logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindroma e tunelit karpal: bllokimi i nervave në zonën e tunelit karpalit
Sindroma e tunelit karpal: bllokimi i nervave në zonën e tunelit karpalit

Sindroma e kanalit karpal (tunelit të kyçit të dorës) karakterizohet nga çrregullime të ndjeshmërisë, nga dhimbje dhe paraliza në nivelin e gishtit të madh, gishtit tregues dhe gishtit të mesit. Ajo shkaktohet nga shtypja e nervit median (njëri prej pesë nervave të krahut) në nivelin e kyçit të dorës. Kjo sindromë karakterizohet nga humbja e ndjeshmërisë gjatë natës dhe dhimbjet në nivelin e dorës.

Sëmundja prek kryesisht personat nga 40 deri në 60 vjeç. Është më e shpeshtë tek femrat sesa tek meshkujt. Tek femrat, kjo sindromë haset më shpesh gjatë shtatzanisë. Shpeshtësia e saj ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit, si pasojë e shtimit të punës në kompjuter, me përdorimin e të theksuar tastierës dhe të mauzit.

Kanali karpal gjendet në nivelin e kyçit të dorës. Ai kufizohet në pjesën e pasme dhe anash nga kockat e kyçit të dorës, dhe në pjesën e përparme (në pëllëmbën e dorës) nga indi lidhor i fortë. Në brendësi të këtij kanali kalojnë tendinet (që lidhin muskujt me kockën) përgjegjëse për përkuljen e gishtave, dhe nervi median, që siguron ndjeshmërinë e gishtit të madh, gishtit tregues dhe atij të mesit.  

Simptoma të ngjashme me ato të sindromës së kanalit karpal mund të shfaqen edhe gjatë sëmundjeve të tjera, që shkaktojnë shtypje të nervit në nivelin e shtyllës kurrizore, ose çrregullimet e qarkullimit të gjakut në nivelin e gishtave. Për këtë arsye, duhet të kryhet konsulta me mjekun specialist ortoped, për të përcaktuar natyrën e vërtetë të simptomave që paraqet pacienti.

Sindroma e kanalit karpal shkaktohet nga disa situata, që ngushtojnë kanalin karpal.
Si të tilla mund të përmendim:

  • Pasojat e thyerjeve;
  • Enjtjet me origjinë inflamatore;
  • Sëmundjet reumatizmale, si artroza në nivelin e kyçit të dorës ose guta, që shkaktojnë çrregullime të tunelit të kyçit të dorës.
  • Grumbullimi i likideve në inde, siç ndodh psh. gjatë shtatzanisë.
  • Shkaqe hormonale, si menopauza, hipertireoza apo hipotireoza (përkatësisht shtimi ose ulja e funksionit të gjendrës tiroide).
  • Ngushtimet e shkaktuara nga prania e tumoreve.

Mjaft shpesh ndodh që të mos gjendet shkaku i kësaj sindrome.

Ngushtimi i tunelit të kyçit të dorës shkakton shtypje të nervit median, që kalon në brendësi të tij. Pikërisht shtypja e këtij nervi është përgjegjëse për simptomat karakteristike të sindromës së kanalit karpal.

Sindromi e tunelit karpal: dhimbje dhe çrregullime emocionale.
Sindromi e tunelit karpal: dhimbje dhe çrregullime emocionale.

Në rastin e sindromës së kanalit karpal, pacienti paraqet këto simptoma:

  • Ndjesia e shpimit nga gjilpëra dhe mpirje në majat e gishtërinjve gjatë natës. Intensiteti i këtyre shqetësimeve mund të jetë i tillë sa ta zgjojë pacientin nga gjumi. Në stade më të avancuara, këto simptoma janë të pranishme edhe gjatë ditës.
    Simptomat e mësipërme përmirësohen kur krahu varet (lëshohet).
  • Ngurtësim i dorës në mëngjes;
  • Dhimbje kryesisht  gjatë natës, që përhapen në të gjithë krahun;
  • Ndjesia e mpirjes së dorës;
  • Ndjesi djegieje në dorë, që mund të përhapet deri në shpatull;
  • Vështirësi në kryerjen e punëve që kërkojnë shkathtësi, siç është qepja.
  • Atrofi e eminencës tenare (grup muskujsh në bazën e gishtit të madh), që, përgjithësisht, është shenjë e përparimit të sëmundjes.
Sindroma e tunelit karpal: matja e përcjelljeshmërisë nervore.
Sindroma e tunelit karpal: matja e përcjelljeshmërisë nervore.

Edhe pse sindroma e kanalit karpal është një sëmundje e shpeshtë, në shumë raste ajo kalon pa u vënë re, ose diagnostikohet me vonesë. Vendosja e një diagnoze të saktë, shoqëruar nga një trajtim i përshtatshëm, mundëson shërimin e plotë të saj. Për diagnostikimin e sindromës së kanalit karpal mjeku specialist ortoped orientohet nga simptomat e pacientit, duke u informuar në mënyrë të detajuar rreth kohës dhe rrethanave të shfaqjes së tyre, si dhe në lidhje me aksidentet që mund të kenë ndodhur në të kaluarën me pasojë thyerjet.

Egzaminimet neurofiziologjike, të tilla si elektroneurografia (ENG) dhe elektromiografia (EMG) ofrojnë informacion lidhur me gjendjen e nervit median. Gjatë ENG (që paraqet aktivitetin elektrik të nervave), matet shpejtësia me të cilën nervi përcjell ngacmimin. Kështu, nëse koha e transmetimit të ngacmimit është shumë e gjatë, duhet të merret në konsideratë mundësia e shtypjes së tij. EMG (që paraqet aktivitetin elektrik të muskujve) lejon të përcaktohet nëse është dëmtuar nervi apo muskuli, si dhe të lokalizojë saktësisht vendin e dëmtimit.

Sindroma e tunelit karpal: kryesisht duke eleminuar shtypjen e nervit.
Sindroma e tunelit karpal: kryesisht duke eleminuar shtypjen e nervit.

Trajtimi i sindromës së kanalit karpal konsiston në përdorimin e medikamenteve, kryerjen e fizioterapisë dhe/ose operacionit.

Medikamentet

Në këto raste pacienti ka nevojë të trajtohet me medikamente që qetësojnë dhimbjet dhe ulin shkallën e inflamacionit (antialgjikët dhe antiinflamatorët), që zakonisht përmbajnë kortizon (antiinflamatorët steroidienë). Gjithashtu, mund të përdoren anestezikët (mpirësit) lokalë, miorelaksantët (lëshuesit e muskulaturës), antidepresantët, etj.

Operacionet

Nëse metodat jokirurgjikale të përshkruara më sipër nuk japin rezultat, egziston rreziku i pasojave të përhershme nga shtypja e nervit median. Për këtë arsye, në të tilla raste duhet të kryhet sa më shpejt ndërhyrja kirurgjikale, për lirimin e pjesës së ngushtuar të kanalit karpal. Kjo është veçanërisht e nevojshme në rastet me paraliza.

Në përgjithësi, dhimbja lehtësohet menjëherë pas operacionit, ndërkohë që çrregullimet e ndjeshmërisë dhe paralizat mund të jenë të pranishme edhe për disa muaj të tjerë. Në fazën pas operacionit, trajtimi konsiston në riaftësimin e zonave të prekura.  

Masat fizike

Masat fizike që duhen zbatuar në personat me sindromën e kanalit karpal përfshijnë:

  • Nxitjen elektrike (elektrostimulimin) për lehtësimin e dhimbjeve;
  • Përdorimin e proçedurave të ftohta (krioterapia) për të ulur shkallën e inflamacionit; 
  • Përdorimin e proçedurave të nxehta për të nxitur qarkullimin e gjakut;
  • Përdorimin e fushës magnetike (magnetoterapia), për të nxitur metabolizmin; 
  • Përdorimin e Lazerit me frekuencë të ulët dhe ultratingujve, që veprojnë si një masazh i brendshëm; 
  • Fiksimin e kyçit të dorës gjatë natës në pozicion të palëvizshëm (me fasha, allçi, etj).


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.