Ekzaminimi i gëlbazës (Ekzaminimi i sekrecioneve bronkiale, Ekzaminimi i sputumit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është ekzaminimi i gëlbazës?
Ekzaminimi i gëlbazës është një ekzaminim në mikroskop, në kushte laboratorike, i sekrecioneve të prodhuara në rrugët e frymëshkëmbimit (gëlbaza-sputumi). Ai përdoret për të diagnostikuar sëmundje të ndryshme të mushkërive, pasi mundëson evidentimin e mikrobeve që i shkaktojnë këto sëmundje (bakteret, kërpudhat, viruset) ose të qelizave të modifikuara nga sëmundje të ndryshme. Edhe ndryshimet e ngjyrës dhe përbërjes së gëlbazës tregojnë praninë e sëmundjeve të mundshme. Është e rëndësishme të dini se ky ekzaminim nuk vlerëson pështymën që gjendet në gojë, por sekrecionet që dalin nga mushkëritë (sekrecionet bronkiale).
Ekzaminimi i gëlbazës është një ekzaminim i Pneumologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme, si dhe i Citologjisë (ekzaminimi mikroskopik i qelizave), një fushë e diagnozës laboratorike.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Nëse është e vështirë nxjerrja e sekrecioneve bronkiale, rekomandohet që paraprakisht të përdoret një medikament mukolitik, pra që hollon sekrecionet. Sekrecionet bronkiale mund të merren edhe përmes bronkoskopisë.
Çfarë duhet të sqarohet para ekzaminimit?
Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm përpara ekzaminimit.
Si realizohet ekzaminimi i gëlbazës?
Sekrecionet bronkiale grumbullohen nga vetë pacienti. Për këtë qëllim, mjeku i siguron atij një gotë të pastër, me kapak, në të cilën pacienti grumbullon sekrecionet bronkiale që nxjerr. Pastaj gota i jepet mjekut dhe kontrolli vazhdon në laborator. Sekrecionet bronkiale vëzhgohen direkt nën mikroskop. Në shumicën e rasteve, ato ngjyrosen me ngjyra të veçanta për të identifikuar më mirë agjentë të caktuar infektivë ose ndryshime qelizore nga sëmundjet e mundshme. Nëse ka dyshime për një infeksion bakterial apo kërpudhor, gëlbaza mbahet për disa ditë në një terren ushqyes të vendosur në inkubator, për të vëzhguar rritjen e mundshme të një kulture bakteriale ose kërpudhore.
Gjatë mbledhjes së sekrecioneve duhet të respektohen këto elementë:
- Sekrecionet bronkiale mund t'i mblidhni më lehtë në mëngjes, pas ngritjes nga shtrati.
- Fillimisht shpëlani gojën, në mënyrë që sekrecionet bronkiale të kontaminohen sa më pak të jetë e mundur nga mikrobet që gjenden natyralisht në gojë. Megjithatë, mos lani i dhëmbët ose mos bëni gargarë paraprakisht.
- Gjatë kollitjes, sekrecionet dalin dhe pështyhen lehtë në gotë. Për të siguruar sasinë e mjaftueshme të gëlbazës për ekzaminim, ky veprim mund të përsëritet disa herë.
- Vendosini kapakun e gotës menjëherë dhe dorëzojeni sa më shpejt të jetë e mundur për ekzaminim laboratorik. Nëse kjo nuk është e mundur, ena duhet të mbahet në frigorifer derisa të dorëzohet.
Kur përdoret ekzaminimi i gëlbazës?
Ekzaminimi i gëlbazës mund të përdoret për të diagnostikuar sëmundje të ndryshme të mushkërive, veçanërisht në rastet e kollës me gëlbazë.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë ekzaminimin e gëlbazës janë:
- Pneumonia
- Bronkiti
- Kolla me gëlbazë
- Infeksionet e mushkërive: tuberkulozi, ekinokoku
- Kanceri i mushkërive
A paraqet ky ekzaminim rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Nxjerrja e sekrecioneve bronkiale nga vetë pacienti për ekzaminim, nuk paraqet asnjë rrezik dhe nuk shkakton asnjë efekt të dëmshëm për organizmin.