Sindromi i fashave muskulare (Sindromi i shtypjes së fashave muskulare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sindromi i fashave muskulare karakterizohet nga një rritje e presionit që ushtrohet në fashat e muskujve, që gjenden në parakrah ose në pulpën e këmbës. Ky sindrom mund të jetë akut, nga një dëmtim i papritur, ose kronik në rastin e tendosjes së vazhdueshme. Sindromi manifestohet së tepërmi në pulpën e këmbës, pas një thyrjeje të tibies ose të fibulës.
Fashat muskulare janë grupe mushkujsh të këmbëve ose të duarve, të cilat janë të rrethuara nga një membranë elastike (aponeuroza). Përmes tyre kalojnë edhe enët e gjakut dhe nervat. Në rastin e enjtjeve ose të grumbullimit të lëngjeve në brendësi të fashave (hematoma, lëngje indore), mungesa e hapësirës shakton rritje të presionit të brendshëm, fenomen ky që mund të çojë në dëmtime të muskujve dhe nervave. Sindroma akute e shtypjes së fashave muskulare është gjithmonë një emergjencë mjeksore: pacienti duhet dërguar menjëherë në spital për të shmangur shkatërrimin e indeve.
Shkaku më i shpeshtë i sindromit akut të shtypjes së fashave muskulare është lëndimi i pulpës së këmbës, si pasojë e:
- Thyerjes së kockave të këmbëve (tibia, fibula).
- Goditjet e forta, shtypjet e muskulit ose çarja e fashave muskulare.
- Tromboza e venave të këmbës.
- Një allçi ose fashë tepër e shtrënguar.
Sindroma kronike e shtypjes së fashave muskulare haset tek atletët e sporteve ekstreme, të cilët zhvillojnë muskulaturën në kohë shumë të shpejtë ose dhe nga tendosja e vazhdueshme (maratonat).
Sindromi i shtypjes së fashave muskulare karakterizohet nga:
- Dhimbja e fortë në zonën e muskulaturës së prekur, që lehtësohet shumë pak nga analgjezikët (medikamente për qetësimin e dhimbjeve).
- Muskulatura është tepër e fortë dhe e dhimbshme në shtypje.
- Enjtje dhe ndjesi presioni në zonën e fashave muskulare.
- Çrregullime të ndjeshmërisë, me ndjenjën e shpimit, mpirjes dhe një çrregullim të ndjeshmërisë midis gishtit të madh dhe gishtit të dytë të këmbës në rastin e sindromës së shtypjes së fashave muskulare në zonën e pulpës.
- Kufizimi lëvizjeve: dhimbje gjatë lëvizjeve pasive, psh. kur ngrihet gishti i madh i këmbës
- Pulsimi është i dukshëm (p.sh në pjesën e qafës së këmbës).
Në formën kronike të sindromit, dhimbjet shtohen në mënyrë progresive gjatë tendosjes së muskujve dhe mund të zgjasin disa orë ose disa ditë pas tendosjes.
Sindroma akute e shtypjes së fashave muskulare duhet diagnostikuar dhe trajtuar sa më shpejt që të jetë e mundur, për të parandaluar degjenerimin e indeve. Mjeku e vendos diagnozën duke u bazuar kryesisht tek:
- Simptomat karakteristike dhe rrethanat nga se ka ardhur shqetësimi i pacientit, psh. nga aksidentet, fashat e shtrënguara, etj.
- Manometria: matja e presionit në brendësi të fashës muskulare, duke përdorur një sensor presioni (manometri i lidhur me një gjilpërë ose kateter). Nëse presioni e tejkalon një vlerë të caktuar, ndërhyrja kirurgjikale duhet të kryhet mënjëherë për ta çliruar muskulin nga presioni.
- Ekzaminimi me ultratinguj (ekografia): vlerëson gjendjen e qarkullimit të gjakut dhe synon të përcaktojë nëse shkak i sindromit është prania e gjakut të mpiksur (tromboza e venave të këmbës).
- Ekzaminime të tjera imazherike: si radiografia, skaneri (CT) dhe rezonanca magnetike (MRI) mund të përdoren për të përcaktuar shkaqet e tjera, si thyerja e kockave, enjtja e muskujve, hematoma ose edema (grumbullimi i lëngjeve indore).
Në rastin e sindromit akut të shtypjes së fashave muskulare, është e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale e menjëhershme. Kjo ndërhyrje konsiston në një prerje gjatësore të lëkurës dhe aponeurozës, për të lehtësuar presionin në zonën përkatëse. Plaga e krijuar nga kirurgjia mbyllet pasi të jetë pakësuar ënjtja e muskujve dhe presioni i ushtruar mbi to. Nëse muskujt dhe nervat janë dëmtuar, duhet t’i nënshtrohen një trajtimi intensiv riedukues përmes gjimnastikës terapeutike.
Në rastin e sindromit kronik të shtypjes së fashave muskulare, si ai që u ndodh atletëve të sporteve ekstreme gjatë stërvitjes, situata është më pak e rrezikshme. Përgjithësisht, në shumicën e rasteve mjafton pakësimi i tendosjes muskulare për të ulur presionin mbi indet në brendësi të fashës.
Në formën kronike zbatohen masat e mëposhtme:
- Çlodhje dhe freskim i gjymtyrës së prekur.
- Ndalimi i çdo aktiviteti sportiv, deri në lehtësimin e dhimbjeve.
- Masat parandaluese: pakësimi i stërvitjes, me një ritëm më të arsyeshëm, rritja në mënyrë të ngadaltë dhe graduale e intensitetit të ushtrimeve.
- Nëse forma kronike përparon gjithsesi në formën akute, ndërhyrja kirurgjikale e shpejtë përsëri është parësore.
Një sindrom akut i shtypjes së fashave muskulare, që nuk menaxhohet në kohën më të shkurtër të mundshme, mund të çojë në humbjen e funksionit të gjymtyrës së prekur, apo edhe në prerjen e saj.
Ndërlikimet e mundshme janë:
- Sindromi Volkmann: mban emrin e Dr. Richard Volkmann, i cili e përshkroi këtë fenomen në shekullin e 19-të. Degjenerimi i indeve dhe cikatricja çojnë në përkulje të përhershme të këmbës dhe gishtave të saj, ose të dorës dhe gishtave të saj.
- Indet mund të dëmtohen në atë masë, saqë të nevojitet prerja e këmbës ose e krahut të prekur.