logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Spondiliti ankilozant: sëmundje inflamatore reumatizmale e shtyllës kurrizore.
Spondiliti ankilozant: sëmundje inflamatore reumatizmale e shtyllës kurrizore.

Sëmundja Bekterev (spondiloartriti ankilozant-inflamacioni ngurtësues i shtyllës kurrizore dhe kyçeve) është një sëmundje inflamatore kronike, që prek kryesisht shtyllën kurrizore dhe kyçet e legenit. Gjithsesi, prej saj mund të preken edhe kockat dhe tendinet që lidhin krahët, këmbët dhe organet e tjera. Sëmundja është përcaktuar shkencërisht për herë të parë nga neurologu rus Vladimir Bekterev, në fillim të shekullit të 19-të.

Aktualisht, jo gjithmonë janë të njohura shkaqet e vërteta të saj. Rreth 70% e pacientëve të prekur janë meshkuj. Përgjithësisht, sëmundja shfaqet para moshës 40 vjeç. Për momentin, nuk disponohet asnjë trajtim që të mund të shërojë sëmundjen Bekterev.

Ajo karakterizohet nga dhimbjet në shpinë, fillimisht të heshtura, që rëndohen në mëngjes dhe lehtësohen nga lëvizjet. Gjatë ecurisë së saj, kjo sëmundje shkakton gjithnjë e më shumë vështirësi për të lëvizur pjesën e belit të shtyllës kurrizore, për shkak të ngurtësimit gjithnjë e më të madh të saj.

 

Shkaqet e sëmundjes Bekterev (spondiloartriti ankilozant) mbeten të panjohura në pjesën më të madhe të rasteve. Faktorë të ndryshëm si trashëgimia, ndikimi i faktorëve ambientalë, ushqyerja e papërshtatshme,etj., konsiderohen të rëndësishëm për zhvillimin e saj. Rolin më të madh ndër to duket se e luan trashëgimia. Tek 90% e personave të prekur nga sëmundja Bekterev, në sipërfaqen qelizore gjendet një molekulë e quajtur HLA-B27, e cila ndërhyn në proçesin e mbrojtjes imunitare të organizmit. Në disa familje, pikërisht kjo molekulë gjendet në sasi të rëndësishme, që përcakton edhe natyrën e trashëgueshme të kësaj sëmundjeje.

 

Spondiliti ankilozant: rritja e pamundësisë së shtrirjes dhe përkuljes.
Spondiliti ankilozant: rritja e pamundësisë së shtrirjes dhe përkuljes.

Sëmundja Bekterev (spondiloartriti ankilozant) përparon me periudha krizash të dhimbjeve, të alternuara me faza të qetësisë.

  • Dhimbjet në zonën e shpinës pakësohen gjatë kryerjes së lëvizjeve, gjatë një periudhe 3 mujore.
  • Dhimbjet shfaqen në mënyrë karakteristike gjatë natës, kryesisht në zonën e shpinës dhe legenit, që e detyrojnë pacientin të ngrihet nga shtrati dhe të lëvizë.
  • Ngurtësimi mëngjezor, menjëherë pas ngritjes nga shtrati, manifestohet me vështirësinë për të lëvizur shtyllën kurrizore.
  • Ulje e vazhdueshme e aftësisë për të lëvizur pjesën e belit, të shtyllës kurrizore dhe kyçin e legenit.
  • Shtrirja dhe përkulja e shtyllës kurrizore bëhet gjithnjë e më e vështirë, që konstatohet gjatë matjes së hapësirës ndërmjet gishtave të duarve dhe tokës, kur pacienti qëndron në pozicionin përkulur përpara.

Sëmundjet që shoqërohen me sëmundjen Bekterev janë:

  • Uveiti (inflamacioni i aparatit uveal, që gjendet në sy)
  • Përhapja e simptomave në kofshë, gjunjë, këmbë dhe supe.
  • Më rrallë, përfshirja e sistemit kardio-vaskular (zemrës dhe enëve të gjakut) dhe veshkave.

 

Spondiliti ankilozant: ekzaminimi radiologjik i pjesës lumbare të shtyllës kurrizore.
Spondiliti ankilozant: ekzaminimi radiologjik i pjesës lumbare të shtyllës kurrizore.

Diagnoza e sëmundjes Bekterev (spondiloartriti ankilozant) vendoset nga mjeku specialist reumatolog, në bazë të:

  • Historisë së detajuar të sëmundjes
  • Simptomave të pacientit
  • Verifikimit të hapësirës së madhe ndërmjet gishtave të duarve dhe tokës, gjatë përkuljes së pacientit përpara.
  • Testi Menel: pacienti shtrihet me bark, mjeku me njërën dorë mban legenin, ndërsa me dorën tjetër ngre njërën këmbë të tij.
  • Radiografia e shtyllës kurrizore
  • Skaneri ose rezonanca magnetike e shtyllës kurrizore
  • Analizat e gjakut, për vlerësimin e treguesve të inflamacionit
  • HLA-B27 është e pranishme në pjesën më të madhe të pacientëve të prekur nga spondiloartriti ankilozant (rreth 95% të rasteve). Për këtë arsye, ajo përfaqëson një tregues të besueshëm për sëmundjen Bekterev.
Spondiliti ankilozant: trainim i rregullt i shpinës.
Spondiliti ankilozant: trainim i rregullt i shpinës.

Përgjithësisht, trajtimi i sëmundjes Bekterev (spondiloartriti ankilozant) duhet të kryhet nga mjeku specialist reumatolog.

Meqenëse shkaqet e vërteta të kësaj sëmundjeje nuk dihen plotësisht, ato nuk mund të trajtohen. Për pasojë, trajtimi konsiston vetëm në lehtësimin e simptomave, pra të dhimbjeve, dhe në ruajtjen e lëvizshmërisë së shtyllës kurrizore. Për këtë qëllim, nevojiten proçedurat e mëposhtme:

Trajtime të tjera alternative

  • Terapia neurale
  • Përdorimi i produkteve tradicionale kineze
  • Trajtimi me produkte bimore
  • Këshillimi me një specialist dietolog, lidhur me ushqyerjen e përshtatshme.
  • Trajnimi autogen (joga)

Masat e përgjithshme

Në këtë rast rekomandohen këto masa të përgjithshme:

  • Kryerja në mënyrë të rregullt e ushtrimeve gjimnastikore specifike, të përqëndruara në zonën e shpinës, që mund të kryhen gjatë periudhës së qëndrimit të pacientit në spital. Ato duhet të vazhdohen edhe në kushtet e shtëpisë (përditë).
  • Kryerja e fizioterapisë dhe masazheve
  • Elektroterapia
  • Vendosja e kompresave për qetësimin e dhimbjeve dhe uljen e enjtjes.

Medikamentet që rekomandohen:

Trajtimi kirurgjikal

Sineviektomia, që është një operacion që konsiston në heqjen me rrugë kirurgjikale të membranës sinoviale të kyçit të prekur nga sëmundja. 
Në rastet e avancuara të sëmundjes, vendosen proteza artikulare (të kyçeve), veçanërisht të zonës së legenit.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.