logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimet obsesive: veprime të papërmbajtshme, të përsëritura..
Çrregullimet obsesive: veprime të papërmbajtshme, të përsëritura..

Personat që vuajnë nga çrregullimet obsesive frenohen nga mendime fikse të frikshme, të vështira për t’u injoruar. Personat janë të vetëdijshëm që këto mendime janë të pabaza dhe joproporcionale, por përpjekjet për t’u rezistuar atyre dështojnë, duke shpërthyer një nivel të patolerueshëm ankthi.

Një mendim fiks i shpeshtë është frika e të qënit i pistë dhe i infektuar nga mikrobe, si bakteriet ose virusi i SIDA-s. Në këtë rast, vetëm prekja me dorë e një objekti (çelësi apo doreza e derës) mund të mjaftojë shpesh për të shkaktuar një ritual të larjes së duarve, që mund të zgjasë për disa orë. Të tjera mendime fikse shoqërohen me rituale të verifikimit, të përsëritjes së një fjale ose numri, ose të ruajtjes.

Në fakt, në moment të caktuara, çdo njeri mund të ketë ide dhe impulse shqetësuese. Kështu, kur largohemi nga shtëpia, ne pyesim veten nëse e kemi fikur sobën, edhe pse e dimë shumë mirë që gjithmonë e fikim atë kur mbarojmë së gatuari.

Megjithatë, ne kthehemi në shtëpi për të verifikuar nëse e kemi fikur vërtet sobën. Kjo mënyrë e sjelljes bëhet patologjike, pra përbën sëmundje, kur ajo fillon të ndikojë mbi cilësinë e jetës dhe bën që personi të vuajë prej saj.

Pikërisht në këto raste flitet për çrregullim obsesiv.

Si faktorë favorizues për zhvillimin e çrregullimeve obsesive konsiderohen:

  • Ndjeshmëria e lartë emocionale e trashëguar
  • Çrregullimet metabolike në nivelin e trurit, që përfshijnë veçanërisht serotoninën, e cila mundëson transmetimin e impulsit nervor.
  • Faktorët psikologjikë dhe shoqërorë, si traumat e përjetuara gjatë fëmijërisë, situatat e tjera të vështira të kaluara gjatë jetës ose problemet emocionale, edukimi i tepruar në drejtim të pastërtisë, natyra anksioze (e shqetësuar) ose disa veçori të personalitetit.
  • Çrregullimet obsesive konstatohen në 1-2% të popullatës. Shpesh, simptomat e para shfaqen që në fëmijëri ose adoleshencë dhe arrijnë kulmin e tyre në moshën 20-25 vjeç. Në moshën e rritur, nga këto çrregullime preken njëlloj si meshkujt edhe femrat.

Për të kuptuar më mirë simptomat e çrregullimeve obsesive, fillimisht duhet të bëhet dallimi ndërmjet ritualeve fikse, mendimeve fikse dhe impulseve fikse.

  • Ritualet fikse janë veprime që përsëriten. Pacienti ndihet i detyruar të kryejë disa rituale për të penguar shfaqjen e fenomeneve që e frikësojnë. Megjithatë, ai e di që kjo situatë është qesharake.Kështu, pacienti thotë: «duhet të pastroj çdo ditë shtëpinë me themel që të mos më ndodhë ndonjë aksident i tmerrshëm». Sjelljet rituale më të shpeshta janë: larja, pastrimi, verifikimi, vendosja e rregullit, përsëritja e një shifre ose një fjale, si dhe rituale të tjera. Ankthi luan rol qëndror në çrregullimet obsesive. Nëse, për një arsye ose për një tjetër, një element i jashtëm pengon kryerjen e ritualit, ankthi arrin në një nivel të padurueshëm për pacientin.
  • Mendimet fikse janë mendime ose ide që e pushtojnë personin, duke e dominuar atë. Shpesh, këto ide janë të papërshtatshme për situatën.
  • Impulset fikse janë impulse që lindin tek një person, lidhur me kryerjen e një veprimi të caktuar. Personi ka frikë se mund të kryejë një akt kriminal ose pervers, por shumë rrallë mund ta kryejë vërtet veprimin. Kështu psh. ai ka një frikë të vazhdueshme se mund të dëmtojë, madje edhe të vrasë fëmijën e tij. Impulset obsesive shpesh përqëndrohen tek seksi dhe feja. Përmbajtja e tyre është shpesh agresive, ku agresiviteti drejtohet kundër vetë personit.

 

Çrregullimet obsesive: diskutimet me mjekun çojnë në një diagnozë korrekte.
Çrregullimet obsesive: diskutimet me mjekun çojnë në një diagnozë korrekte.

Gjatë intervistës me pacientin, mjeku specialist psikiatër mund të zbulojë shenjat e çrregullimeve obsesive. Një element tepër i rëndësishëm për diagnozën është që mendimet ose sjelljet e personit ndikojnë në jetën e tij të përditshme, duke e penguar atë të përfshihet në një jetë normale shoqërore dhe profesionale. Për pasojë, personi vuan. Për të lehtësuar proçesin e diagnostikimit të çrregullimeve obsesive, përdoren disa tipe pyetësorësh.

Pyetjet e mëposhtme mundësojnë përftimin e informacionit të nevojshëm nga pacienti:

  • A i lani shpesh duart gjatë ditës?
  • A kontrolloni ose verifikoni shpesh objekte ose persona të caktuar?
  • A ju vijnë shpesh mendime fikse, që nuk mund t’i largoni?
  • A shqetësoheni shpesh për rregullin dhe simetrinë?
  • A keni nevojë për më shumë kohë për të përmbushur aktivitetet tuaja të përditshme?
  • A ju merr më shumë kohë kryerja e aktiviteteve të caktuara, për shkak të mendimeve tuaja fikse?

Përjashtimi i shkaqeve të tjera, si:

Çrregullimet obsesive: trajtimi me medikamente dhe psikoterapi.
Çrregullimet obsesive: trajtimi me medikamente dhe psikoterapi.

Trajtimi i çrregullimeve obsesive bazohet në kombinimin e psikoterapisë dhe përdorimit të medikamenteve.

Medikamentet

Në pacientët me çrregullime obsesive përdoren medikamentet antidepresante (që luftojnë depresionin), të cilat e shfaqin efektin e plotë disa javë pas fillimit të tyre.

Psikoterapia

Terapia e sjelljes përdoret shpesh për trajtimin e çrregullimeve obsesive. Fillimisht, terapisti analizon mendimet fikse dhe veprimet rituale të pacientit. Në një etapë të dytë, pacienti përballet në mënyrë graduale me situatat e frikshme, në mënyrë që ai të ndërgjegjësohet që ato nuk e japin vërtet efektin negativ që ai kishte menduar. Kështu, psh. pacienti ndihmohet të kuptojë që prekja e objekteve të pista nuk shkakton infeksion. Në të tilla raste aplikohet edhe trajnimi autogjenik. Në terapinë e sjelljes duhet të përfshihet e gjithë familja e pacientit dhe miqtë e tij, me qëllim që të evitohet tërheqja shoqërore dhe izolimi i tij. 

Ecuria e çrregullimeve obsesive është shpesh kronike (me rishfaqje), me një ndikim gjithnjë e më të madh mbi jetën e pacientit. Në fakt, meqenëse ritualet marrin shumë kohë, pacienti nuk mund të kryejë aktivitete të tjera të nevojshme gjatë ditës. 

Pasoja e këtij proçesi është: tërheqja shoqërore e pacientit dhe izolimi i tij. Tek disa pacientë mund të shfaqen probleme fizike, si ekzema si pasojë e larjes së shpeshtë të duarve. Në disa raste, çrregullimi obsesiv mund të arrijë përmasa të tilla që shpëtimi i vetëm për pacientin mbetet vetvrasja.

Sa më herët të fillojë trajtimi i këtyre çrregullimeve, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të tyre. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet hezituar për të kërkuar ndihmën e specialistëve. Fshehja e simptomave dhe vazhdimi i jetës pa filluar trajtimin përkatës vetëm sa e rëndon sëmundjen. Në shumë raste, trajtimi i përshtatshëm lehtëson simptomat dhe përmirëson cilësinë e jetës së këtyre pacientëve.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.