logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Lebra: një sëmundje infektive që mund të çojë në gjymtim nëse nuk trajtohet.
Lebra: një sëmundje infektive që mund të çojë në gjymtim nëse nuk trajtohet.

Lebra është një sëmundje infektive kronike, që shkaktohet nga mykobakteri i lebrës. Ky bakter shkatërron indet e lëkurës, mukozat dhe qelizat nervore që ndodhen në afërsi të tyre, duke shkaktuar në këtë mënyrë deformime ose gjymtime në zonat përkatëse.

Mykobakteri i lebrës bën pjesë në familjen e mykobakterit të tuberkulozit. Ai është zbuluar në vitin 1873 nga dr.Hansen, prej të cilit njihet edhe si bacili i Hansen. 

Në ditët e sotme, pjesa më e madhe e rasteve të lebrës janë raportuar në Indi, Bangladesh, Birmani, Guine, Indonezi, Kongo, Madagaskar, Mozambik, Nepal, Tanzani dhe Nigeri. Për momentin, nuk dihet saktësisht mënyra e transmetimit të këtij bacili tek njeriu. Transmetimi i tij nga njeriu tek njeriu është i mundur, por që të ndodhë, nevojitet një kontakt i ngushtë dhe i zgjatur me një person të infektuar nga lebra.

Antibiotiku kundër kësaj sëmundjeje filloi të përdorej në vitin 1940. Përveç efektit shkatërrues mbi bacilin e lebrës, ky antibiotik pengon edhe përhapjen e tij në organizëm. Në rast se trajtimi me të fillon në fazën e hershme të sëmundjes, ajo mund të shërohet plotësisht. Shumë vite më parë, lebrozët mbaheshin të izoluar nga shoqëria dhe përgjithësisht vendoseshin në ishuj të veçuar. Lebra e përshkruar në bibël ka shumë pak ngjashmëri me infeksionin e vërtetë nga mykobakteri i lebrës, por gjithsesi edhe aty ajo përshkruhet si një sëmundje e lëkurës.
 

Nuk dihet saktësisht mënyra e transmetimit të mykobakterit të lebrës tek njeriu. Pjesa më e madhe e njerëzve janë rezistentë ndaj bakterit. Njihen disa faktorë, që janë cilësuar si favorizues në infektimin  prej tij. Si të tillë konsiderohen: kequshqyerja, uji i ndotur, higjiena e keqe, qëndrimi në ambiente të mbyllura dhe ulja e imunitetit.

Transmetimi nga njeriu tek njeriu realizohet nëpërmjet spërklave të pështymës gjatë teshtitjes, kollës dhe të folurës, si dhe nga sekrecionet e hundës së njeriut të infektuar. Që të ndodhë infektimi nga një person tjetër, është i nevojshëm një kontakt i ngushtë dhe i zgjatur me të. Bakteri shumëzohet ngadalë (për rreth 13 ditë),  krahasuar me bakteret e tjera të salmonelozës ose të kolerës, që shumëzohen për 20 minuta. Pikërisht ky fakt e bën të vështirë transmetimin e tij nga njeriu tek njeriu. Bakteri zhvillohet më mirë në temperaturë rreth 33°.

 

Periudha e inkubacionit (nga moment i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) për bacilin e lebrës varion afërsisht nga 4-8 ditë, por mund të zgjasë edhe disa muaj, madje deri në 20 vjet. Simptomat janë të ndryshme për pacientë të ndryshëm. Sëmundja prek në fillim lëkurën, mukozat, duart, këmbët, fytyrën dhe sytë.

Shenjat e para janë:

  • Mpirja, ndjesia e shpimit nga gjilpëra dhe e djegies në nivelin e gishtave, veçanërisht në majat e tyre
  • Shfaqja e njollave mbi lëkurë, të cilat herë marrin nuancë të zbehtë dhe herë nuancë të kuqe; Mungesë ndjeshmërie në nivelin e njollave. Njollat e lebrës shpesh ngatërrohen me ato të psoriazës ose të parazitozës (elementet e lëkurës të shkaktuara nga prania e krimbave në organizëm).

Në varësi të gjendjes së sistemit imunitar, mund të zhvillohet lebra lebromatoze.

Simptomat e saj janë:

  • Enjtje, kryesisht në fytyrë
  • Rënie e flokëve
  • Prekje e organeve të brendshme
  • Trashje e nervave
  • Mungesë e ndjeshmërisë për shkak të prekjes së qelizave nervore. Për këtë arsye, plagosjet ose djegiet janë të padhimbshme sepse pacientët nuk i ndiejnë objektet e nxehta ose traumatizimet.
  • Rrjedhje të shumta nga hundët
  • Lëkurë e thatë
  • Ulçera, enjtje në lëkurë
  • Gangrenë që ndonjëherë prek kockën, duke çuar deri në humbjen e gjymtyrëve.
  • Mungesë e ndjeshmërisë në gjymtyrët (personit i bien objektet nga duart)
  • Paraliza dhe atrofi (dobësim) të muskujve, që shkakton deformime të gjymtyrëve
  • Humbje e shikimit
Lebra: zbulimi i baktereve të lebrozës.
Lebra: zbulimi i baktereve të lebrozës.

Për të diagnostikuar sëmundjen e lebrës, është thelbësore njohja e mjekut me simptomat e pacientit (njollat në lëkurë, prekjet e nervave). Në këtë kuadër, është e detyrueshme të merret informacion i detajuar lidhur me udhëtime të pacientit në të kaluarën, si dhe identifikimi i agjentit patogjen në lëkurë dhe në nervat periferikë. 

Lebra: trajtimi në kohë me antibiotikë.
Lebra: trajtimi në kohë me antibiotikë.

Në rastet e trajtuara në kohë, mundësitë për t`u shëruar janë shumë të mëdha. Skema e trajtimit të përdorur konsiton në përdorimin e tre antibiotikëve, në mënyrë të kombinuar, për një periudhë deri në një vit. Kinezioterapia mund të parandalojë ngurtësimin e gjymtyrëve dhe i mbron ato nga paralizat e mundshme. 

Lebra: respektoni masat e hollësishme të higjienës.
Lebra: respektoni masat e hollësishme të higjienës.

Nuk egziston asnjë vaksinë kundër bakterit të lebrës. Në disa vende, vaksina e përdorur kundër tuberkulozit (vaksina BCG) konsiderohet pjesërisht efikase edhe kundër bakterit të lebrës. Ndërkohë që, në vende të tjera si Birmania, Uganda, Guinea e re dhe India, efekti mbrojtës i kësaj vaksine kundër lebrës është cilësuar i papërfillshëm. Rreziku i prekjes nga lebra është i vogël (rreth 5-10%) në personat me sistem imunitar të shëndetshëm dhe me kushte të mira higjienike. Mundësia e infektimit nga personat e tjerë egziston vetëm nëse kontakti me ta është i ngushtë dhe zgjat për disa vite.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.