logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Timoma: një tumor kryesisht beninj i timusit.
Timoma: një tumor kryesisht beninj i timusit.

Timoma është një tumor i rrallë i timusit, një organ i cili është i vendosur në kraharor. Në tre të katërtat e rasteve është i parrezikshëm (beninj), ndërsa një e katërta e rasteve është malinje. 

Timoma malinje quhet karcinomë e timusit ose ndryshe kancer i timusit. Timusi është i vendosur në pjesën e sipërme të kraharorit, prapa sternumit (dërrasës së kraharorit). Në rini timusi luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit imunitar. Ai shërben si një vend maturimi (pjekjeje) për qelizat imunitare (limfocitet T). Në moshën e rritur timusi fillon të zvogëlohet, dhe për pasojë mbetet vetëm një pjesë shumë e vogël e indit të tij. Nga qelizat e mbetura të timusit mund të zhvillohet tumori i timusit. Shkaku i këtij fenomeni mbetet i panjohur. Shumica e timomave ndodhin në njerëz të moshës 50-60 vjeç. Por studimet kanë treguar se mund të preket çdo moshë. Timoma beninje rritet ngadalë dhe nuk përhapet jashtë indit të timusit. 

Karcinoma e timusit është formë malinje, që rritet me shpejtësi, duke përfshirë indet përreth dhe më pas lëshon metastaza në organet e tjera. Ekzaminimi radiologjik është mjeti më i rëndësishëm për diagnostikimin e timomës. Një ekzaminim mikrobiologjik i indit (biopsia) tregon nëse tumori është beninj apo malinj. Tumoret e timusit (edhe nëse janë të mira apo të këqija), nëse është e mundur, duhet të hiqen me rrugë kirurgjikale. Nëse sëmundja ka avancuar, duhet të merren parasysh radioterapia (rrezatimi) ose kimioterapia.

Shkaku i saktë i zhvillimit të tumorit të timusit nuk dihet. Ai manifestohet shpesh i bashkëshoqëruar me sëmundje të tjera, siç është miastenia grave, një sëmundje autoimune neuro-muskulare. Timoma beninje shpesh shoqërohet me anemi (ulje të hemoglobinës), lupus eritematoz ose mungesë të antitrupave (hipogamaglobulinemia).

Timoma: kollë e pashpjegueshme dhe ngjirje e zërit.
Timoma: kollë e pashpjegueshme dhe ngjirje e zërit.

Simptomat e tumorit të timusit ndihen nga pacienti vetëm kur sëmundja ka përparuar mjaftueshëm. Për këtë arsye, sëmundja nuk kuptohet për një kohë të gjatë. Shpesh mjeku diagnostikon një timomë rastësisht gjatë një ekzaminimi radiologjik të kraharorit. Shqetësimet ndihen nga pacienti vetëm kur tumori përhapet në organet e tjera fqinje (trake ose ezofag) për shkak të madhësisë, ose përhapet në indet përreth.

Simptomat e mëposhtme mund të sugjerojnë një timomë:

  • çrregullime të gëlltitjes
  • kollë e vazhdueshme
  • ngjirje e zërit
  • vështirësi në frymëmarrje
  • ndjenja e shtypjes prapa kraharorit
  • dhimbje në kraharor
  • probleme me zemrën (kur tumori është i madh dhe ka prekur edhe zemrën)
  • simptoma të njëkohshme të një sëmundjeje tjetër (psh. dobësi muskulare, kur shoqërohet me miasteninë)
  • sindroma e venës kava të sipërme: kthimi i gjakut nga zona e kokës dhe e krahëve për në zemër zvogëlohet në masë të madhe, sepse tumori ka depërtuar në venën kava të sipërme (që kthen gjakun e papastër në zemër).

Timoma shpesh diagnostikohet rastësisht gjatë radiografisë së kraharorit. Në këto raste, nëse dyshohet për një timomë, mjeku duhet të informohet mbi çrregullimet aktuale të pacientit, si dhe historinë mjekësore të tij. Kjo plotësohet edhe me një ekzaminim fizik të hollësishëm.

Ekzaminimet e mëtejshme janë:

  • Radiografia e kraharorit (toraksit), nëse pacienti nuk e ka bërë një të tillë.
  • Skaneri (CT) dhe MRI (Rezonanca Magnetike), për të përcaktuar shkallën e përparimit të tumorit.
  • Biopsia e indit dhe analiza mikroskopike për të bërë dallimin ndërmjet formave beninje dhe atyre malinje.
Timoma: heqja kirurgjikale e tumorit.
Timoma: heqja kirurgjikale e tumorit.

Çdo tumor i timusit, qoftë malinj ose beninj, duhet të trajtohet pasi edhe tumoret beninje mund të degjenerojnë herët apo vonë në malinje. Mënyrat e trajtimit janë kirurgjia, radioterapia dhe kimioterapia. Nëse situata e lejon, tumori mund të hiqet me anë të kirurgjisë. Në tumoret e avancuara, që nuk mund të hiqen plotësisht, pas operimit kryhet radioterapia dhe kimioterapia për të shkatërruar indin e mbetur.

Shkaqet e zhvillimit të tumorit të timusit mbeten ende të panjohura. Për këtë arsye, nuk ka masa parandaluese për të. Timomat shpesh manifestohen në prani të sëmundjeve të tjera, si miastenia grave, një sëmundje autoimune neuro-muskulare.

Me anë të një radiografie të kraharorit mund të diagnostikohet në kohë një timomë e mundshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.