logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimet e të folurit mund të kenë shkaqe psikologjike ose fizike dhe ndodhin si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit
Çrregullimet e të folurit mund të kenë shkaqe psikologjike ose fizike dhe ndodhin si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit
Fjala vjen nga nxjerrja e ajrit, me anë të së cilit dridhjet në grykë dhe në gojë modifikohen në bazë të tingullit. Çrregullimi i të folurit përfshin problemet e lidhura me formimin e fjalës dhe nxjerrjen e saj.

Përgjithësisht, dallohen çrregullimet e gjuhës nga çrregullimet e të folurit. Gjithsesi, të dyja mund të manifestohen së bashku.

  • Çrregullimet e gjuhës janë vështirësi të të kuptuarit ose të përdorimit korrekt të gjuhës. Shpesh, problemi qëndron në nivelin e të menduarit: nuk shprehet fjala e duhur (vështirësi për të gjetur fjalët), me ngatërrim të fjalëve ose gabime në ndërtimin e fjalive. Në përgjithësi, këto çrregullime shoqërohen me vështirësi në të shkruar dhe lexuar.
  • Çrregullimet e të folurit shkaktohen nga probleme motorike: fjalët nuk formulohen në mënyrë korrekte ose rrjedhshmëria e fjalisë është e kufizuar. Personat që vuajnë nga çrregullimet e të folurit nuk paraqesin probleme të të kuptuarit, as në të shkruar dhe në të lexuar, as vështirësi në gjetjen e fjalëve të duhura.

Çrregullimet e gjuhës dhe të të folurit tek fëmijët

Fëmijët e zhvillojnë gjuhën pas moshës 5 vjeç. Fëmijët duhet të jenë të aftë të flasin qartë dhe mirë kur ata fillojnë shkollën. Për sa kohë që problemet e gjuhës dhe të të folurit janë të zakonshme dhe në kufijtë e një shkalle të caktuar, nuk ka arsye që ato të lidhen me një sëmundje (psh. belbëzimi në moshën parashkollore).

Fëmijët që shfaqin çrregullime të gjuhës kanë një vonesë ose vështirësi të zhvillimit të fjalës, krahasuar me fëmijët e moshës së tyre. Ata bëjnë gabime në fjalor ose në formimin e fjalive ose  flasin në mënyrë «telegrafike». Shpesh aftësia për të lexuar dhe shkruar është e kufizuar.

Çrregullimet e të folurit tek fëmija prekin formimin e fjalës (belbëzojnë) ose formimin e tonalitetit (psh. fëshfërima, si thuthuq) dhe janë lehtësisht të evidentueshme. Belbëzimi konsiston në përsëritjen e zanoreve, rrokjeve ose fjalëve të plota në mënyrë të pavullnetshme. Në rastin e belbëzimit, e folura është shumë e shpejtë dhe e paqartë.

Çrregullimet e gjuhës dhe të të folurit tek të rriturit

Çrregullimet e gjuhës tek një person i rritur konsistojnë në humbjen e aftësisë normale për të folur, të shkaktuar psh. nga një goditje në tru. Me term mjekësor bëhet fjalë për afazinë. Sipas shkakut dhe shkallës së afazisë mund të jetë dëmtuar një fushë e vetme e gjuhës (psh. ajo e gjetjes së fjalëve të duhura) ose fusha të ndryshme (ato të lidhura me gramatikën, formimin e tingujve, gjetjen e fjalëve, të kuptuarit e gjuhës, gjuhën e shkruar: shkrimi dhe leximi). Në çrregullimet e gjuhës tek të rriturit përfshihet edhe progresioni i ngadaltë dhe i vazhdueshëm i vështirësisë për të folur, siç është psh.rasti i personave që vuajnë nga demenca (Alzheimer ose demenca e lidhur me moshën).

Çrregullimet e të folurit tek i rrituri janë të ngjashme me ato të fëmijëve – vështirësi në formimin e tingujve, të të shprehurit (thuthuqësia, gjuha e paqartë) ose në formimin e fjalëve (belbëzimi).

Çrregullimet e gjuhës dhe të të folurit mund të kenë shkaqe të ndryshme. Përveç sëmundjeve somatike, një rol të rëndësishëm luajnë faktorët psiqikë dhe socialë, të lidhur psh.me komunikimin ndërmjet prindërve dhe fëmijës ose me mbingarkesën psikologjike (ndarja e prindërve).  Edhe ulja e aftësisë dëgjimore ka pasoja mbi zhvillimin e gjuhës tek fëmija, Aktualisht, mediat elektronike, që janë tepër të përdorshme në dhomat e fëmijëve, nuk e stimulojnë vërtet zhvillimin e gjuhës së fëmijës.

Shkaqet e çrregullimeve të gjuhës dhe të të folurit tek fëmijët

  • Çrregullimet, vonesat ose problemet e zhvillimit në përgjithësi
  • Humbja e aftësisë për të dëgjuar (si psh. shurdh-memecët)
  • Çrregullimet e zhvillimit të trurit
  • Shkaqet gjenetike që krijojnë mangësi psiqike ose fizike (psh. sindromi Down, buza e lepurit)
  • Infarkti në tru
  • Traumat e trurit
  • Inflamacioni i trurit (Encefaliti)
  • Tumori i trurit
  • Operacionet e kryera në tru
  • Memecllëku (psikogjen ose somatik)
  • Autizmi

Shkaqet e çrregullimeve të të folurit dhe të gjuhës tek të rriturit

  • Humbja e aftësisë për të dëgjuar
  • Infarkti në tru
  • Hemoragjia në tru
  • Tumori i trurit
  • Traumat e trurit, goditja në tru
  • Operacionet e kryera në tru
  • Inflamacioni i trurit (encefaliti)
  • Sëmundjet degjenerative (psh. sëmundja Alzheimer)
  • Sëmundja e Parkinsonit
  • Skleroza multiple
  • Skleroza amiotrofike anësore
  • Sindromi Tourette, çrregullimet që shkaktojnë tike

Për të zhvilluar një aftësi të mirë gjuhësore, është e rëndësishme të aplikohet një komunikim i rrjedhshëm me fëmijën.

Këshilla të përgjithshme për të nxitur aftësinë gjuhësore tek fëmija:

  • Leximi i historive fëmijës nga prindi dhe më pas t’i tregojë fëmija me fjalët e tij
  • Përsëritja në mënyrë korrekte e fjalëve që fëmija i shpreh keq ose gabim, pa e bërë atë të ndjehet i korrigjuar
  • T’i flitet fëmijës vazhdimisht, pa gabime gjuhësore
  • Kërkojini të përsërisë atë që ka kuptuar dhe të pyesë për atë që nuk e ka kuptuar
  • T’i flitet thjesht dhe qartë, sepse fëmija mëson duke imituar
  • Komentoni veprimet tuaja dhe ato të fëmijës
Stimuloni gjuhën e fëmijës duke iu drejtuar: "a do të vizatojmë apo do të lexojmë një histori?"

Deri në një moshë të caktuar, vështirësitë në të folur janë normale. Nëse konstatohen shenja konkrete të çrregullimeve të gjuhës ose nëse dyshohet për to, fëmija duhet të konsultohet nga një mjek pediatër ose logopedist. Ky i fundit mund të vlerësojë aftësinë e fëmijës për t’u shprehur, dhe në varësi të moshës së tij, edhe stadin e tij të zhvillimit. Në këtë mënyrë, vlerësohet nëse është i nevojshëm trajtimi logopedik. Problemet gjuhësore mund të zgjidhen gjatë fëmijërisë.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku pediatër
  • Mjeku logopedist
  • Psikologu i fëmijëve

Çrregullimet e të shprehurit dhe të gjuhës tek fëmijët duhet të evidentohen dhe trajtohen sa më shpejt.

Diagnostikimi i çrregullimeve të gjuhës dhe të të folurit tek fëmijët bazohet tek:

  • Egzaminimi klinik i fëmijës nga mjeku pediatër
  • Testi për aftësinë e dëgjimit nga mjeku ORL
  • Diagnostikimi i përgjithshëm i stadit të zhvillimit, vëzhgimi i fëmijës duke luajtur me lodra që i korrespondojnë moshës së tij dhe vlerësimi përkatës.
  • Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më i rëndësishëm është referimi i vëzhgimeve të prindërve për t’u krijuar një ide sa më e saktë nga mjeku.
  • Diagnostikimi psikologjik, për të parë nëse fëmija vuan nga probleme shoqëruese, si çrregullimet e sjelljes ose ato emocionale.
  • Egzaminimi logopedik: vlerësimi i gjuhës spontanisht (në një diskutim ose gjatë lojës), dhe i aftësisë për t’u shprehur sipas testeve standarte dhe moshës së fëmijës.

Diagnostikimi i çrregullimeve të gjuhës (afazia) tek të rriturit:

Për të realizuar këtë, nga njëra anë duhet vlerësuar humbja e gjuhës dhe nga ana tjetër të vlerësohen aftësitë ende të paprekura. Për diagnostikimin e afazisë, shpesh përdoret testi i Aachener (AAT). Përmes një testi të standartizuar vlerësohen aftësi të ndryshme të të shprehurit, si: përsëritja, të shkruarit, të lexuarit, të kuptuarit dhe të emërtuarit.

Më tepër informacion lidhur me egzaminimet diagnostike mund të gjeni në tablotë klinike korresponduese.

Çrregullimet e gjuhës dhe të të folurit duhet të trajtohen nga logopedistët ose nga pedagogët e gjuhës. Problemet psiqike shoqëruese (çrregullimet e sjelljes dhe ato emocionale) duhet të trajtohen nëpërmjet psikoterapisë tek një psikolog ose psikoterapist për të rinj ose fëmijë. Nuk egzistojnë medikamente specifike kundër çrregullimeve gjuhësore.

Trajtimi i çrregullimeve të të folurit dhe të gjuhës tek fëmija

Terapia e vetme është ajo logopedike, që duhet të fillohet sa më herët. Prindërit duhet të mësojnë si të komunikojnë me fëmijën, në mënyrë që t’i japin një shembull të mirë. Në këtë mënyrë, mangësitë e të mësuarit të gjuhës mund të kompensohen shpejt, duke evituar një terapi të ngadaltë të mëvonshme.

Sipas shkakut të çrregullimeve, fëmija ushtrohet në drejtime të ndryshme: për aftësinë, frymëshkëmbimin, pozicionin, lëvizshmërinë gjatë të folurit dhe gjatë gëlltitjes, formimin e tingujve dhe aftësinë për të komunikuar. Terapia logopedike përshtatet gjithmonë në mënyrë individuale me fëmijën dhe sipas stadit të zhvillimit të tij.

Psh. në rastin e belbëzimit, që shfaqet përgjithësisht gjatë fëmijërisë, është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm, që të mund të fillohet terapia sa më shpejt. Pikat e para të terapisë janë ushtrimet e lëvizshmërisë për të përmirësuar lëvizjet dhe koordinimin e buzëve, të gjuhës dhe muskulaturës frymëshkëmbyese.

Trajtimi i çrregullimeve të gjuhës dhe të të folurit tek të rriturit

Tek personat e rritur që vuajnë nga probleme të gjuhës ose të të folurit për shkaqe neurologjike (infarkte, trauma apo operacione në tru) duhet filluar menjëherë terapia logopedike, dhe gjendja e pacientit përmirësohet. Qëllimi është të rikthehen aftësitë e komunikimit të përditshëm. Kur rehabilitimi i gjuhës nuk është më i mundshëm, aplikohen mënyra të tjera të komunikimit (si gjestikulacionet, shkrimi, etj.).

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.