Thyerja e klavikulës
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Thyerja e klavikulës është përgjithësisht pasojë e një presioni jo të drejtpërdrejtë, si në rastin e rrëzimeve mbi krahun e majtë ose atë të djathtë. Më rrallë, ajo mund të jetë pasojë e goditjeve ose gjuajtjeve.
Thyerja e klavikulës mund të jetë e brendshme (mediale), në nivelin e diafizës dhe e jashtme (laterale). Thyerja e klavikulës në nivelin e diafizës është më e zakonshmja (rreth 80% e rasteve).

Thyerja e klavikulës paraqet këto simptoma:
- Dhimbje në zonën e shpatullës
- Enjtje të pjesëve të buta
- Lëvizje të kufizuara të shpatullës, që shoqërohen me dhimbje
- Kërcitje (ndjesia e kërcitjeve gjatë prekjes, si pasojë e fërkimit me njëra-tjetrën e pjesëve të thyera të kockës)
- Pozicionim i keq i kockës (tkurrje e muskujve në drejtimin e fragmentit medial -të brendshëm, duke tërhequr përpara fragmentin e jashtëm-lateral).

Për të diagnostikuar një thyerje të klavikulës, mjeku ortoped ka nevojë për:
- Informimin e tij të detajuar rreth historisë së sëmundjes
- Egzaminimin klinik të shpatullës dhe krahut, kontrollin e qarkullimit të gjakut, vlerësimin e ndjeshmërisë dhe lëvizshmërisë së krahut.
- Kryerjen e radiografisë së klavikulës

Sipas tipit të thyerjes së klavikulës dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit, trajtimi mund të jetë konservator ose kirurgjikal.
Pjesa më e madhe e rasteve me thyerje të klavikulës trajtohen në mënyrë konservatore, pra pa operacion. Pacienti duhet të mbajë një fasho mbajtëse (rrip) në formën e tetës, të paktën për 3-4 javë, e cila duhet të shtrengohet rregullisht. Në rastet me zhvendosje të rëndësishme të pjesëve kockore, vendosja e tyre në vendin e duhur mund të bëhet nën efektin e anestezisë lokale. Për qetësimin e dhimbjeve rekomandohen medikamentet analgjezike, ndërkohë që fizioterapia rekomandohet të fillohet në javën e dytë.
Ndërhyrja kirurgjikale
Një ndërhyrje kirurgjikale është e nevojshme vetëm në raste të rralla, veçanërisht kur:
- Dëmtime të enëve të mëdha të gjakut ose nervave
- Konstatohen shembje të rëndësishme të vertebrave ose kur kocka nuk ngjitet pas trajtimit konservator
- Thyerja është e hapur, pra kur pjesët e kockës dalin në lëkurë
- Pacienti nuk e përdor rripin në formën e tetës, duke menduar që do ta rifitojë më shpejt lëvizshmërinë normale të krahut.
- Proçedurat kirurgjikale konsistojnë në bashkimin e fragmenteve të copëtuara të kockës me ndihmën e pllakave dhe vidave.
Masat e urgjencës (ndihma e parë mjekësore)
Në çdo dëmtim që mund të ndodhë gjatë ushtrimit të sporteve të ndryshme.
- P-pushim, që nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit fizik (sportiv)
- A-akull, që nënkupton vendosjen e akullit në zonën e dëmtuar, por vetëm me kusht që të mos ketë plagë të hapur në të.
Kujdes: akulli nuk duhet të vendoset direkt në lëkurë, sepse mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës prej të ftohtit. - N-ngjeshja, që nënkupton vendosjen e fashove shtrënguese, që pengojnë enjtjen.
Kujdes: zona e fashuar duhet të kontrollohet rregullisht, pasi mund të shfaqen probleme prej furnizimit të pamjaftueshëm me gjak të saj. - N-ngritja, që nënkupton vendosjen e gjymtyrëve (krahëve, këmbëve) të dëmtuara në pozicion të ngritur, pasi ky pozicion favorizon furnizimin me gjak dhe rënien e enjtjes. Kjo masë nuk aplikohet tek personat që kanë humbur vetëdijen, as në rastet kur dyshohet për dëmtime në kokë, shpatulla ose në shpinë.
Thyerja e klavikulës mund të shkaktojë këto ndërlikime:
- Dhimbje të vazhdueshme, edhe pas trajtimit konservator
- Dëmtim ose irritim i nervave të krahut
- Formimi i një pseudoartroze, kur fragmentet e kockave ngjiten keq.
- Rezultat jo i kënaqshëm estetikisht, pas trajtimit konservator.