Spirometria (Testi i funksionit të mushkërive)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është spirometria?
Spirometria është një ekzaminim i thjeshtë që shërben për të përcaktuar gjendjen funksionale dhe kapacitetin e performancës së mushkërive dhe rrugëve të frymëshkëmbimit. Sasia e ajrit dhe shkalla e kalimit të tij gjatë frymëthithjes (inspiracionit) dhe frymënxjerrjes (ekspiracionit) maten duke përdorur një aparat të quajtur spirometër. Nëpërmjet tij shpesh është i mundur diagnostikimi i sëmundjeve të mushkërive edhe përpara shfaqjes së simptomave të para të tyre. Spirometria është veçanërisht e përshtatshme për diagnozën dhe kontrollin e trajtimit të sëmundjeve kronike të mushkërive, të tilla si astma, bronkiti ose SPOK (sëmundja pulmonare obstruktive kronike).
Spirometria është një ekzaminim i fushës së Pneumologjisë, një degë e Mjekësisë së brendshme.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Spirometria zgjat rreth 5 minuta dhe nuk kërkon ndonjë përgatitje të veçantë. Megjithatë, ky ekzaminim nuk duhet të kryhet menjëherë pas ushqimit, sepse ngarkesa e ushqimit mund të ndikojë në rezultatet e matjes.
Çfarë duhet të sqarohet përpara kryerjes së spirometrisë?
Spirometria mund të kryhet pa ndonjë sqarim të veçantë.
Si realizohet spirometria?
Gjatë ekzaminimit, pacienti merr frymë në pajisjen matëse (spirometër) përmes një tubi, ndërsa hunda është e mbyllur me kapëse në mënyrë që i gjithë ajri të thithet dhe të nxirret vetëm përmes gojës. Duke ndjekur udhëzimet, fillimisht pacienti merr frymë thyllë, dhe më pas e nxjerr atë sa më shpejt dhe sa më fort që të mundet, vetëm përmes gojës. Pastaj ai merr frymë thellë përmes gojës përsëri. Gjatë ekzaminimit, duhet bërë një sforcim i rëndësishëm nga ana e pacientit, pasi kjo është thelbësore për marrjen e vlerave të sakta të matjes. Të dhënat e matura vlerësohen drejtpërdrejt, në formën e grafikëve që printohen nga kompjuteri.
Kur përdoret spirometria?
Ekzaminimi përdoret për diagnostikimin dhe kontrollin terapeutik të sëmundjeve të ndryshme të mushkërive dhe të rrugëve të frymëshkëmbimit.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e spirometrisë janë:
- Bronkiti kronik
- Astma bronkiale
- SPOK
- Inflamacioni ose zgjerimi i mushkërive
A paraqet spirometria rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Meqenëse për kryerjen e spirometrisë nevojitet një sforcim i madh nga pacienti, në mënyrë që të merren rezultate sa më të sakta, pacienti mund të ndiejë nevojën për t’u kollitur ose një marramendje të lehtë pikërisht pasi bën frymënxjerrjen maksimale.