logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindroma e tronditjes së foshnjës: tronditja e foshnjës për shkak të traumës.
Sindroma e tronditjes së foshnjës: tronditja e foshnjës për shkak të traumës.

Flitet për sindromën e tronditjes së foshnjës në të gjitha rastet e foshnjave me dëmtime evidente të trurit, që shkaktojnë paaftësi të parikthyeshme trupore dhe mendore, madje edhe vdekje të foshnjës, si pasojë e tronditjeve tepër të dhunshme.
Tronditja e foshnjës (keqtrajtimi) për shkak të zemërimit, stresit, ose mbingarkesës fizike dhe/ose psikologjike, është një reagim i kuptueshëm. Në vitin 1971, mjeku Guthkelch e përshkroi për herë të parë këtë sindromë, duke e konsideruar atë një shkak të rëndësishëm të sëmundjeve tek foshnjat.

Për shkak të papjekurisë së muskujve, foshnja e tronditur (e keqtrajtuar) nuk mund ta mbajë (komandojë) kokën vetë. Për këtë arsye, kjo sindromë prek kryesisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël, tek të cilët muskujt e qafës nuk janë zhvilluar ende.

Nëse gjatë keqtrajtimit, fëmija është kapur në nivelin e gjoksit ose të parakrahut dhe është tronditur në drejtimin nga përpara-prapa ose anasjelltas, tek ai shfaqen dëmtime trupore dhe mendore të rënda, përgjithësisht të parikthyeshme.

Është tepër e rëndësishme të mos ngatërrohet sindroma e tronditjes së foshnjës me "sindromën e goditjes" së saj. Në rastin e fundit, koka e foshnjës është tronditur vërtet, por prej goditjes nga një objekt i fortë.
Sindroma e tronditjes së foshnjës prek më tepër foshnjat nën 5 muajshe, kryesisht meshkujt.

Tek fëmijët e prekur, shkalla e vdekshmërisë është e rëndësishme: pothuajse një e katërta e tyre vdesin gjatë një periudhe nga disa ditë deri në disa javë, pas tronditjes së dhunshme. Tre të katërtat e foshnjave që mbijetojnë, mbeten me paaftësi të përhershme.

 

Sindroma e tronditjes së foshnjës: efekti i forcave rrotulluese gjatë tronditjes.
Sindroma e tronditjes së foshnjës: efekti i forcave rrotulluese gjatë tronditjes.

Shkaku i sindromës së tronditjes së foshnjës është tronditja ose tundja e tij me forcë të madhe. Kështu, si rezultat i tronditjes, koka e saj lëviz nga përpara-prapa, derisa ndalon papritmas në pozicionin më ekstrem (përfundimtar).

Në të tilla raste, mekanizmat që shkaktojnë dëmtimet e trurit tek foshnja janë pikërisht forcat rrotulluese që zhvendosin shtresa të ndryshme të indeve në brendësi të trurit dhe shkaktojnë çarjen e venave sipërfaqësore, të vendosura ndërmjet kockave të kafkës dhe trurit. Kjo pasohet nga hemorragji në brendësi të trurit, që shkaktojnë dëmtime serioze në të. Përveç kësaj, presioni i rëndësishëm në tru shkakton rrjedhjen e gjakut në bazën e kafkës, si dhe hemorragji të dukshme në retinë dhe në kokërdhok (globin e syrit). Ky tip i hemorragjive shfaqet vetëm gjatë tronditjeve të dhunshme dhe praktikisht asnjëherë gjatë aksidenteve apo gjatë ushtrimit të presionit në kafkë dhe në tru.

Dëmtimet e vertebrave të qafës ose të palcës së kurrizit nuk ndodhin pothuajse asnjëherë.

 E rëndësishme: tundja e lehtë e foshnjës për ta qetësuar, ose përkundja e saj nuk shkaktojnë asnjë dëmtim.

Sindroma e tronditjes (keqtrajtimit) së foshnjës karakterizohet nga këto simptoma:

  • Dridhje (kriza epileptike)
  • Ndryshime të ndërgjegjes
  • Fryrje e fontanelave (zonave të buta në pjesën e sipërme të kokës)
  • Çrregullime të frymëmarrjes (ndalimin e saj)
  • Hemorragji të dukshme tek sytë
  • Shenja (hematoma) të dukshme mbi trup dhe në krahë. Në pjesën më të madhe të rasteve, evidentohen thyerje të vogla të kockave.

Nëse pas një tronditjeje të dhunshme të një foshnjeje ose fëmije të vogël shfaqen simptomat e mësipërme, duhet të njoftohet menjëherë urgjenca mjekësore, për trajtim sa më të shpejtë nga mjekët specialistë pediatër.

Simptomat e sipërpërmendura mund të jenë edhe shenja të një aksidenti, ose të një sëmundjeje, siç është meningiti (inflamacioni i cipës së trurit). Për këtë arsye, foshnja duhet të egzaminohet patjetër nga një mjek specialist pediatër

 

Sindroma e tronditjes së foshnjës: skaneri i kafkës.
Sindroma e tronditjes së foshnjës: skaneri i kafkës.

Mjeku pediatër mund të dyshojë për sindromën e tronditjes (keqtrajtimit) së foshnjës, pasi ai informohet mbi mënyrën e fillimit të simptomave, si dhe mbi mundësinë dhe kohëzgjatjen e ushtrimit të dhunës (e referuar nga personat që shoqërojnë foshnjën). Shumë shpesh nuk konstatohen shenja të hemorragjisë (hematoma) mbi trupin ose krahët e fëmijës.

Egzaminimet e mëposhtme mund të përforcojnë diagnozën e dyshuar:

Egzaminimi i fundit të syrit (oftalmoskopia): nëse tronditja e dhunshme ka ndodhur kohët e fundit, mund të evidentohen hemorragji në kokërdhok dhe në retinë.
Skaneri ose rezonanca magnetike e kokës: evidenton hemorragji në bazën e kafkës, si dhe dëmtime në tru.

Një fëmijë që paraqet simptomat e tronditjes (keqtrajtimit), duhet të shtrohet menjëherë në spital.

  • Rrjedhjet e gjakut (hemorragjitë) duhet të thithen me shiringë (punktohen), në mënyrë që të lehtësohet truri.
  • Duhet të trajtohen sëmundjet dytësore, që janë shkaktuar nga sindroma e tronditjes.
  • Keqtrajtimi i fëmijëve të vegjël duhet të shoqërohet me një program intensiv të rehabilitimit të tyre, me përfshirjen e një mjeku pediatër, një neurologu dhe një fizioterapisti.

Është e detyrueshme që personat që merren me fëmijët të jenë të informuar, të trainuar dhe të monitoruar.

 

75% e fëmijëve që i mbijetojnë një sindrome të tronditjes (keqtrajtimit), vuajnë nga pasoja afatgjata, të tilla si çrregullimet e shikimit (që mund të shkojnë deri në verbëri), epilepsia, paaftësia mendore, ose një kombinim i këtyre sëmundjeve. Madje, shumë dëmtime të trurit dhe çrregullime psikologjike të lidhura me to, mund të evidentohen gjatë shkollimit të fëmijës.

U ndodh edhe mjekëve specialistë që të nënvlerësojnë sindromën e tronditjes (keqtrajtimit) tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Për këtë arsye, masa e parë parandaluese e kësaj sindrome, është informimi i saktë i publikut të gjerë lidhur me pasojat e mundshme të tronditjeve të dhunshme të foshnjës ose fëmijës së vogël.

Për këtë qëllim, prindërve të foshnjave që qajnë shumë (me krizat e të qarit të foshnjës) u këshillohet t’ia besojnë fëmijën e tyre mjekut pediatër, një infermiereje të pediatrisë, një punonjësi social, ose të paktën të diskutojnë mbi këtë problem me të afërmit dhe miqtë e tyre.

Sindroma e tronditjes (keqtrajtimit) së foshnjës shpesh është rezultat i reagimeve të tepruara gjatë një momenti stresi, zemërimi apo mbingarkese të prindërve apo personave që kujdesen për foshnjën. Duke mos kontrolluar dot impulset e forta në këto momente, ata mund ta keqtrajtojnë atë fizikisht.
 
Përfshirja e personave të tretë në këto situata, duke diskutuar me prindërit ose kujdestarët e fëmijës rreth menaxhimit të shëndetshëm të stresit, mbingarkesës apo problemeve të ndryshme të jetës së përditshme, mund të jetë një veprim vendimtar për mbrojtjen e fëmijës.
 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.