logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Thyerja e vertebrave: kryesisht për shkak të një aksidenti ose osteoporozës.
Thyerja e vertebrave: kryesisht për shkak të një aksidenti ose osteoporozës.

Thyerja (fraktura) e trupit të një ose disa vertebrave (rruazave) të shtyllës kurrizore është më shpesh aksidentale, ose e shkaktuar nga osteoporoza (ulja e dendësisë kockore).

Nga ky proçes preken më shpesh:

  • Buza e pasme e trupit vertebral dhe muri i diskut ndërvertebror (që lidh dy vertebra fqinje)
  • Harku vertebral dhe proçeset e kyçeve
  • Kompleksi Iigamentar i pasëm i shtyllës kurrizore

Thyerjet e trupit vertebror grupohen në:

  • Thyerje të qëndrueshme: Kjo formë nuk paraqet asnjë rrezik për palcën e kockës.
  • Thyerje të paqëndrueshme: Kjo formë mund të shkaktojë dëmtime të nervave ose të palcës kockore. Thyerja e trupit të vertebrës mund të shoqërohet nga simptoma të ndryshme, si dhimbje ose paraliza në gjymtyrët dhe pjesët e tjera të trupit.

Në thyerjen aksidentale, është i nevojshëm një trajtim sa më i shpejtë. Është mjaft e rëndësishme të përcaktohet nëse bëhet fjalë për thyerje të qëndrueshme ose të paqëndrueshme. Në përgjithësi, thyerjet e qëndrueshme të vertebrave nuk kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në këto raste janë të mjaftueshme vetëm medikamentet që qetësojnë dhimbjet dhe kinezoterapia. Në rastin e thyerjes së qëndrueshme të vertebrave nevojitet trajtimi kirurgjikal për stabilizimin e tyre.

 

Në përgjithësi, një thyerje vertebrale shfaqet pas një rrëzimi, një goditje ose më shpesh pas një aksidenti në punë, me makinë, me motor, gjatë larjes, gjatë rrëshkitjes me ski ose ecjes me biçikleta të rënda. Thyerja e vertebrave mund të shkaktohet edhe nga osteoporoza, pa ndikimin e faktorëve të jashtëm. Humbja e vazhdueshme e dendësisë së kockës shkakton paqëndrueshmëri dhe humbje të elasticitetit të saj. Thyerja e vertebrës mund të jetë pasojë edhe e një tumori.

Thyerja e vertebrës ndodh më tepër në këto pjesë të trupit:

  • Pjesa cervikale e shtyllës kurrizore (zona e qafës), që përmban 7 vertebra
  • Pjesa torakale e shtyllës kurrizore (zona e kraharorit), që përmban 12 vertebra.
  • Pjesa lumbare e shtyllës kurrizore (zona e belit), që përmban 5 vertebra.

 

Simptomat e thyerjes aksidentale të vertebrave varen nga vendi ku ka ndodhur thyerja dhe dëmtimet e mundshme të nervave dhe/ose palcës së kockës. Nëse thyerja është e qëndrueshme (pa zhvendosje), mund të shfaqen dhimbje dhe një ndjenjë paqëndrueshmërie. Në rastin e prekjes së lehtë të trupave vertebralë, thyerja mund të kalojë pa u vënë re, për shkak të simptomave jo të rëndësishme.

Përkundrazi, dëmtimet më të rënda shoqërohen nga dhimbje të forta.

Në rastet kur preket palca e kockave ose nervat, konstatohen çrregullime të ndjeshmërisë si të kruajtura, mungesë e plotë e ndjeshmërisë dhe paraliza, madje edhe pamundësi për të lëvizur të gjitha pjesët e trupit dhe ndërprerje e funksioneve trupore.

Paralizat mund të jenë të tipit:

  • Tetraplegji, me prekje të katër gjymtyrëve (këmbët dhe krahët). Bëhet fjalë për një prekje të rëndë të palcës kockore në shtyllën kurrizore, pikërisht në zonën e qafës (pjesën cervikale). Kjo reflektohet me çrregullim të funksionit të fshikëzës urinare, rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë) dhe atij seksual.
  • Paraplegji, me dëmtime nervore në zonën e kraharorit (pjesa torakale) dhe të belit (pjesa lumbare) të shtyllës kurrizore. Ajo reflektohet përgjithësisht me çrregullim të funksionit të krahëve dhe duarve.
  • Paraliza e pjesës së palcës kockore, që prek veçanërisht këmbët. Sipas rëndësisë së dëmtimit, mund të shfaqen edhe çrregullime të funksioneve të tjera trupore.
     

Për vendosjen e diagnozës së thyerjes (frakturës) së trupit vertebral janë të nevojshme:

Ekzaminimi trupor, që konsiston në:

  • Evidentimin e dhimbjeve nëpërmjet shtypjes dhe prekjes në zonën e dëmtuar.
  • Vlerësimi i aftësisë për të lëvizur, që duhet të kryhet vetëm në thyerjet e qëndrueshme.
  • Egzaminimi neurologjik, nëpërmjet të cilit vlerësohet shkalla e ndjeshmërisë dhe aftësia për të lëvizur. Ato japin informacionin e nevojshëm, lidhur me mundësinë e dëmtimit të palcës kockore.

Egzaminimi radiologjik, që konsiston në kryerjen e:

  • Radiografisë së thjeshtë, e cila është efikase veçanërisht në rastin e thyerjeve të qëndrueshme.
  • Skanerit (tomodensitometria), i cili lejon evidentimin e të gjithë frakturës (thyerjes). Është veçanërisht i nevojshëm në thyerjet e paqëndrueshme, të cilat jo gjithmonë dallohen me radiografi.
  • Rezonanca magnetike (RM), e cila jep informacion më të hollësishëm mbi dëmtimet e disqeve ndërmjet vertebrave ose pjesët e buta, si muskujt dhe ligamentet
     

Trajtimi i thyerjes aksidentale të trupit vertebral përfshin fillimisht ndihmën e parë menjëherë pas aksidentit, dhe më pas trajtimin specifik dhe të vazhdueshëm, sipas shkallës së dëmtimit të pacientit.

Trajtimi i një thyerjeje vertebrale të paqëndrueshme

Thyerja vertebrale e paqëndrueshme trajtohet përgjithësisht me rrugë kirurgjikale (me operacion). Qëllimi i trajtimit është të reduktojë zonën e dëmtuar, të stabilizojë pjesën e prekur të shtyllës kurrizore dhe nëse është e mundur, të rikthejë sa më shpejt aftësinë e pacientit për të lëvizur.

Mënyrat e mundshme të trajtimit:

  • Stabilizimi nëpërmjet vendosjes së implantit prej titaniumi
  • Implantet e vertebrave
  • Zëvendësimi i disqeve ndërvertebrorë
  • Proçesi i çimentimit
  • Operacioni përfaqëson mundësinë më të mirë për shërimin e dëmtimeve të palcës kockore dhe indeve nervore. Gjithashtu, kjo mënyrë vlen edhe për trajtimin e pozicioneve të detyruara, të shkaktuara nga dëmtimi ose paqëndrueshmëria e shtyllës kurrizore.


Procedurat emergjente (ndihma e parë)

Ndihma e parë e urgjencës pas aksidentit

  • Sa herë që dyshohet për plagosje të një të aksidentuari në nivelin e shtyllës kurrizore, ai nuk duhet të lëvizet deri sa të mbërrijë ndihma e specializuar.
  • I aksidentuari duhet të mbulohet mirë dhe të mos i hiqet kaska mbrojtëse (në rast se ka).
  • Të fillohen menjëherë proçedurat e urgjencës, që përfshijnë vlerësimin e shkallës së ndërgjegjes së pacientit, kontrollin e frymëshkëmbit të tij dhe pulsin.
  • Në rastin e mungesës së frymëshkëmbimit dhe pulsit, duhet të kryhet masazhi në zonën e zemrës, pavarësisht dëmtimeve që mund të ketë pësuar pacienti në palcën kockore. 

Në rast se thyerja vertebrale e qëndrueshme është pasojë e osteoporozës, ajo  trajtohet përgjithësisht pa operacion, nëpërmjet:

Dhimbjet shumë të forta, ngjeshja e një vertebre ose paqëndrueshmëria kronike e saj kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ajo mund të realizohet në dy mënyra:

Këto proçedura stabilizojnë trupin vertebral në rastin e thyerjes së tij, por mund të kryhen edhe me qëllim parandalues në rastet me rrezik për thyerje të trupit të vertebrës. Ato konsistojnë në injektimin e çimentos kockore në nivelin e vertebrës së thyer, pasi ajo është rivendosur më parë në pozicionin e saj fillestar (normal) nëpërmjet një baloni (tullmbace). Studimet e kohëve të fundit kanë treguar rezultate të mira të këtyre proçedurave, veçanërisht për thyerjet e vertebrave nga osteoporoza.

Thyerja (fraktura) e një vertebre (rruaze) të shtyllës kurrizore shkakton një ndryshim të qëndrueshëm të trupit të vertebrës dhe të funksionit të saj. Kocka e dëmtuar një herë, ndryshe nga kockat e paprekura, nuk mund të shërohet. Problemet që mund të shfaqen janë përgjithësisht të paparashikueshme.

Për të përcaktuar perspektivën e shërimit të dëmtimeve nervore, është thelbësore të dihet saktësisht shkalla e dëmtimit dhe periudha kohore e pranisë së tij përpara operacionit. Dëmtimet nervore të lehta mund të riparohen, ndërkohë që dëmtimet e rënda janë të parikthyeshme dhe shkaktojnë paraliza të reja ose çrregullime të ndjeshmërisë.

Thyerjet e vertebrave në terren të osteoporozës kanë nevojë për trajtim të saj, në mënyrë që të parandalohet zhvillimi i frakturave të reja, që mund të shoqërojë përparimin e proçesit të uljes së dendësisë së kockës (osteoporozës).


 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.