Sëmundja Sudeck (Distrofia Sudeck)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sëmundja (distrofia) Sudeck është një sëmundje inflamatore e indit lidhor. Ajo shfaqet përgjithësisht pas një dëmtimi në nivelin e krahut, dorës, shpatullës, kërcirit ose këmbës. Kjo sëmundje karakterizohet nga rishfaqja e dhimbjeve, enjtjeve, problemeve të lëvizshmërisë, ndryshimeve në lëkurë si dhe ndryshimeve të temperaturës në zonën e plagës, pas shërimit. Në raste më të rënda, mund të konstatohet humbje e plotë e funksionit të gjymtyrës së prekur.
Trajtimi i sëmundjes Sudeck kërkon bashkëpunim dhe shumë durim nga ana e pacientit. Sa më herët të fillohet trajtimi, aq më të mëdha janë mundësitë për t’u shëruar. Femrat në menopauzë preken më shpesh nga sëmundja Sudeck.
Sëmundja ka marrë emrin e kirurgut Paul Sudeck në vitet 1900, edhe pse ajo ishte përshkruar edhe më parë tek ushtarët e plagosur me armë zjarri.
Si shkaqe të sëmundjes Sudeck konsiderohen:
- Dëmtimet e gjymtyrëve pas një aksidenti (thyerje, shembje, përdredhje, djegie), plagët e operacioneve, infeksionet lokale (abceset).
- Fizioterapia intensive, pas një periudhe qetësie pas dëmtimit.
- Sëmundjet neurologjike
- Shfaqja në mënyrë spontane e sëmundjes Sudeck, pa një shkak të dukshëm (rrallë).
Shfaqja e sëmundjes Sudeck nuk varet nga shkalla e rëndesës së plagosjes, pasi ajo mund të ndodhë edhe në plagosjet tepër të lehta. Për këtë arsye, mendohet që në origjinën e kësaj sëmundjeje qëndron një mekanizëm reflektor i tepruar i sistemit nervor. Gjithashtu, edhe faktorët psiqikë të pranishëm para aksidentit, të tillë si vdekja e një të afërmi, problemet në çift, problemet profesionale ose të tjera, depresioni dhe ankthi, duket se e favorizojnë shfaqjen e sëmundjes Sudeck.
Aktualisht, nuk dihet gjithmonë pse një person zhvillon sëmundjen Sudeck dhe një tjetër jo, edhe pse paraqesin të dy të njëjtin dëmtim paraprak.
Sëmundja Sudeck karakterizohet nga tri stade:
- Stadi I manifestohet me inflamacion lokal të shoqëruar me enjtje, nxehtësi dhe skuqje në zonën e plagës.
- Stadi II manifestohet me çrregullime të qarkullimit të gjakut, të shoqëruara me ftohje lokale.
- Stadi III manifestohet me atrofi.

Pacienti me sëmundjen Sudeck paraqet këto simptoma:
- Dhimbje, të cilat shfaqen në qetësi, natën dhe gjatë lëvizjeve.
- Ndryshime në lëkurë të tipit: enjtje lokale (lëkura bëhet e tendosur dhe e shkëlqyeshme), ngjyrosje në blu në të kuqe, me djersitje të tepruar dhe venat sipërfaqësore bëhen tepër të dukshme.
- Ndryshim të temperaturës: në fillim zona e plagës është më e nxehtë se pjesët e tjera të shëndetshme të trupit, më pas ajo bëhet më e ftohtë se ato.
- Enjtje që konstatohet në nivelin e kyçeve dhe është përgjegjëse për kufizimin e lëvizshmërisë së tyre.
Në një stad të avancuar shfaqet:
- Atrofia muskulare: pas enjtjes, muskujt bëhen shumë të hollë.
- Atrofia e lëkurës: lëkura duket e butë, me shkëlqim dhe është e vështirë të kapet. Gjithashtu shtohen qimet në nivelin e shpinës së dorës dhe të këmbës.
- Ngurtësimi i kyçeve: ndodh si pasojë e atrofisë së kapsulave dhe ligamenteve të tyre.
- Ulja e temperaturës: me ftohje në zonën e plagës, si pasojë e mungesës së qarkullimit të gjakut në këtë zonë.
- Osteoporoza: është e dukshme vetëm në radiografi.

Nuk ekziston asnjë test biologjik specifik që të konfirmojë diagnozën e sëmundjes Sudeck. Për këtë arsye, diagnoza vendoset nga mjeku duke u bazuar kryesisht mbi ekzaminimin fizik të pacientit dhe historinë e sëmundjes së tij. Në këtë drejtim, janë të nevojshme të kryhen:
- Matja e temperaturës në zonën e plagës dhe krahasimi i saj me temperaturën e një zone tjetër të shëndetshme të trupit.
- Matja e sasisë së djersës
- Radiografia, skaneri, rezonanca magnetike, për të evidentuar një osteoporozë të mundshme.
- Bllokimi i aktivitetit të sistemit nervor simpatik, nëpërmjet anestezisë lokale. Kjo proçedurë vlen si në aspektin diagnostik, ashtu edhe për trajtimin e sëmundjes Sudeck, pasi sistemi nervor simpatik është pjesë e sistemit nervor autonom.
- Shintigrafia në tri faza, që është një ekzaminim specifik i mjekësisë bërthamore.
Dhimbjet dhe enjtjet në nivelin e gjymtyrëve mund të shkaktohen edhe nga sëmundje të tjera, të cilat duhet të përjashtohen që në fillim nga mjeku. Të tilla janë: tromboza e venave, limfedema në rastin e grumbullimit të likidit dhe të çrregullimeve të sistemit limfatik, prekja e nyjeve limfatike në rastin e kancerit të gjirit.

Fillimi i hershëm i trajtimit, shpesh në kushte spitalore, nga një mjek specialist reumatolog, anestezist, ortoped dhe ndonjëherë neurolog, është përcaktues lidhur me mundësitë e shërimit të sëmundjes Sudeck. Është thelbësore të trajtohen njëherësh si faktorët fizikë, edhe ata psiqikë.
Qëllimi i trajtimit është të ruhet funksionimi normal i pjesës së trupit të prekur nga sëmundja Sudeck, pra lëvizshmëria e gjymtyrës së prekur. Trajtimi kërkon shumë durim si nga mjeku ashtu edhe nga pacienti. Është tepër e vështirë të ndikohet mbi ecurinë e sëmundjes, ndërkohë që dhimbjet shkaktojnë probleme të rëndësishme psikologjike.
Mënyra të tjera plotësuese të trajtimit
Bëhet fjalë për disa metoda të tjera, që kanë rezultuar efikase në trajtimin e sëmundjes Sudeck. Të tilla janë: metoda Feldenkrais (formë specifike e terapisë së lëvizjes), terapia neurale, homeopatia dhe akupunktura. Këto metoda mund të aplikohen krahas trajtimit klasik.
Medikamentet
Trajtimi medikamentoz i dhimbjes
Në radhë të parë, nuk rekomandohet aplikimi i proçedurave të ngrohta me iniciativën e pacientit ose familjarëve të tij, pasi ato përgjithësisht i rëndojnë simptomat.
Trajtimi i dhimbjes përshtatet sipas tipit të saj. Për këtë qëllim përdoren:
- Medikamentet kundër reumatizmës, që rekomandohen në rastet me dhimbje të zgjatura dhe inflamacion.
- Medikamentet kundër depresionit që rekomandohet në rastet me dhimbje të zgjatura dhe çrregullime të gjumit.
- Medikamentet opioide, që rekomandohen në rastet me dhimbje tepër të forta, dhimbjet me origjinë nga sistemi nervor simpatik dhe dhimbjet muskulare.
Mundësi të tjera për menaxhimin e dhimbjes
- Bllokimi i aktivitetit të sistemit nervor simpatik, nëpërmjet mpirjes (anestezisë) lokale. Kjo proçedurë vlen si në aspektin diagnostik, ashtu edhe për trajtimin e sëmundjes Sudeck, pasi sistemi nervor simpatik është pjesë e sistemit nervor autonom.
- Nxitja elektrike e palcës së kurrizit.
- Mpirja (anestezia) epidurale, që bllokon përçueshmërinë në nivelin e palcës së kurrizit.
Medikamentet e tjera
Medikamentet që frenojnë shkatërrimin e kockës (kalcitonina, bifosfonatet).
Operacionet
Fizioterapia dhe Ergoterapia
Është e rëndësishme që pacienti të bashkëpunojë, të jetë aktiv dhe të marrë përgjegjësitë e tij gjatë këtij trajtimi.Që në fillim, pjesa e prekur duhet të vendoset në qetësi (e palëvizur), në pozicion të ngritur, mundësisht në allçi. Ajo duhet të freskohet (jo me akull!), nëpërmjet banjave të freskëta të dioksidit të karbonit.
Gjithashtu rekomandohet:
- Drenimi limfatik manual
- Elektroterapia, SNET (stimulimi nervor elektrik transkutan) që frenon transmetimin e dhimbjes në sajë të stimulimit nervor nëpërmjet rrymës elektrike.
- Masazhet e indit lidhor
- Kinezioterapia aktive
- Ergoterapia, për ruajtjen e lëvizshmërisë së zonës së prekur.
- Trajnimi specifik me specialistët
- Ushtrimi i teknikave të relaksimit, të shoqëruara me këshillim psikosocial.
Masat Psikologjike
Psikoterapia
Rekomandohet mbështetja psikologjike dhe psikosociale e pacientit, dhe nëse është e nevojshme, edhe e familjarëve të tij.