logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Venat varikoze: mosqarkullimi i gjakut, kryesisht në venat e këmbëve.
Venat varikoze: mosqarkullimi i gjakut, kryesisht në venat e këmbëve.

Gjaku qarkullon në enët e tij në këtë mënyrë: gjaku i pasur me oksigjen me enët e gjakut të quajtura arterie dhe gjaku i varfër në oksigjen me enët e gjakut të quajtura vena.

Përveç pompës së vërtetë të gjakut (zemrës), qarkullimi i gjakut është i organizuar në qarkullimin e madh (të përgjithshëm) dhe atë të vogël (mushkëror). Qarkullimi i madh i gjakut realizohet nga arteriet, që transportojnë gjakun e pastër (të pasur në oksigjen dhe lëndë ushqyese) dhe nga venat, që transportojnë gjakun e papastër (të varfër në oksigjen dhe lëndë ushqyese dhe të pasur në dioksid karboni). Në qarkullimin mushkëror (të vogël) ndodh e kundërta, arteriet transportojnë gjakun e papastër nga zemra për në mushkëri, dhe venat transportojnë gjakun e pastruar në mushkëri për në zemër.

Në pozicionin ulur, në këmbë dhe gjatë ecjes, gjakut i duhet të kthehet në venat e këmbëve. Ky problem i transportit kapërcehet nga venat e shëndetshme, në sajë të dy mekanizmave: moslejimit të kthimit të gjakut poshtë nëpërmjet valvulave të venave, dhe rolit pompë që luajnë muskujt e pulpave të këmbëve, duke ndihmuar transportimin e gjakut në drejtim të baçinit (legenit) dhe zonës së barkut. Në prani të një sëmundjeje venoze, ndodh grumbullimi i likidit në këmbë.

Tipet e dëmtimeve të venave

Variçet

Normalisht, valvulat venoze pengojnë gjakun venoz të rikthehet poshtë, në këmbë. Në rastin e funksionit të pamjaftueshëm të këtyre valvulave, ato nuk mbyllen plotësisht dhe nuk e pengojnë kthimin e gjakut.

Për këtë arsye, gjaku venoz nga venat e thella, ku presioni është më i lartë se në venat sipërfaqësore, kalon në sistemin venoz sipërfaqësor. Drejtimi i qarkullimit të gjakut është i kundërt, duke rezultuar në dëmtime të tilla, si shkatërrimi i valvulave të tjera venoze. Kështu, venat zgjerohen dhe përdridhen (= variçe), dhe mund të shfaqen enjtje të lehta të këmbëve.

Funksioni i pamjaftueshëm i valvulave të venave është një nga shkaqet e hipertensionit venoz kronik (të vazhdueshëm), që në fakt është përgjegjës për grumbullimin e likidit në vena.

Variçet prekin fillimisht venat e vogla të lëkurës, pastaj në mënyrë progresive venat e mëdha dhe në fund venën safena të madhe dhe të vogël. Në këtë stad është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.

Varikozitetet

Varikozitetet përfaqësojnë vena të vogla komunikuese të lëkurës që kanë pamjen e njollave, degëve apo yjeve. Ato janë thjesht ndryshime të vogla të venave të lëkurës dhe konsiderohen si shenjat e para të një qarkullimi të keq venoz.

Ashtu si edhe variçet, këto vena kanë humbur një pjesë të madhe të elasticitetit të tyre dhe zgjerohen në mënyrë të pakontrolluar. Varikozitetet janë tepër të dukshme në zonën e kërcirit dhe të këmbëve.

Këto ndryshime të venave janë rrallë të dhimbshme, por paraqesin probleme të shumta estetike për pacientët dhe reflektojnë një çrregullim të qarkullimit venoz në nivelin e këmbëve.

Në parim, të gjitha venat mund të jenë të prirura për variçe, por gjithsesi ato shfaqen më shpesh në venat e këmbëve. Hemorroidet dhe variçet e ezofagut, që shfaqen në kuadër të sëmundjeve të mëlçisë, përbëjnë një tip tjetër të variçeve.

Funksioni i pamjaftueshëm i valvulave është një shkak i hipertensionit venoz kronik, i cili shkakton grumbullim të gjakut në vena. Lidhur me zhvillimin e këtij proçesi, egziston një predispozitë gjenetike e caktuar. Gjithashtu, edhe femrat shtatzana shfaqin shpesh variçe.

Profesionet që kërkojnë qëndrime të gjata në pozicionin ulur dhe/ose në këmbë, favorizojnë gjithashtu shfaqjen e variçeve. Nga këndvështrimi statistikor, pothuajse një femër në dy dhe një mashkull në katër paraqesin variçe në gjysmën e dytë të jetës së tyre.

Faktorët e rrezikut për shfaqjen e variçeve

  • Predispozita gjenetike (trashëgimia), dobësimi i indit lidhor.
  • Gjinia femërore: hormonet seksuale femërore (estrogjenët) mund të shkaktojnë një lëshim të indit lidhor.
  • Mungesa e aktivitetit fizik, qëndrimi për periudha të gjata kohore në pozicionin ulur ose në këmbë mund të pengojnë qarkullimin e gjakut në mënyrë kronike (të vazhdueshme).
  • Mbipesha trupore
  • Duhanpirja

Në stadin fillestar, variçet manifestohen shpesh me ndjesinë e rëndesës, lodhjes dhe shtypjes në këmbë. Mund të shfaqen edhe dhimbje muskulare gjatë natës. Venat me variçe janë lehtësisht të dallueshme.

Në vazhdim, venat bëhen të dhimbshme dhe qarkullimi i gjakut në këmbë përkeqësohet. Në stade më të avancuara këmbët enjten, dhe shfaqin atë që njihet si edema apo "uji në këmbë". Të dy këmbët mund të preken njëherësh nga variçet. Duhet theksuar që në origjinën e grumbullimit të ujit në këmbë (edemave) mund të qëndrojnë edhe shkaqe të tjera, si rënia e funksionit të zemrës, trombozat, etj.

Gjithashtu, edemat mund të shkaktohen edhe nga çrregullimet e qarkullimit të gjakut për shkak të presionit të rritur në inde. Në këtë rast, indi rrezikon të mos furnizohet mjaftueshëm me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Nëse nuk trajtohet, lëkura mund të hapet (çahet) dhe formohet ulçera venoze.

Venat varikoze, variçet: ekzaminime të ndryshme.
Venat varikoze, variçet: ekzaminime të ndryshme.

Varikozitetet janë të dukshme me sy të lirë. Variçet mund të palpohen (evidentohen nëpërmjet prekjes) nga mjeku. Ekografia Dopler është një egzaminim specifik, që i lejon mjekut të vlerësojë qarkullimin e gjakut në vena, dhe të evidentojë praninë e variçeve në to.

Në disa raste mund të jetë e nevojshme kryerja e një radiografie të venave me lëndë kontrasti (flebografia).

Venat varikoze, variçet: në shumë raste, çorapet e llastikut janë të mjaftueshme.
Venat varikoze, variçet: në shumë raste, çorapet e llastikut janë të mjaftueshme.

Trajtimi i variçeve synon të korrigjojë mosfunksioninim e mirë të valvulave venoze, pra mosmbylljen e plotë të tyre. Në këtë mënyrë, ai mund të pengojë ose të paktën të pakësojë edemat dhe të favorizojë furnizimin e indeve me gjak, pra me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Përveç problemit estetik që paraqesin, variçet e patrajtuara mund të shkaktojnë ulçerat venoze.

Varikozitetet përgjithësisht sklerotizohen me anestezi lokale.

Në rastet me simptoma të lehta deri mesatare, rekomandohet fashimi i tyre, ose mbajtja e çorapeve të posaçme. Kjo arrin vetëm të lehtësojë simptomat, por nuk i zhduk variçet. Në trajtimin e tyre mund të jenë efikase edhe disa medikamente bimore, por pacienti duhet të këshillohet me mjekun e tij ose farmacistin lidhur me përdorimin e tyre. Në rastin e variçeve të lehta, mund të aplikohen pomada kundër variçeve, nëpërmjet masazhit.

Në rastet me edema (enjtje të këmbëve) të rëndësishme, rekomandohet përdorimi i medikamenteve që nxisin urinimin (shkarkuesit-diuretikët).

Në rastet e rënda, është e nevojshme kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale, që konsiston në heqjen e variçeve. Për këto tipe ndërhyrjesh, përdoren teknika të ndryshme operatore. Është e rëndësishme që të mos hiqen vetëm degët venoze të zgjeruara, por edhe pikat e tyre të kryqëzimit me venat më të thella.

Për shkak të presionit të rritur në inde, edemat mund të shkaktojnë çrregullime të qarkullimit të gjakut. Kjo mund të çojë në një nënushqyerje të indeve me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Në mungesë të trajtimit të përshtatshëm, lëkura hapet dhe formohet ulçera venoze.

Ndonjëherë, pas një dëmtimi ose lëndimi të tyre, nga variçet mund të rrjedhë gjak në sasi të madhe.

Venat varikoze, variçet: aktiviteti fizik dhe kremërat përmirësojnë qarkullimin e gjakut.
Venat varikoze, variçet: aktiviteti fizik dhe kremërat përmirësojnë qarkullimin e gjakut.

Parandalimi i variçeve konsiston në eleminimin e faktorëve të rrezikut për formimin e tyre, të tillë si mbipesha trupore, mungesa e aktivitetit fizik dhe duhanpirja. Në personat e predispozuar gjenetikisht (me trashëgimi) për variçe, duhet të evitohet ekspozimi ndaj të nxehtit ekstrem, si rrezet e nxehta të diellit dhe sauna.

 Nga ana tjetër, dushi skocez (me alternim të ujit të ngrohtë me atë të ftohtë), përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe për pasojë, edhe shkallën e furnizimit të indeve me oksigjen dhe lëndë ushqyese.

Sporte të tilla, si ecja në këmbë, noti ose çiklizmi përbëjnë një mënyrë efikase për parandalimin e variçeve. Duhen evituar me çdo kusht qëndrimet ulur dhe në këmbë për periudha të gjata kohore, duke i ndërprerë ato me ecje ose qëndrimin shtrirë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.