Aknet (Acnea, Puçrrat e fytyrës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Aknet janë një problem tepër i shpeshtë i lëkurës, që mund të shfaqet nga mesi dhe fundi i periudhës së pubertetit. Ndodh që prej tyre të vuajnë edhe femrat mbi 40 vjeç.
Çrregullimet e keratinizimit (forcimit) të folikujve të qimeve shkaktojnë ndryshime inflamatore të lëkurës, që mund të shfaqen në formën e puçrrave të vogla, me ose pa qelb. Zonat e lëkurës që preken më shpesh janë fytyra, shpina, shpatullat dhe pjesa e dekoltesë.
Në varësi të shkallës së zhvillimit, aknet lënë shenja në lëkurë, të cilat përbëjnë për individin një problem psiko-social që nuk mund të nënvlerësohet. Shërimi i tyre është përgjithësisht i vështirë edhe nën trajtim. Personat me akne duhet të trajtohen nga mjeku specialist dermatolog pa pritur që problemi të kalojë vetë.

Aknet përfaqësojnë një sëmundje pjesërisht gjenetike. Pra, shfaqja e tyre është edhe e trashëgueshme. Nëse nga aknet kanë vuajtur të dy prindërit, mundësia që fëmija i tyre të vuajë të njëjtën gjë gjatë pubertetit është mbi 50%.
Gjatë pubertetit, prodhimi i hormoneve seksuale mashkullore (androgjeneve) rritet, si tek meshkujt dhe tek femrat. Kjo çon në rritjen e prodhimit të një substance yndyrore (të quajtur sebum) nga gjendrat dhjamore të lëkurës, dhe në çrregullime të keratinizimit të folikujve të qimes. Kjo gjë ndodh pasi kjo lëndë e sekretuar me shumicë nuk shkarkohet dot në folikuj, për shkak të ngushtimit të kanalit të derdhjes së saj.
Shkaqet e tjera të akneve:
- Obeziteti dhe/ose trashja (hipertrofia) e indit dhjamor.
- Rezistenca ndaj insulinës (mungesa e ndjeshmërisë ndaj veprimit të saj).
- Rritja e nivelit të hormoneve mashkullore, që reflektohet me mashkullinizimin e femrës.
- Lidhur me ushqyerjen, disa studime të kohëve të fundit nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje ndërmjet ushqimeve specifike dhe formimit të akneve, madje as për ushqimet e yndyrshme, pikante dhe çokollatat.
- Këto studime kanë treguar se në zhvillimin e akneve luan rol edhe sistemi imunitar.
Përgjithësisht, pacienti me akne karakterizohet nga:
- Formimi i puçrrave, me ose pa qelb, me ngjyrë të çelët ose të errët, kryesisht në fytyrë, por mund të shfaqen edhe në gjoks dhe në shpinë.
- Mbetja e cikatriceve (shenjave) në lëkurë
- Përmirësimi i simptomave pas ekspozimit në diell.
- Tek rreth një e katërta e femrave të reja, konstatohet një përmirësim ose përkeqësim i akneve gjatë menstruacioneve.
Disa forma të rënda të akneve janë tepër problematike nga ana estetike, duke krijuar një gjendje vërtet stresante në aspektin psiko-social.
Fenomeni i akneve, veçanërisht kur është i shprehur, duhet të konsultohet nga një mjek specialist dermatolog. Shkalla e zhvillimit të aknes përcaktohet në varësi të elementeve të ndryshme akneike të pranishme në lëkurë.
Përveç kësaj, mjeku duhet të informohet lidhur me praninë e akneve në pjesëtarë të tjerë të familjes. Gjithashtu, mjeku duhet të vlerësojë edhe ndikimin e faktorëve të jashtëm, si profesioni apo marrja e medikamenteve të ndryshme, që mund të kenë efekt përkeqësues mbi aknet.

Trajtimi i akneve ka për qëllim të përmirësojë simptomat dhe ndikimin e këtij fenomeni mbi gjendjen psiko-sociale të personit të prekur.
Ai duhet të vazhdojë për të paktën 6 javë, përpara se të vendoset për ndryshimin e trajtimit ose ndërprerjen e tij.
Trajtimi i akneve konsiderohet efikas nëse arrihet shërimi i puçrrave përpara se të formohen cikatricet (shenjat). Ai konsiston në trajtimin e mbiprodhimit të sebumit, çrregullimeve të keratinizimit të folikujve të qimes dhe infeksionit bakterial. Strategjia e trajtimit të akneve përfshin: trajtimin lokal, trajtimin e përgjithshëm (sistemik) dhe trajtimin e cikatriceve.
Trajtimi lokal
- Fillimi i efektit të trajtimit lokal konstatohet rreth 4 javë pas fillimit të tij.
- Trajtimi lokal realizohet nëpërmjet produkteve që kanë efekt kundër mikrobeve dhe inflamacionit, si retinoidet, antibiotikët, peroksidi i benzoilit,etj.
- Gjatë zgjedhjes së trajtimit lokal kundër akneve, më i favorshëm konsiderohet kombinimi i disa medikamenteve, në mënyrë që të veprohet në të njëjtën kohë mbi faktorët e ndryshëm përgjegjës të aknesë.
Trajtimi i përgjithshëm (sistemik)
- Ky trajtim përdoret në rastet kur trajtimi lokal rezulton i pamjaftueshëm, kur stresi psiqik i pacientit është i rëndësishëm, ose kur dyshohet për akne të rëndë (në rastet kur ajo shfaqet shumë herët).
- Zgjedhja e medikamentit që do të përdoret varet nga shkalla e akneve, efekti i trajtimeve të kaluara dhe gjendja individuale e pacientit.
- Trajtimi sistemik konsiston në përdorimin e medikamenteve të tilla, si: antibiotikët dhe /ose izotretinoina. Kjo e fundit ka efekte të padëshiruara si: tharja e buzëve dhe e lëkurës në përgjithësi, gjakderdhje nga hunda,etj.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Sa herë që lëkura paraqet probleme të tipit të akneve, është e domsodoshme të respektohen rregullat e mëposhtne:
- Të evitohet prekja e shpeshtë e puçrrave dhe të mos tentohet shtypja e tyre me thonj, pasi mund t’i acarojë ato dhe të lërë cikatrice (shenjë) në lëkurë.
- Të mos përdoret krem hidratues, mbrojtës ndaj diellit ose i tipit kozmetik me përbërje të yndyrshme, pasi këto produkte mund të bllokojnë edhe më shumë poret e lëkurës dhe të përkeqësojnë aknenë.
- Edhe pse dielli e qetëson aknenë për një periudhë të shkurtër kohore, ai e rëndon atë në vazhdimësi. Veç kësaj, dielli përfaqëson një burim të mundshëm të kancerit të lëkurës.
- Të evitohen ambientet me lagështirë.
- Të evitohet uji me klor për larjen e lëkurës
- Të kryhen proçedurat e trajtimit të fytyrës nga persona të specializuar (estetistë)
- Në rastin e aknesë së lehtë, produktet e pastrimit dhe të kujdesit për lëkurën mund të përdoren pa rekomandimin e mjekut.
- Ushqyerja nuk rezulton se ndikon në formimin e akneve. Gjithsesi, çdo ndryshim i aspektit të puçrrave, që dyshohet se ka lidhje me ushqimin, duhet të konsultohet menjëherë me mjekun specialist dermatolog.