Matja e frymënxjerrjes maksimale (Matja e sasisë maksimale të ajrit të nxjerrë nga mushkëritë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ky ekzaminim?
Matja e frymënxjerrjes maksimale është një ekzaminim që shërben për të matur vëllimin maksimal të ajrit që nxjerrim gjatë ekspiracionit (frymënxjerrjes) dhe kryhet me anën e një aparati të thjeshtë. Gjatë këtij ekzaminimi, pacienti nxjerr frymën sa më fort që të mundet në aparat, dhe vlera e arritur, e shprehur në litra për minutë, lexohet në shkallën e aparatit. Në sajë të aparatit që quhet matës i fluksit maksimal, pacientët që vuajnë nga astma mund të ndjekin ecurinë dhe trajtimin e sëmundjes në kushtet e shtëpisë, dhe të zbulojnë në kohë një krizë të afërt të astmës.
Matja e frymënxjerrjes maksimale është një ekzaminim i fushës së Pneumologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara këtij ekzaminimi?
Ky ekzaminim nuk kërkon ndonjë përgatitje të veçantë paraprake.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Asnjë sqarim nuk është i nevojshëm përpara matjes së frymënxjerrjes maksimale.
Si realizohet ky ekzaminim?
Vëllimi maksimal i nxjerrë matet të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, mundësisht në të njëjtën orë dhe përpara marrjes së medikamenteve. Matje shtesë mund të bëhen në rast se shfaqen shqetësime ose kur e këshillon mjeku.
Mënyra e realizimit të ekzaminimit:
- Matja kryhet në pozicionin në këmbë.
- Vendosni kursorin e aparatit tek «zero».
- Thithni ajër sa më thellë që të jetë e mundur, dhe mbajeni me forcë me buzët tuaja majën e pajisjes.
- Nxirreni ajrin në aparat duke fryrë fort.
- Lexoni vlerën e matur në shkallën e kursorit.
- Shënoni vlerën dhe vendosni përsëri kursorin në pikën zero.
- Proçedura e matjes e përshkruar më sipër duhet të përsëritet edhe dy herë të tjera.
- Më e mira e tre vlerave të matura futet në ditarin e astmës me datën dhe kohën kur janë kryer.
Kur kryhet ky ekzaminim?
Matja e frymënxjerrjes maksimale i lejon pacientët astmatikë të monitorojnë vetë ecurinë dhe trajtimin e sëmundjes, në mënyrë që të merren masat e duhura nëse gjendja e tyre përkeqësohet, për shembull duke u konsultuar me një mjek ose duke përshtatur trajtimin sipas udhëzimeve të mjekut. Përveç kësaj, vlerat e matura gjatë një periudhe të gjatë kohore i ofrojnë mjekut informacione thelbësore për gjendjen e rrugëve të frymëshkëmbimit dhe efektivitetin e trajtimit.
A paraqet ky ekzaminim rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i sigurt. Meqenëse nevojitet një sforcim i konsiderueshëm për të sigurar matje optimale, pacienti mund të ketë kollë ose një ndjenjë të lehtë marramendjeje afër fundit të ekzaminimit.