logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Thyerja e krahut: shpesh vetëm nën bashkimin e shpatullave.
Thyerja e krahut: shpesh vetëm nën bashkimin e shpatullave.

Humerusi është kocka e krahut, që shtrihet nga shpatulla deri në bërryl.

Në varësi të lokalizimit, thyerjet e krahut (humerusit) grupohen në:

  • Thyerje poshtë kokës së humerusit
  • Thyerje mbi bosht, ndërmjet kokës së humerusit dhe bërrylit
  • Thyerje në nivelin e bërrylit

Në buzën e brendshme të kokës së humerusit, pikërisht poshtë kyçit (artikulacionit) të shpatullës, kocka e krahut është relativisht e butë dhe e vogël. Për pasojë, në këtë nivel ajo mund të thyhet më lehtë gjatë një goditjeje të fortë ose gjatë një rrëzimi ku pesha e trupit bie mbi njërin krah. Kjo thyerje është nga më të shpeshtat. Thyerjet e shkaktuara nga metastazat kockoretumoreve malinje kanë të bëjnë më shpesh me zonën e boshtit (gjatësisë) të krahut.

Në rreth 5% të rasteve, thyerja ndodh në nivelin e kokës së humerusit. Duke qenë relativisht e madhe dhe tepër e lëvizshme, ajo luan rolin kryesor në ruajtjen e uniformitetit kockor dhe të lëvizshmërisë.

Pozicioni shtrirë i krahut (krahu i shtrirë përgjatë trupit) i lejon mjekut të konstatojë thyerjen e humerusit. Nëse thyerja e krahut është e thjeshtë, trajtimi nuk është kirurgjikal. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan gjimnastika specifike për stabilizimin e kësaj zone.

 

Goditjet e forta ose rrëzimet mbi krah janë shkaqet kryesore të thyerjeve të tij. Tek personat e moshuar, prania e osteoporozës i favorizon thyerjet e krahut, madje edhe gjatë rrëzimeve të lehta. Kur thyerja është pasojë e metastazave në kocka të një tumori malinj (kanceri), bëhet fjalë për thyerje patologjike.

Menjëherë pas thyerjes së krahut gjatë një aksidenti, pacienti ndjen dhimbje të forta dhe të menjëhershme, që shoqërohen me një kufizim të rëndësishëm të lëvizjeve. Në rast se gjatë thyerjes janë dëmtuar edhe strukturat fqinje, si muskujt, tendinet (që lidhin muskulin me kockën), ligamentet (që lidhin kockat me njëra-tjetrën) dhe enët e gjakut, mund të konstatohen edhe enjtje. Në raste më të rënda mund të shfaqet pozicionimi anormal (i detyruar) i krahut.

Nëse janë prekur edhe nervat, mund të shfaqen çrregullime të ndjeshmërisë deri në paraliza.

Për vendosjen e diagnozës së thyerjes së krahut (humerusit), mjeku bazohet në përshkrimin e aksidentit dhe shenjat e dukshme në zonën e krahut (pozicioni i shtrirë dhe enjtja). 
 
Radiografia e krahut shërben për vlerësimin e saktë të shkallës së dëmtimit të tij. Skaneri evidenton dëmtimet shtesë në nivelin e ligamenteve (që lidhin kockat ndërmjet tyre) dhe tendineve (që lidhin muskulin me kockën).

Thyerja e krahut (veçanërisht ajo nën kokën e humerusit) trajtohet përgjithësisht pa ndërhyrje kirurgjikale. Tek personat e moshuar trajtohet njëkohësisht edhe osteoporoza, në mënyrë që të evitohet rreziku i përsëritjes së thyerjes kockore.

Trajtimi konservativ konsiston në:

  • Vendosjen e fashës Gilchrist, që e mban krahun të mbështetur në një kënd të drejtë përkundrejt trupit për 2-3 javë. Pas një periudhe të shkurtër kohore, riaftësimi terapeutik lejon rifillimin e lëvizjeve (lëvizje në formë lavjerrësi). Kujdes: këto lëvizje duhet të kryhen vetëm me ndihmën e një specialisti.
  • Kryerjen e ushtrimeve të shtrirjes së krahut deri në 60°. Pas 6 javësh, janë të mundshme ushtrimet e lehta, por duhet pritur edhe 2-3 javë të tjera për kryerjen e levizjeve rrotulluese.
  • Ushtrimet gjimnastikore në ujë.
  • Evitimin e mbajtjes (ngritjes) së peshave më të rënda se 2 kg, derisa shërimi i kockës së thyer të jetë i plotë (pas 6 javësh).
  • Kryerjen e kontrolleve të rregullta radiologjike, gjatë etapave të mësipërme të trajtimit konservativ.

 Trajtimi medikamentoz konsiston në:

     Trajtimi kirurgjikal

    Për trajtimin kirurgjikal të thyerjeve të krahut (humerusit) përdoren metoda të ndryshme operatore, në varësi të shkallës së thyerjes dhe lokalizimit të saj. Qëllimi i përbashkët i këtyre metodave është fiksimi i kockës së thyer në pozicionin e saj fillestar (normal), në mënyrë që pacienti të rifitojë aftësinë për lëvizje optimale të kyçit të shpatullës. Këto metoda konsistojnë në:

    • Vendosjen e një pllake metalike, vide ose materiali tjetër të tolerueshëm nga organizmi, që mundëson stabilizimin këndor të krahut.
    • Në disa raste, mund të jetë i nevojshëm një fiksim metalik i jashtëm, ku vidat fiksohen në kockë.

    Më pas, krahu duhet të stabilizohet (të mbahet i palëvizur) për disa javë në allçi ose jaki. Mund të jetë i nevojshëm edhe fashimi për shtrirjen e kockës.

    Nëse kocka është tepër e fragmentuar (e copëtuar), mund të krijohet një urë, duke përdorur një autotransplant (përgjithësisht nga zona e legenit). 
    Në rastet me dëmtime të shprehura të muskujve, tendineve ose nervave, mund të jetë i nevojshëm një operacion kirurgjikal plastik.

    Riaftësimi pas operacionit

    • Gjatë 3-4 javëve të para pas operacionit, rekomandohet riaftësimi terapeutik, me shtrirje të krahut deri në 80°.
    • Lëvizje e plotë e krahut pas shërimit total të kockës (për rreth 6 javë).
    • Gjimnastikë në ujë pas shërimit
    • Evitimi i mbajtjes së peshave mbi 2 kg derisa shërimi kockor të jetë i plotë (për rreth 6 javë).

    Thyerja e krahut (humerusit) shërohet shpejt, nën trajtim konservativ ose kirurgjikal. Pasoja të tilla, si kufizimi i lëvizjeve janë të rralla. Ndërlikimet e mundshme dhe më të zakonshme janë ato të shfaqura pas operacionit, ku përfshihen infeksionet, trombozat, hemorragjitë dytësore, grumbullimet e gjakut, alergjitë nga materialet që implantohen (fiksohen) në kockë, paralizat ose çrregullimet e ndjeshmërisë në rastin e dëmtimeve nervore. Vendosja e një fashoje shtypëse gjatë operacionit pakëson rrezikun e hemorragjisë dytësore. Si me trajtimin konservativ, ashtu edhe atë kirurgjikal, shtypja e ushtruar nga fashoja mund të dëmtojë nervat ose enët e gjakut. Gjatë trajtimit konservativ, thyerja mund të dalë nga pozicioni i saj, të shërohet me vështirësi ose të pozicionohet keq.

    Një ndërlikim tjetër i mundshëm është pseudoatroza (formimi i një kyçi të rremë).

     

    Dr. med. Fritz Grossenbacher

    Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

    Doris Zumbühl

    Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

    Dr. Yllka Themeli

    Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.