Djegiet e lëkurës prej të ftohtit (Morthi)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

- Djegiet e lëkurës prej të ftohtit përbëjnë një urgjencë mjekësore, që ka nevojë për trajtim sa më të shpejtë dhe efikas.
- Ato prekin pjesët e ekspozuara të trupit, siç janë gishtat e duarve dhe të këmbëve, hunda dhe veshët, gjatë kontaktit me te ftohtin ekstrem. Në këto raste ndodh ndërprerja e furnizimit me gjak të indeve, që mund të shkaktojë edhe vdekjen.
- Në këto raste është vendimtar informimi i mjaftueshëm rreth tyre dhe shkathtësia e veprimit të personit që jep ndihmën e parë. Kështu: nuk duhen përdorur kurrë shishet plastike me ujë të nxehtë, trupi nuk duhet të fshihet, as të fërkohet, as të lëvizen me forcë pjesët trupore të dëmtuara. Ato mund të lënë pasoja, që nënkuptojnë dëmtime ose ndryshime të aspektit të lëkurës. Sipas rrethanave, dëmtimet e rëndësishme (stadi III/shih simptomat) janë të dallueshme veçse pas disa javësh.
Veprimi i fortë dhe i vazhdueshëm i të ftohtit, i shoqëruar më shpesh me lagështirë dhe erë, provokon një ndërprerje të furnizimit me gjak të pjesëve të ekspozuara të trupit. Për pasojë, prekja e indeve mund të arrijë deri në vdekje qelizore.
Në rastin e aksidenteve që pengojnë viktimën të lëvizë, veçanërisht në ujë, në mal, ose edhe vetëm mbajtja e veshjeve të lagura në trup, mund të shkaktojnë rënie të temperaturës trupore, pra hipotermi. Nëse ajo është e menjëhershme dhe e rëndësishme, rrezikon jetën e të aksidentuarit.

Tre stadet e djegies së lëkurës nga i ftohti jane:
Stadi I
- Ftohje, zbehje, dhimbje e menjëhershme dhe e fortë në zonat më të ekspozuara të lëkurës (gishtat e duarve dhe të këmbëve, faqet, veshët dhe hunda).
- Nxirje e lëkurës, si në rastet kur ajo digjet, shfaqje e flluckave (fshikëzave) në të. Këto dëmtime shërohen përgjithësisht pa ndërlikime.
Stadi II - i dukshëm vetëm pas ngrohjes
- Skuqje e lëkurës, fryrje, shfaqje e flluckave, kryesisht në duar dhe në këmbë.
- Flluckat e pastra shërohen plotësisht.
- Flluckat me gjak në brendësi shërohen më ngadalë
- Flluckat e shpuara (të plasura) bartin rrezikun e infektimit.
Stadi III - forma më e rëndë, e dallueshme vetëm pas disa ditësh ose javësh
- Lëkura është e zezë, e thatë, indi nën lëkurë i fortë (shenjë e nekrozës-vdekjes qelizore)
- Humbje e ndjeshmërisë në zonën e dëmtuar
- Prania e një vije ndarëse të dallueshme ndërmjet indit të shëndoshë dhe atij të nekrotizuar.
Në përgjithësi, njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe gjendjen e pacientit mjaftojnë për vendosjen e diagnozës.
Është i nevojshëm egzaminimi trupor, dhe vlerësimi i funksionit të organeve me rëndësi jetike, si zemra dhe mushkëritë.
Kujdes: në fillim, çdo dëmtim paraqitet si një djegie e gradës së parë. Vetëm pas disa ditësh ose javësh mund të konstatohet një djegie e gradës së tretë (shih simptomat).
Masat e urgjencës
Hipotermia dhe dëmtimet e lëkurës prej saj përfaqësojnë situata të urgjencës.
Për pasojë, në këto raste janë të detyrueshme masat e mëposhtme:
- Vendosja e dorezave mbrojtëse
- Zhvendosja e pacientit sa më shpejt të jetë e mundur në një vend të ngrohtë, ose të mbulohet me një batanije leshi
- T’i jepen pije të ngrohta dhe të ëmbla
- Të mos lëvizen pjesët e dëmtuara të trupit; personi që jep ndihmën e parë ta ngrohë pacientin me trupin e tij. Kujdes: të mos fshihet, të mos ngrohet me shishe plastike me ujë të nxehtë, të mos fërkohet me dëborë; sepse egziston rreziku i dëmit të pariparueshëm !
- Të mbulohen me kujdes pjesët e dëmtuara të trupit
- Të futen në banja jo shumë të ngrohta, maksimumi 10 °C; temperatura e ujit të rregullohet në varësi të shkallës së durimit të dhimbjes nga pacienti.
- Ngrohja e pacientit të bëhet në mënyrë të ngadaltë, graduale, deri në një temperaturë maksimale prej 38 °C.
- Të përdoren medikamente antialgjike (kundër dhimbjes), sipas rastit (aspirinë)
- Nëse është e mundur, të lëvizen gjymtyrët e dëmtuara, përndryshe mjafton vetëm ngritja lart e tyre.
- Të shtrohet menjëherë në spital pacienti nës rast se në lëkurë janë shfaqur flluckat.
Kur sipërfaqet e plagëve janë të rëndësishme, mbeten cikatrice (shenja) pas shërimit të tyre. Në dëmtimet e gradës së tretë mund të nevojitet prerja e gjymtyrës së dëmtuar.