logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Zhvendosja e shpatullave: supet zakonisht zhvendosen pas një rënieje.
Zhvendosja e shpatullave: supet zakonisht zhvendosen pas një rënieje.

Shpatulla është një nga kyçet më të lëvizshme të trupit të njeriut. Masa e lëvizshme që ajo mbështet është mjaft e rëndësishme, duke përfaqësuar një rrezik të përhershëm për dëmtime, veçanërisht për ndrydhjen dhe zhvendosjen e saj. Në këtë rast, koka e krahut del nga hapësira glenoide (zgavra e kyçit të shpatullës), dhe mund të shkaktojë dëmtime të tjera shoqëruese.

Shkaqet e zhvendosjes së shpatullës janë të ndryshme: herën e parë ajo ndodh shpesh gjatë një rrëzimi (traume). Më pas, epidoset e tjera shfaqen si pasojë e brishtësisë së ligamenteve që lidhin kockat me njëra-tjetrën,dhe tendineve që lidhin muskulin me kockën. Në këto raste bëhet fjalëpër zhvendosje të përsëritura pas traumave.

Zhvendosja e shpatullës mund të jetë edhe pasojë e dobësisë së saj, që mund të jetë pasojë e ligamenteve të dobësuara ose deformimeve të zgavrës glenoide. Në këto raste bëhet fjalë për zhvendosje të zakonshme të shpatullës.

Qëllimi i trajtimit të një shpatulle të zhvendosur konsiston në rivendosjen menjëherë të saj në pozicionin normal dhe, më pas, në rifitimin e lëvizshmërisë totale të saj. Trajtimi kryhet me ose pa operacion. Pas futjes së shpatullës në pozicionin e saj fillestar, është e detyrueshme mbajtja e krahut pa lëvizur për 1-6 javë.

Pjesa më e madhe e zhvendosjeve (nxjerrjeve) të shpatullës ndodhin pas një aksidenti (traume), si psh. pas rrëzimit gjatë ushtrimit të sporteve të veçanta (ski, biçikletë, motor) ose pas një aksidenti të lidhur me qarkullimin e gjakut (goditje në zemër ose në tru). Shpatulla mund të dalë nga pozicioni i saj normal edhe si pasojë e një sforcimi, apo nën ndikimin e një force të jashtme. Zhvendosjet e përsëritura të shpatullës janë të lidhura me një episod të parë, përgjithësisht traumatik.

Në rastin e brishtësisë së lindur të kockave, si dëmtimi i zgavrës glenoide, ligamenteve dhe tendineve të flashkëta, një lëvizje e shpejtë e menjëhershme prapa (lëvizja e krahut në formën e levës me rrotullim nga jashtë) është shpesh e mjaftueshme që koka e shpatullës të dalë nga zgavra glenoide.

Shkaqe të tjera të zhvendosjeve të përsëritura të shpatullës:

  • Dëmtimet e mëparshme të ligamenteve, tendineve dhe/ose pas një aksidenti.
  • Dëmtimet e kockave
  • Çrregullimet e ndjeshmërisë (humbja e perceptimit dhe e kontrollit të trupit)
  • Dobësia muskulare
  • Dobësia e lindur e indit lidhor
  • Sindroma Marfan (dobësi e trashëguar e indit lidhor)
  • Humbja e kontrollit muskular

Në rastin e nxjerrjes së shpatullës, pacienti mund të shfaqë këto simptoma: dhimbje të menjëhershme dhe të forta në zonën e supit dhe krahut. Personi nuk mund ta ngrejë krahun, i cili varet përgjatë trupit.

Zhvendosja (nxjerrja) e shpatullës, pavarësisht nga origjina, duhet gjithmonë të konsultohet nga mjeku. Në fakt, kjo vlen për të gjitha kyçet, pasi në çdo rast zhvendosja mund të shoqërohet nga dëmtime të kockave, ligamenteve ose tendineve.

Mjeku mund të vendosë diagnozën e zhvendosjes (nxjerrjes) së shpatullës nga vendi normal, duke u bazuar në historinë e sëmundjes dhe gjendjen e pacientit në momentin e konsultimit.si dhe në: 

  • Egzaminimet radiologjike
  • Për të gjitha rastet me zhvendosje të shpatullës, duhet të kryhet radiografia tradicionale, me qëllim që të evidentohen dëmtimet e mundshme të kockave. Në rast se dyshohet për dëmtime të pjesëve të buta, kryerja e rezonancës magnetike mundëson vendosjen e diagnozës.

Trajtimi i urgjencës

  • Nëse është e mundur, të bashkohet krahu me trupin, me qëllim që të mos varet poshtë dhe të shkaktojë dëmtime shoqëruese të strukturave të afërta.
  • Të mbulohet krahu me akull, por jo drejtpërdrejt mbi lëkurë.

Trajtimi varet nga rëndësia dhe klasifikimi i zhvendosjeve të shpatullës, dhe sipas kërkesës së pacientit. Qëllimi kryesor i këtij trajtimi është pozicionimi (fiksimi) i shpatullës në vendin e saj fillestar. Kjo është vendimtare për evitimin e dëmtimit të nervave ose enëve të gjakut. Kjo proçedurë duhet detyrimisht të kryhet nga mjekë me përvojë në këtë drejtim.

Në varësi të diagnozës, mund të jetë i nevojshëm një ripozicionim i shpatullës, mundësisht në gjendjen e qetësisë. Meqenëse kjo proçedurë shkakton dhimbje, përpara kryerjes së saj, pacientit i jepet një medikament qetësues (antialgjik). Më pas, ai i nënshtrohet kontrollit radiografik, për të konfirmuar nëse koka e krahut është vendosur përsëri në hapësirën glenoide. Pacienti merr qetësues dhe medikamente kundër enjtjes, si dhe lëshues të muskulaturës.

Trajtimi medikamentoz konsiston në përdorimin e:

  • Medikamenteve qetësuese të dhimbjeve (antialgjikët)
  • Medikamenteve që luftojnë inflamacionin
  • Medikamenteve që lëshojnë muskulaturën

Fashimi

Kryhet në disa mënyra, në varësi të shkallës së dëmtimit:

  • Fashimi Gilchrist: Parakrahu fashohet në kënd të drejtë dhe i ngjitur pas trupit.
  • Vendosja e krahut në allçi, ku pozicionimi i tij në kënd të drejtë tabilizon dhe mban të palëvizur shpatullën. Kjo metodë përdoret zakonisht pas operacionit.
  • Vendosja e një pajisjeje ortopedike kundër zhvendosjes: stabilizon shpatullën, në mënyrë të tillë që koka e kyçit të mos dalë nga hapësira glenoide.

Trajtimi kirurgjikal

Sa më i ri dhe aktiv të jetë pacienti, aq më i nevojshëm është trajtimi kirurgjikal. Për pacientët më të moshuar janë shpesh të mjaftueshme: fiksimi në pozicion të palëvizur të krahut, përdorimi i medikamenteve që qetësojnë dhimbjet dhe forcimi muskular. Zhvendosjet e përsëritura të shpatullës trajtohen përgjithësisht nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale. Së pari, artroskopia (egzaminim që vlerëson artikulacionin gjatë lëvizjes) ndihmon në vlerësimin e shkallës së dëmtimit.

Me rruge kirurgjikale trajtohen dëmtimet e mëposhtme:

  • Dëmtimet e nervave
  • Thyerjet
  • Dëmtimet e kapsulës së kyçit

Protokolli në vijim varet nga tipi i dëmtimit. Kështu, dëmtimet e buzës së zgavrës glenoide dhe të aparatit kapsulo-ligamentar kanë nevojë për stabilizim dhe fiksim nëpërmjet operacionit. Lidhur me këtë, egzistojnë teknika të ndryshme operatore, në përshtatje me tipin dhe shkallën e dëmtimit. 

Trajtimi pas operacionit

Pas kryerjes së operacionit, mund të jetë i nevojshëm qëndrimi I pacientit në spital për dy ditë. Me qëllim që të parandalohet një zhvendosje e re e shpatullës, nevojitet mbajtja e bërrylit në allçi për të paktën 3 javë. Në këtë mënyrë evitohet lëvizja e krahut dhe mbajtja e ngarkesave me të.
 
Më pas, për të paktën 6 muaj, është i nevojshëm riaftësimi i funksionit të shpatullës, nëpërmjet ushtrimeve për forcimin e muskujve. Gjatë kësaj periudhe janë të ndaluara sportet e vështira (veçanërisht ato të lidhura me përdorimin e krahëve). 
 

 

Tek 90% e pacientëve, operacioni mund të rikthejë qëndrueshmërinë e kyçit të shpatullës. Në raste të rralla, mund të konstatohet një kufizim i lëvizjeve të krahut në rrotullimin për nga jashtë.

Ndërlikimet specifike të nxjerrjes së shpatullës:

  • Kufizimi i lëvizshmërisë (në veçanti i rrotullimit për nga jashtë i krahut), dhe zhvillimi i artrozës në një stad të mëvonshëm.
  • Ankiloza kockore (supi i ngrirë): inflamacionet dhe atrofia e kapsulës së kyçit të shpatullës kufizojnë lëvizjet e kësaj të fundit.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.