logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
 Elektromiograma (EMG) është një ekzaminim mjekësor, që vlerëson aktivitetin elektrik të nervave dhe të muskujve.
Elektromiograma (EMG) është një ekzaminim mjekësor, që vlerëson aktivitetin elektrik të nervave dhe të muskujve.

Çfarë është një Elektromiografi?

Të gjitha nervat dhe muskujt e trupit funksionojnë me ndihmën e rrymave elektrike, që mund të jenë të matshme. 

Elektromiografia shërben për të vlerësuar aktivitetin elektrik të muskujve të ndryshëm. Në këtë mënyrë, ajo mundëson zbulimin e sëmundjeve të ndryshme muskulare, por gjithashtu edhe sëmundjeve nervore, si dhe dallimin ndërmjet tyre. Elektromiografia bën pjesë në ekzaminimet më shpesh të realizuara tek neurologu, dhe më shpesh kombinohet me elektroneurografinë (matjen e përçueshmërisë nervore). 

Elektromiografia është një ekzaminim neurologjik.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?

Në pjesën më të madhe të rasteve, nuk nevojitet asnjë përgatitje përpara ekzaminimit. Meqenëse gjilpërat e elektrodave fiksohen në muskuj gjatë elektromiografisë, pacientët që marrin medikamente për hollimin e gjakut (antikoagulante), duhet t’i ndërpresin ato disa ditë përpara ekzaminimit ose t’i zëvendësojnë me injeksione heparine në zonën e barkut. Është mjeku ai që jep udhëzime për çdo rast. 

Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?

Nuk është i nevojshëm asnjë sqarim përpara realizimit të një elektromiografie. 

Si realizohet Elektromiografia?

Ekzaminimi mund të kryhet në kushte ambulatore, në kabinetin e neurologut, dhe zgjat nga 10 minuta deri në 1 orë, në varësi të numrit të muskujve që duhet të vlerësohen.

  • Pas dezinfektimit të lëkurës, gjilpëra e elektrodës futet në muskul duke shpuar lëkurën.
  • Aktiviteti elektrik i muskujve matet në pushim, me muskuj lehtësisht të kontraktuar dhe të kontraktuar fort. Aktiviteti i tyre bëhet i dëgjueshëm në formën e zhurmave ose kërcitjeve, ose paraqitet me një kurbë (elektromiograma).

Kur kryhet Elektromiografia?

Elektromiografia përdoret për diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve të ndryshme të muskujve. Ajo lejon të përcaktohet nëse është vetë muskuli i sëmurë apo është nervi përkatës i dëmtuar.

Arsyet më të shpeshta për kryerjen e elektromiografisë janë:

  • Problemet muskulare: dhimbje të muskujve, dobësi të muskujve, paraliza të muskujve
  • Sëmundjet muskulare (miopatitë): inflamacionet muskulare, sëmundjet e trashëguara neuro-muskulare, si p.sh. skleroza laterale amiotrofike (SLA)
  • Sëmundjet e disqeve ndërvertebrale me dëmtime të rrënjës së nervit

A paraqet Elektromiografia ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?

Ekzaminimi nuk është krejtësisht pa dhimbje (nga futja e gjilpërës së elektrodës), por është relativisht mirë i toleruar nga shumica e pacientëve. Për më tepër, elektromiografia nuk paraqit rreziqe për pacientin. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.