logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Lipomatoza është një rritje difuze e indeve dhjamore në pjesë të caktuara të trupit. Nën këtë term përmblidhen tre tipe klinike:

Të gjitha këto sëmundje janë shumë të rralla dhe për pasojë, edhe informacioni mjekësor për shkaqet dhe trajtimin e tyre është ende jo i plotë.
Lipomatoza e dhimbshme karakterizohet nga një mbipeshë e përgjithashme trupore, kronike, e qëndrueshme për të paktën 3 muaj, dhe nga dhimbje në indin dhjamor kryesisht tek këmbët dhe krahët, trungu, zona e legenit dhe të ndenjurat. Sëmundja e Dercum shfaqet zakonisht midis moshës 35 dhe 50 vjeç dhe haset kryesisht tek femrat.

Shkaku i saktë i Lipomatozës së dhimbshme është i panjohur. Diskutohen çrregullimet e hormoneve, presioni i indit dhjamor në fibrat nervore, çrregullimet funksionale të indit dhjamor dhe proçeset inflamatore kronike. Sidoqoftë, nuk ka prova bindëse për asnjërën nga këto teori.

Pacientët me Lipomatozë të dhimbshme raportojnë dhimbje të vazhdueshme dhe ndjeshmëri të shtuar në prekje në indin dhjamor të rritur, i cili nuk i përgjigjet masave dietike. 

Në varësi të masës së rritjes së indit dhjamor dhe dhimbjes, bëhet një dallim midis 4 formave të sëmundjes së Dercum:

  1. Forma difuze e përgjithësuar: indi dhjamor i rritur dhe i dhimbshëm, pa tumore të dallueshme (lipoma)
  2. Forma nodulare e përgjithësuar: indi dhjamor i gjerë dhe i dhimbshëm, me intensifikimin e dhimbjes në zonën e tumoreve të shumta të indit dhjamor (lipomat)
  3. Forma nodulare e lokalizuar: dhimbje vetëm në zonën e lipomave të shumta
  4. Forma juksta-artikulare: grumbullime të dhimbshme të rrumbullakta të dhjamit, si p.sh. në pjesën e brendshme të nyjës së gjurit.

Diagnoza e lipomatozës së dhimbshme bëhet në bazë të informacionit të pacientit dhe një ekzaminimi të plotë fizik nga një mjek i njohur me këtë pamje klinike. Si rregull, nuk kërkohen ekzaminime të mëtejshme. Duhet të përjashtohen ndër të tjera: lipedema, fibromialgjia dhe lipomatoza beninje simetrike.
Nuk ka asnjë terapi të njohur për Lipomatozën e dhimbshme. Në shumicën e rasteve, rekomandohet heqja kirurgjikale e indit të tepërt të dhjamit (lipektomia) ose thithja e dhjamit (liposuction). Në fillim rezultatet janë inkurajuese, por fatkeqësisht në shumicën e rasteve dhimbja kthehet pas një kohe të caktuar. Qetësuesit tradicionale të dhimbjes nuk kanë asnjë efekt. Ka pasur raporte për rezultate pozitive pas përdorimit të lëndëve narkotike në zonën e lipomës (p.sh. novokainë, lidokainë) që injektohen direkt në indin dhjamor ose në venë. Kortizoni gjithashtu është përdorur me sukses.
Lipomatoza e dhimbshme mund të çojë në kufizime të lëvizjes dhe probleme të kyçeve, për shkak të rritjes ekstreme të indit dhjamor. Në përgjithësi, ata që preken nga kjo sëmundje vuajnë nga çrregullime të gjumit, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, ankthi dhe depresioni. Janë përshkruar gjithashtu rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, diabet i sheqerit, dobësi e theksuar dhe dhimbje muskulore.
Nuk ekzistojnë masat specifike parandaluese për Lipomatozën e dhimbshme. Sidoqoftë, duhet të shmanget mbipesha trupore.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.