logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Thyerja e kyçit të dorës dhe radiusit.
Thyerja e kyçit të dorës dhe radiusit.

Thyerja e radiusit (njërës prej dy kockave të parakrahut) ndodh përgjithësisht në pjesën e poshtme të tij, pranë kyçit të dorës. Ajo është shpesh rastësore, pas një rrëzimi ose goditjeje në këtë nivel, dhe përfaqëson thyerjen më të zakonshme.

Thyerja e radiusit me pikën e shkëputjes në drejtim të bërrylit renditet e dyta për nga shpeshtësia, pas thyerjes së klavikulës. Thyerjet e kyçit të dorës ndodhin kryesisht tek të rinjtë, gjatë ushtrimit të sporteve të tilla, si skitë, patinazhi, etj. Kjo lloj thyerjeje është e shpeshtë edhe tek fëmijët. Përgjithësisht, në këto raste kocka është e thyer, por muri i saj mbetet i paprekur nga dëmtimi.

Thyerja e kyçit të dorës përfaqëson një nga shkaqet më të shpeshta të sëmundshmërisë tek personat e moshuar, për shkak të incidencës gjithnjë e më të lartë të rrëzimeve, gjatë të cilave kjo zonë zihet keq. Prania e osteoporozës (ulja e dendësisë kockore) në këto mosha përbën një faktor të rëndësishëm të rrezikut jo vetëm për thyerje të radiusit, por edhe të kockave të tjera të skeletit.

 

Rreth 85% e thyerjeve të kyçit të dorës shkaktohen nga rrëzimet, kur personi përpiqet të kapë diçka. Në këtë rast bëhet fjalë për një thyerje gjatë rrëzimeve me radiusin të shtrirë, ku pesha bie mbi kyçin e dorës në pozicion të përkulur. Tek personat e moshuar konstatohen shpesh thyerje nga shtypja apo përkulja pas një rrëzimi mbi kyçin e dorës të përkulur.

Kur shtrirja (zgjatja) e radiusit është e theksuar, mund të shfaqen dëmtime të kockave të kyçit të dorës. Në rastin e shtrirjes minimale të tij, konstatohen më tepër dëmtime të parakrahut ose të bërrylit. 

 Dhimbje e menjëhershme dhe ënjtje pas aksidentit.
Dhimbje e menjëhershme dhe ënjtje pas aksidentit.

Thyerja e kyçit të dorës dhe radiusit karakterizohet nga simptoma të ndryshme, në varësi të shkakut të thyerjes, tipit të saj dhe shkallës së dëmtimit të strukturave përreth. Kështu:

  • Kur thyerja është pasojë e një aksidenti, shfaqet dhimbje e menjëhershme dhe enjtje në zonën e kyçit të dorës.
  • Grumbullimi i gjakut në zonën e dëmtuar
  • Kufizimi i lëvizjeve të dorës, deri në pozicionimin e detyruar të saj.
  • Çrregullime të rëndësishme të ndjeshmërisë në dorë dhe në gishta.

Në rast se thyerja është shkaktuar nga ushtrimi i një force të madhe, skajet e kockave të thyera mund të dalin nga lëkura, duke shkaktuar atë që quhet frakturë (thyerje) e hapur.

Radiografi e kyçit të dorës.
Radiografi e kyçit të dorës.

Nëpërmjet egzaminimit të kujdesshëm dhe lëvizjes së kyçit të dorës, mjeku është në gjendje të konstatojë nëse bëhet fjalë për një thyerje të radiusit. Më pas, diagnoza konfirmohet plotësisht me ndihmën e radiografive.

Egzistojnë tre tipe të thyerjeve:

  • Tipi A, ku thyerja ka ndodhur jashtë kyçit (artikulacionit) të dorës.
  • Tipi B, ku thyerja ka ndodhur pjesërisht brenda kyçit të dorës, pra kyçi është pjesërisht i thye. Zakonisht ky tip thyerje shoqërohet nga një thyerje tjetër.
  • Tipi C, ku thyerja ka ndodhur plotësisht brenda kyçit. Në këtë rast, në radiografi konstatohen disa pika thyerjeje në nivelin e kyçit të dorës.
Ripozicionimi dhe lehtësimi i dhimbjes.
Ripozicionimi dhe lehtësimi i dhimbjes.

Qëllimi i trajtimit të thyerjes së kyçit të dorës është të rivendosë ose të ruajë lëvizshmërinë e tij. Kjo arrihet me rrugë kirurgjikale dhe jokirurgjikale.

Trajtimi jokirurgjikal

Fillimisht kryhet rivendosja e pjesëve kockore të zhvendosura në vendin e tyre. Egzaminimi radioskopik lejon të kontrollohet pozicioni i kyçit të dorës. Për kryerjen e tij është e nevojshme anestezia lokale ose anestezia e përgjithshme, për shkak të dhimbjeve të forta. Pasi vendosen kockat përsëri në vendin e duhur, kyçi stabilizohet me ndihmën e një allçie, deri në nivelin e bërrylit. Duhet të kryhen, sa më herët që të jetë e mundur, ushtrime për lëvizjen e shpatullës, të bërrylit dhe të dorës. Më pas, çdo dy ditë kryhet egzaminimi radiologjik, për t’u siguruar që pozicioni i kyçit vazhdon të jetë korrekt, apo ka ndodhur ndonjë zhvendosje e re e pjesëve kockore. Pozicionimi i mirë i kyçit të dorës është vendimtar për lëvizshmërinë e dorës në të ardhmen. 

Operacionet

Nëse egziston rreziku i përsëritjes së zhvendosjes së pjesëve kockore pas fazës së rivendosjes së tyre, ose nëse kjo zhvendosje tashmë ka ndodhur, pjesët e kockave duhet të vendosen në vendin e duhur nëpërmjet operacionit, nën efektin e anestezisë (mpirjes) lokale. Gjithashtu:

  • Në thyerjet komplekse, me shumë pjesë kockore, vendoset fiksues i jashtëm prej metali, që del në lëkurë.
  • Në thyerjet e proçesit stiolid (në skajin e poshtëm) të radiusit ose në ato të tipit B (pjesërisht brenda kyçit të dorës), kryhet fiksimi me vidë. Shpesh në të tilla raste është i nevojshëm një implantim (zëvendësim) i mëvonshëm.

Në rastet kur, megjithë fiksimin e kryer, thyerja ka pësuar përsëri zhvendosje të pjesëve kockore, realizohet implantimi (vendosja) i një pllakëze prej metali.

Në pjesën më të madhe të rasteve, thyerja (fraktura) e kyçit të dorës shërohet lehtë. Kryerja e operacionit shoqërohet nga rreziqet e përgjithshme të një ndërhyrjeje kirurgjikale, si infeksionet, trombozat, etj. Heqja e pllakëzave të metalit rekomandohet pas 6-12 muajsh, me qëllim që të minimizohen rreziqet e shfaqjes së dëmtimit të tendineve ose ligamenteve. Kontrolli radiologjik është tepër i rëndësishëm pas rivendosjes së pjesëve kockore në mënyrë konservative (pa operacion). Ai mundëson vlerësimin e pozicionit të kyçit të dorës dhe rivendosjen e tij në pozicion normal sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse ai pozicionohet përsëri keq, është i pashmangshëm operacioni. Kjo situatë konstatohet në pothuajse gjysmën e rasteve.

Sëmundja e Sudeck përfaqëson një ndërlikim të zhvendosjeve kockore, pikërisht kur gjatë këtij proçesi dëmtohen enët e gjakut, nervat dhe pjesët e buta përreth tyre. Kjo situatë reflektohet me çrregullime metabolike të rëndësishme. Simptomat e kësaj sëmundjeje janë: enjtja, ndryshimi i ngjyrës së lëkurës dhe dhimbjet e vazhdueshme gjatë lëvizjes.

Nëse menjëherë pas thyerjes së kyçit të dorës, kryhet në mënyrë të përshtatshme vendosja e krahut në pozicion të palëvizshëm, qetësohen dhimbjet dhe kryhen ushtrime për forcimin e muskulaturës së krahut pas heqjes së pllakëzës metalike, rreziku për shfaqjen e sëmundjes së Sudeck do të jetë i papërfillshëm.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.