rekomandohet përdorimi i çorapeve të llastikut.
Trajtimi i embolisë pulmonare është i ngjashëm. Në rastin e trombit të madh ose të embolisë në nivelin e arteries kryesore të mushkërive, përdoren medikamentet trombolitike për shkrirjen e trombit ose kryhet heqja e tij me rrugë kirurgjikale (trombektomia). Një mundësi tjetër është anashkalimi i arteries së bllokuar nga një baipas venoz. Në rastin e embolisë pulmonare, trajtimi me antikoagulant do të vazhdojë më gjatë se në rastin e trombozave venoze. Në rast se trombozat përsëriten, megjithë trajtimin korrekt mjekësor, mund të kryhet vendosja e një filtri për të penguar trombin që të shkojë në mushkëri.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, është thelbësore që pacienti të lëvizë sa më shpejt nga shtrati
Trajtimi shtesë në rastin e embolisë pulmonare, në kushte spitalore, konsiston në regjimin e shtratit, përdorimin e medikamenteve kundër dhimbjes dhe administrimin (furnizimin e rregullt dhe të vazhdueshëm) e oksigjenit.
Nëse trajtohen në mënyrë korrekte, trombozat shërohen shpesh pa ndërlikime të rënda. Në rastin e trombozave të përsëritura, duhet të kryhet bilanci komplet i egzaminimeve. Në rastin e trombozës, rreziku më i madh është një koagul gjaku që zhvendoset dhe bllokon një arterie tjetër, duke rrezikuar kështu për një infarkt të trurit (cerebral). Në nivelin e zemrës, mund të konstatohet shfaqja e fibrilacionit atrial. Pikërisht për këtë arsye rekomandohet përdorimi për kohë të gjatë i medikamenteve që hollojnë gjakun (antikoagulantë).
Pacientët që kanë qenë më parë viktima të trombozave, janë më të rrezikuar për të kaluar një episod tjetër të tyre. Një rrezik tjetër në këtë drejtim është edhe dobësia e venave periferike, që manifestohet me shfaqjen e edemave (enjtjeve), variçeve, inflamacioneve të lëkurës dhe ulçerave.
Ndërlikimet në rastin e embolisë pulmonare:
- Pleurezia (inflamacion i cipës që vesh munshkëritë)
- Infarkti i mushkërive me uljen e funksionit të tyre (kollë dhe gëlbazë me gjak)
- Pneumoni (inflamacion i mushkërive)
- Dobësi e muskulit të zemrës (insuficiencë e anës së djathtë të zemrës)

Masat më efikase të parandalimit konsistojnë në kryerjen e aktivitetit fizik të rregullt dhe konsumimin e lëngjeve në sasi të mëdha. Gjatë udhëtimeve, për personat e rrezikuar rekomandohet përdorimi i çorapeve të llastikut. Mjeku specialist angiolog, që e ka parë rastin, duhet të vlerësojë mundësinë e fillimit të një trajtimi parandalues.
- Pas ndërhyrjes kirurgjikale ose shtatzënisë, pacientët/pacientet duhet të fillojnë të ecin sa më shpejt që të jetë e mundur.
- Parandalimi i trombozave nëpërmjet trajtimit me medikamente ose me çorape llastiku
- Eleminimi ose pakësimi i faktorëve të rrezikut.