logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Skleroza amiotrofike anësore: dobësi progresive e muskujve.
Skleroza amiotrofike anësore: dobësi progresive e muskujve.

Skleroza amiotrofike anësore është një sëmundje kronike e sistemit nervor qëndror, që përparon në mënyrë graduale. Ajo shkaktohet nga dëmtimi i neuroneve motore (qelizave nervore të lidhura me lëvizjen) të palcës kurrizore dhe të asaj pjese të sistemit nervor që është përgjegjëse për kontrollin e lëvizjeve të muskujve të skeletit.

SAA përfaqëson një sëmundje të rëndë, për shërimin e të cilës nuk disponohet ende ndonjë trajtim efikas. Jetëgjatësia mesatare e pacientëve nga momenti i diagnostikimit arrin 3-4 vjet.

 

Tek një pjesë e vogël pacientësh, skleroza amiotrofike anësore (SAA) shkaktohet nga një faktor gjenetik (i trashëgueshëm), ndërkohë që në pjesën më të madhe të tyre shkaku i saj mbetet i paqartë. Aktualisht janë ende në diskutim hipotezat lidhur me grumbullimin e depozitave toksike në nivelin e sistemit nervor qëndror, që mund të jenë të dëmshme për neuronet motore.

Nga SAA preken neuronet e para dhe të dyta motore. Neuroni i parë motor e ka origjinën në koren e trurit dhe zgjatet deri në palcën kurrizore. I dyti lidh palcën kurrizore me muskulaturën e skeletit.

 

Dobësia muskulare në pacientët me sklerozë amiotrofike anësore.
Dobësia muskulare në pacientët me sklerozë amiotrofike anësore.

Simptomat e sklerozës amiotrofike anësore (SAA) janë të ndryshme, në varësi të faktit nëse dëmtimi është më i madh në nivelin e neuroneve të trurit apo të atyre që e kanë origjinën në palcën kurrizore. Gjithsesi, pavarësisht këtij fakti, simptoma e parë e SAA është dobësia muskulare.

Njihen dy forma të SAA:

  • Forma që shfaqet fillimisht në nivelin e krahëve dhe të këmbëve, që haset në rreth 80% të rasteve.
  • Forma që karakterizohet nga çrregullime të gëlltitjes dhe të të folurit, që haset në rreth 20% të rasteve.

Simptomat shoqëruese, karakteristike për SAA janë:

  • Dobësia muskulare
  • Atrofia muskulare, që konsiston në pakësimin e masës muskulare (muskulaturë e flashkët)
  • Ngurtësimi i pavullnetshëm (shtangësia)

Fillimisht, sëmundja mund të manifestohet me ngërçe muskulare, kryesisht në nivelin e pulpave të këmbëve. Gjithashtu, mund të shfaqen kontraksione (tkurrje) të lehta ose lëvizje të pavullnetshme të disa grupeve të vogla të muskujve ose fibrave muskulare të izoluara. Pacienti i prekur nga SAA e ruan ndërgjegjen, ai kontrollon plotësisht proçesin e jashtëqitjes, atë të urinimit, si dhe kujtesën (në rast se nuk vuan nga sëmundje të tjera shoqëruese).

Në fillim të sëmundjes, nuk mund të parashikohet në mënyrë të sigurt ecuria e SAA. Pjesa më e madhe e pacientëve vdesin nga paraliza e diafragmës, që konsiderohet "motori i frymëshkëmbimit".

 

Elektromiografia për diagnostikimin e sklerozës amiotrofike anësore.
Elektromiografia për diagnostikimin e sklerozës amiotrofike anësore.

Diagnoza e sklerozës amiotrofike anësore (SAA) përcaktohet nga mjeku specialist neurolog, duke u bazuar në:

  • Njohjen e mjekut me simptomat e pacientit, historinë dhe mënyrën e fillimit të tyre.
  • Ekzaminimi fizik i pacientit, me vlerësim të hollësishëm të funksioneve të sistemit nervor.
  • Analizat e gjakut, për të përjashtuar praninë e sëmundjeve të tjera shoqëruese.
  • Punksioni lumbar (tërheqja me shiringë) i lëngut cerebro-spinal (të trurit dhe palcës kurrizore).
  • Skaneri i kokës
  • Rezonanca magnetike, për të përjashtuar sëmundje të tjera nervore.
  • Elektromiografia (EMG), që realizon regjistrimin e aktivitetit elektrik të grupeve të muskujve të izoluar
  • Egzaminime të tjera elektrike të nervave.

 

Gjimnastika për lehtësimin e simptomave të sklerozës amiotrofike anësore.
Gjimnastika për lehtësimin e simptomave të sklerozës amiotrofike anësore.

Sa më herët të vendoset diagnoza e sklerozës amiotrofike anësore (SAA), për pasojë edhe fillimi i trajtimit të saj, aq më efikas do të jetë ai në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Gjithsesi ai nuk realizon shërimin e plotë të saj.

Mbrojtja e qelizave nervore me medikamente

  • Riluzoli është medikamenti i vetëm që ka ndikim pozitiv mbi përparimin e sëmundjes.
  • Vitamina E mund të ngadalësojë ndjeshëm përparimin e SAA, por nuk ndikon mbi ecurinë për kohë të gjatë të saj ose në shkallën e mbijetesës së pacientëve.

Trajtimi i simptomave të SAA

  • Për ngërçet muskulare rekomandohet shtrirje pasive e muskulit të prekur. Nëse kjo manovër nuk mjafton, duhet të përdoren medikamente që lirojnë ngërçet. Rreziku i shfaqjes së ngërçeve mund të pakësohet nëpërmjet aktivitetit fizik të rregullt, ushtrimeve gjimnastikore dhe mbajtjes së këmbëve në pozicion të ngritur.
  • Për dobësinë muskulare dhe paralizat rekomandohet psikoterapia, lëvizjet pasive dhe ndihma për të lëvizur.
  • Për ngurtësimin e pavullnetshëm rekomandohen medikamente dhe gjimnastikë.
  • Për çrregullimet e të folurit (dizartria) rekomandohet terapi për të folurën dhe ndihmë për zhvillimin e aftësive komunikuese me një specialist Logoped.
  • Për çrregullimet e përtypjes dhe të gëllitijes (disfagia), rekomandohen ushtrime të lidhura me përtypjen dhe gëlltitjen, pakësimin e pështymës, dhe përdorimin e tubit për ushqyerje, kur është i nevojshëm.

 

Edhe në ditët e sotme nuk eKziston ndonjë trajtim specifik, që të mund të shërojë sklerozën amiotrofike anësore (SAA). Sëmundja përparon në mënyrë graduale. Pas një periudhe të caktuar kohore, të ndryshme për pacientë të ndryshëm, sëmundja mund të shkaktojë situata të vështira, në të cilat pacienti nuk është më në gjendje të kryejë vetë frymëshkëmbimin, për shkak të paralizës së diafragmës. Në këto kushte, pacienti ka nevojë për frymëmarrje artificiale të menjëhershme.

Për shkak të çrregullimeve të gëlltitjes, si ndërlikim i SAA konsiderohen edhe pneumonitë (inflamacionet e mushkërive) e përsëritura. Veçanërisht e rëndë është pesha psikologjike që mban pacienti gjatë ecurisë së sëmundjes, pasi ai është krejtësisht i ndërgjegjshëm për përkeqësimin e gjendjes së tij fizike.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.